Lajme

Java XXIII: Prishtina – Ferizaj 1-0

Java XXIII: Prishtina – Ferizaj 1-0

Fitoren e parë debutuese kryetrajnerit Thaqi i solli Gauthier Mankenda 72’

Gauthier Mankenda

Podujevë, 31 mars, 2017 – Prishtina ka nisur fazën e tretë me fitore minimale ndaj skuadrës mjaft të mirë të Ferizajt – 1:0. Një ndeshje me dy fytyra të ndryshme. Pjesa e parë e dominuar lehtësisht nga mysafirët, kurse pjesa e dytë në tërësi i takoi prishtinasve të cilët shënuan një herë dhe kanë mundur të shënojnë edhe herë tjera.

Lorik Boshnjaku

Ishte kjo fitore debutuese për kryetrajnerin Arsim Thaqi, kurse pas lëndimit u rikthye dhe la shenja shumë pozitive sulmuesi, Ahmed Januzi.

Përndryshe, Prishtina i shkaktoi Ferizajt humbjen e parë kampionale pranverore. Me këtë fitore, Prishtina ka grumbulluar 45 pikë, kurse javën e ardhshme udhëton në Gjilan kundër Dritës.

Prishtina - Ferizaj 1-0

Java XXIII

Prishtina – Ferizaj 1:0 (0:0)

Golashënues: Gauthier Mankenda 72’

Shikues: 300

Gjyqtarë: Fatmir Tahiri (Mt), Jakup Musolli (Pd), Imran Kabashi (Mt) – Tefik Maloku (Pd)

KV: A. Muqiqi, L. Leci – M. Ristkovski

Pozitat jashtë lojës: Pri 4-1Fer

Kornerët: Pri 4-4 Fer

Gjuajtjet totale: Pri 11-5 Fer

Gjuajtjet në portë: Pri 4-3 Fer

Prishtina (4-3-3): 1. Alban Muqiqi – 22. Lorik Maxhuni, 4. Armend Dallku /c/, 13. Liridon Leci, 18. Gentrit Dumani – 6. Debatik Curri, 7. Lorik Boshnjaku, 8. Endrit Krasniqi (77. Mërgim Pefqeli – 69’) – 15. Gauthier Mankenda, 9. Shend Kelmendi (27. Ahmed Januzi – 61’), 25. Basit Abdul Khalid (10. Gentrit Begolli – 79’). Zëvendësues: Visar Bekaj, Liridon Kukaj, Mërgim Neziri, Arbër Hoxha. Kryetrajner: Arsim Thaqi.

Ferizaj: 1. Leutrim Rexhepi – 6. Behar Bardhi (14. Qerim Tershana - 75’), 15. Mirsad Idrizi /c/, 13. Florent Papuqi, 3. Milan Ristovski, 4. Elbasan Thaqi, 8. Maliq Behluli, 11. Labinot Shabani (7. Enis Kuka – 61’), 16. Lavdrim Skenderi (9. Muhabi Bushi – 36’), 5. Edon Sadriu, 10. Murat Adili. Kryetrajner: Argjend Beqiri.

Komenti:

Prishtina sot, me kryetrajnerin e ri Thaqi, pothuajse nisi lojën si me formacionin që kishte luajtur shumicën e ndeshjeve pranverore. Ç’është e vërteta, edhe loja në pjesën e parë ishte e plogësht si në ndeshjet tjera, edhe pse me meritë të mysafirëve që luftuan mjaft shumë dhe mbajtën vendasit nën presionin.

Por, e dyta dalloi si nata me ditë. Prishtina mori iniciativën në tërësi duke krijuar disa raste apo situata që mund të shndërroheshin me pak përqendrim në raste ideale. Dhe goli erdhi si meritë e një skeme të ushtruar gjatë ndërprerjes. Prishtina mund të shënonte edhe golin e dytë, sidomos me Begollin, në 10 minutat e fundit kur mysafirët luajtën mjaft mirë duke mbajtur vendasit pothuajse në zonë dhe kundërzbritja mund të kryente punë.

Ahmed Januzi

Minutë pas minute:

6’ Leci ekzekuton një ndërprerje, e ushtruar, por Curri nuk e mbërrin me kokë, kap portieri.

7’ Thaqi gjuan ballore, e lartë.

10’ Adili lufton fortë dhe me gjuajtje nga jashtë zona gjuan lehtë, kap Muqiqi.

40’ Mankenda bën gjithçka mirë nga e djathta dhe si me dorë harkon për Khalid që është e pabesueshme se si nuk e mbërrin me kokë topin, porta ishte e zbrazët.

45’ Endrit Krasniqi përpak sa nuk e befasoi portierin mysafir nga mëse 40 metra, pak larg pingules.

45+2’ Bushi ia rrëmben Boshnjakut topin, pason për Adilin që bukur shmanget anash, por gjuajtje e dobët, tepër larg, jashtë.

46’ Krasniqi me top të gjatë për Khalid i cili ikën nga e djathta dhe pason gjuajtja e ulët që pritet nga portieri Rexhepi.

52’ Boshnjaku për Krasniqin që lufton brenda zonës dhe krijon edhe hapësirë, por gjuajtje e plogësht drejt në duart e portierit mysafir.

Endrit Krasniqi

55’ Dallku me vertikale anash vijës te Mankenda, depërtim e harkim i bukur për Khalid i cili ia del të gjuaj me kokë, por lartë.

62’ Januzi e vazhdon për Khalid djathtë në thellësi, gjuan, vetëm rrjeta e jashtme.

66’ Aksion i mirë, Dallku për Mankendan e ky e kthen para zonës për Currin i cili gjuan shumë larg portës.

68’ Ristovski nga e majta me saktësi në shtyllën e dytë për Kukën që gjuan me kokë, por pret dhe shpëton Muqiqi.

70’ Pefqeli gjuan me kokë, pak larg kuadratit.

72’ Goditje dënimi për Prishtinën para zonës. Skema del e mirë. Leci ia vazhdon anash murit Dallkut i cili del hapur nga e djathta, kroson në zonë, dëbon shkurt portieri Rexhepi dhe aty nga afërsia shënon Gauthier Mankenda – 1:0.

79’ Pas ekzekutimit të këndores nga Mankenda, topi dëbohet deri para zonës kur gjuan fortë Boshnjaku, por jashtë.

88’ Pasime horizontale para portës nga Bushi – Behluli dhe e mbyllur me gjuajtje të Kukës, por grushton portieri Muqiqi.

90+6’ Sekondat e fundit të ndeshjes dhe lojës shtesë prej 6 minutave. Mysafirët të gjithë në sulm, edhe portieri Rexhepi. Prishtinasit dëbojnë topin para zonës, në duel në ajër me portierin mysafir Begolli shtyn topin përpara dhe ishte porta e zbrazët dhe provon gjuajtjen nga distanca me të majtën, por e plogësht nuk përfundon në kuadrat dhe mysafirët e marrin topin.

Arsim Thaqi

Deklaruan:

Arsim Thaqi, kryetrajner i Prishtinës:
Duhet vazhduar të punojmë e t’i përmirësojmë gabimet që i shfaqëm edhe sot. Unë i uroj futbollistët për vullnetin dhe lojën me zemër që patën. Por, kemi problem kur jemi në ndjekje të rezultatit dhe ka mundësi të luhet ma mirë, e jo si në minutat e fundit që nuk patëm qetësi. Është më rëndësi kjo fitore e para për mua, por s’do të jetë e rëndësishme sikur nuk vazhdojmë me fitore tjera. Na duhet vazhdimësia e lojërave dhe rezultatit, sepse Prishtina është më e rëndësishme se sa trajnerët apo futbollistët, duhet kthejmë nivelin e Prishtinës në nivel të Kosovës.

Argjend Beqiri, kryetrajner i Ferizajt: Humbja e parë me një gol të pësuar, por edhe ne kishim raste të shënonim, por po na mungon realizimi. Ne luajtëm mirë, por pësuam pas një mosmarrëveshje te muri dhe Prishtina është ekip i madh dhe këto raste nuk i falë.

Avni Durmishi