Lajme

Java XXIII: Prishtina – Flamurtari

Java XXIII: Prishtina – Flamurtari

Bardhekaltrit duhet fituar ndeshjen se s’bën!

Prishtinë, 26 mars 2019 – Prishtina dhe Flamurtari zhvillojnë ndeshjen e 40-të zyrtare të pasluftës. Prishtina me 22 fitore, 10 barazime dhe 7 fitore të Flamurtarit qëndron larg me statistika përball rivalëve lokal. Për goldallim mos të flasim, është +32, 69:37. Por, ndryshe qëndron situata këtë edicion, nga 22 ndeshje kampionale, Prishtina vetëm Flamurtarin nuk e ka mposhtur nga çka kuqezinjtë i kanë marrë 4 pikë, me barazimin 1:1 dhe me fitoren e fundit 2:0 - të gjitha këto ndeshje të zhvilluara në “Fadil Vokrri”. Pra, bardhekaltrit nuk kanë motiv më të madh se sa këto rezultate që të revanshohen dhe trepikëshi është rruga e vetme drejt vazhdimit të luftës për titull.

Prishtina përballet me mungesa, me suspendimin e Khalid dhe dy-tre futbollistë tjerë që kanë lëndime të lehta dhe vetëm para ndeshjes mund të dihet se a mund të llogaris në ta shtabi teknik.

Java XXIII

Prishtina – Flamurtari

E mërkurë, 27 mars – ora 14:00

Stadiumi: “Fadil Vokrri”, Prishtinë

Çmimi i biletave:
Tribuna lindore 2 euro.
Tribuna perëndimore 3 euro.
Tribuna VIP: 5 euro.

Thaqi: Alternativa e vetme fitorja

“Po kthehemi nga pushimi më i gjatë se sa i ekipeve tjera dhe mendoj që na ka bërë mirë para përballjes me kundërshtarin që na ka shkaktuar më së shumti probleme në këtë edicion duke mos arritur ta mposhtim asnjëherë. Në fakt na pret ndeshje e vështirë, por ne nuk kemi alternativë tjetër, nuk na lejohen më gabime dhe normalisht duke synuar të zhvillojmë lojë  të mirë t’i fitojmë tre pikët. Atmosferën në skuadër e kemi shumë të mirë megjithëse kemi probleme me mungesa duke mos e ditur se a do të mund të startojnë disa prej tyre apo jo, për çka do të vendosin trajnerët, por e jona është të japim maksimumin për tre pikët më se të domosdoshme”, ka thënë mbrojtësi i djathtë, Armend Thaqi i cili njëherësh është futbollisti i vetëm i skuadrës me të gjitha ndeshjet e zhvilluara, 25 sosh.