Lajme

Java XXIII: Prishtina – Flamurtari 3-0

Java XXIII: Prishtina – Flamurtari 3-0

Bardhekaltrit si me lojë ashtu dhe me rezultat iu revanshuan kuqezinjve

Marjo Morina

Prishtinë, 27 mars 2019 – Ndoshta prej ndeshjes për Superkupë me Dritën, skuadra ka zhvilluar lojën më të mirë në këtë edicion. Rezultat bindës, plot tre gola (Korenica 16’ e 56’, Morina 23’ - me tre asistime të Mankendës) e duke pasur mundësi shënimi edhe të shumë golave tjerë nga 17 gjuajtje sa patën sot bardhekaltrit kundrejt vetëm 4 të kuqezinjve.

Pra, në çdo aspekt sot Prishtina ishte më e mirë dhe me meritë iu revanshuan rivalëve për katër pikët e marra në këtë edicion.

Prishtina, me pikët e sotme nga kjo ndeshje e mbetur, ka ngushtuar epërsinë me Feronikelin sërish në 5 pikë duke u pozicionuar në vendin e dytë me 50 pikë, dy më shumë se Llapi në vend të 3-të. 

Prishtina të dielën udhëton në Therandë ku do të ndeshet me Ballkanin vendas në kuadër të javës së 24-të.

Java XXIII

Prishtina – Flamurtari 3-0 (2-0)

Golat: Meriton Korenica 16’, 56’, Marjo Morina 23’

Shikues: afër 500

Gjyqtarë: Mervan Bejtullahu (Gjl), Erduan Baliqi (Mt), Gëzim Mehmeti (Fe) – Ilir Mehmeti (Ka)

KV: A. Thaqi, D. Miftaraj – B. Quansah

Pozitat jashtë lojës: Pri 3-2 Fla

Kornerët: Pri 5-4 Fla

Gjuajtjet: Pri 17-4 Fla

Gjuajtjet në portë: Pri 12-3 Fla

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj /c/ – 2. Armend Thaqi, 28. Leotrim Bekteshi, 8. Ahmet Haliti, 13. Abdul Bashiru – 6. Diar Miftaraj, 3. Arago Jamal (21. Argjend Mustafa – 61’), 18. Ergyn Ahmeti (7. Lorik Boshnjaku – 86’) – 15. Gauthier Mankenda, 10. Meriton Korenica (17. Arbër Hoxha – 77’), 27. Marjo Morina. Zëvendësues: Alban Muqiqi, Agon Xhaka, Armend Dallku, Alen Jasharoski. Kryetrajner: Mirel Josa.

Flamurtari: 1. Flamur Neziri /c/ - 11. Getoar Dragusha, 16. Vigan Rexhaj, 23. Ben Nash Quansah, 10. Agron Bruqi, 21. Arbnor Zeqiri (25. Ibrahim Nasir – 71’), 7. Mergim Boshnjaku (8. Adamou Moussa Issa – 59’), 5. Angel Granchov, 17. Alban Shillova, 9. Adem Maliqi, 20. Egzon Krasniqi (27. Shend Kelmendi – 46’). Kryetrajner: Arsim Thaqi.

Komenti:

Prishtina sot pati paraqitje jashtëzakonisht të mirë dhe si meritë u saj u arritën tre gola për tre pikë që i mundësojnë skuadrës edhe më tej luftën për ekzistencë. Përveç tre gola, Prishtina ka mundur të shënonte edhe disa herë, por ndoshta mungoi fati, sepse përpjekja ishte të qëllohej sa më saktë. Sidoqoftë edhe ky rezultat kënaqi të pranishmit e pakët përshkak orarit të papërshtatshëm, por edhe të ftohtit pranveror.

Meriton Korenica

Me dy golat e shënuar sot Korenica arriti në shifrën prej 6 golave aq sa ka tani edhe Morina me realizimin e sotëm. Ndërsa me 3 asistimet e sotme, Mankenda e zë Thaqin dhe tani të dy kanë nga 5 sosh.

Minutë pas minute:

7’ Që nga fillimi i ndeshjes vërehet Prishtinë ndryshe e cila me lehtësi pas kombinimeve të shumta dilte në raste të pastra. I tillë ishte aksioni i parë kur Ahmeti nga e djathta e rikthen topin te Korenica që kalon një kundërshtar e pastaj gjuan drejt në portierin Neziri.

11’ Krasniqi provon të rrezikoj nga gjuajtja e lirë ballore, kapiteni Bekaj intervenon duke e dëbuar topin mbi tra.

13’ Tjetër aksion i rrjedhshëm, Korenica nga e majta me top të gjatë në të djathtë në zonë te Thaqi që me kokë tentoj të gjej Mankendën e që ishte i mbuluar nga Quansah që dëbon para zonës ku ndodhej Ahmeti i cili gjuan ulët dhe rrezikshëm fare pranë pingules së majtë.

16’ Nuk vonoi dhe goli erdhi. Mankenda, sot i pandalshëm, depërton nga e djathta deri në zonë dhe e rikthen para portës te Korenica i cili kalon një futbollist dhe tani gjuan me saktësi për 1:0.

19’ Bekteshi si me dorë me top të gjatë në thellësi te Morina i cili nga e djathta e pason anën e kundërt te Arago i cili pas tentimit të dytë e tenton Korenicën e vetmuar me portier, por ky i fundit nuk ia del të prekte topin.

23’ Superaksion, Ahmeti në mesfushë e shtyn te Thaqi djathtë e ky te Mankenda i cili ia del të mbronte topin dhe e shtyn drejt zonës për Morinën që i ikën mbrojtjes, ndërsa i largohet me lehtësi anash daljes së portierit Neziri dhe e shtyn topin në rrjetë – 2:0.

24’ Arago ia vazhdon Morinë në zonë i cili posa lirohet gjuan, por pret Neziri.

25’ Arago e udhëheq kundërzbritjen deri para zonës nga gjuan lartë.

29’ Bekteshi si rrallëherë e humb topin, ia merr Shillova i cili nga distanca provon gjuajtjen, por kap Bekaj.

31’ Korenica gjuan nga goditja e dënimit, Neziri e dëbon në këndore.

31’ Pas këndores së luajtur shpejtë, Morina nga e majta për pak sa nuk e befason Nezirin që dëbon në këndore.

33’ Mankenda i pandalshëm i merr topin kundërshtarit nga e djathta e pastaj e harkon në zonë për Korenicën që ia del të gjuante me kokë, por e kap topin Neziri.

36’ Top i jashtëzakonshëm i Thaqit nga mbrojtja për Korenicën që hynë në zonë e ngutet gjuan lartë.

56’ Aksion i jashtëzakonshëm i nisur nga mbrojtja me Halitin e vazhduar me Bekteshin e ky te Thaqi, pastaj Mankenda ikën djathtë e pas depërtimit e gjen Korenicën në shtyllën e parë i cili shënon për rezultatin përfundimtar – 3:0.

64’ Aksioni me pasime të shumta nga gjysmë e majta mbyllet me gjuajtjen e Korenicës nga jashtëzona, por pret Neziri.

67’ Këndoren e majtë e nis Morina, topi dëbohet dhe nga pozitë ballore gjuan rrezikshëm Mustafa, pret sërish Neziri.

67’ Zeqiri provon gjuajtjen nga distanca, në vend Bekaj.

73’ Mustafa me diagonale të bukur për Thaqin djathtë i cili e kthen për Morinën te shtylla e parë dhe gjuan rrezikshëm të ulët e cila përfundon fare pranë pingules së majtë.

75’ Pas këndores së shkurtër nga e djathta, Thaqi e vazhdon te Mankenda e ky harkon e nga topi i devijuar provon Morina, por e lartë.

85’ Ahmeti provon balloren, e lartë.

86’ Thaqi harkon nga e djathta, Mankenda provon të kthej me kokë, por e plogësht, kap Neziri.

90+1’ Moussa lëshoi rastin më të mirë për Flamurtrin, krejt bëri mirë brenda zonës, por gjuajtja në fund ishte e plogësht dhe jashtë.

Deklaruan:

Mirel Josa: Ne ia bëmë të thjeshtë punën vetes sonë për faktin se ne e mbyllëm pjesën e parë me epërsi me dy gola. Mënyra se si luajti skuadra, gjithashtu më pëlqeu deri diku. Mund të ishim më efikas në pjesën e parë, për sa i përket mosvonesës së lojës në disa pika të mesit të fushës në qoftë se do të kishim vertikalizuar më shpejtë dhe mund të kishim shënuar siç krijuam raste, qoftë me Korenicën në dy raste të cilat dalin me këtë mënyrë të lojës sonë. Tash në përgjithësi të flas pas ndeshjes që jam o i kënaqur apo gjëra të tilla, por e rëndësishme është vazhdimësia e skuadrës. Do të kënaqem më tepër nëse skuadra ka vazhdimësi edhe në ndeshjen me Ballkanin dhe që skuadra të luaj si sot në disa momente të caktuara. Ne tani do të shohim se si do të rikuperojmë skuadrën, sepse pas katër ditësh kemi ndeshje prapë dhe kjo është më e rëndësishme për mua. Lufta vazhdon, të shohim se si do të shkojnë punët.     

Meriton Korenica: Edhe pse duket, nuk ishte fare fitore e lehtë. Thjesht fitorja u arrit pas përqendrimit tonë maksimal dhe pothuajse e vendosëm fituesin që në pjesën e parë e që pastaj na e lehtësoi shumë punën për pjesën e dytë që të ishim më të qetë duke na e lejuar të luanim lojën tonë deri në fund pa ndonjë komplikim a problem për ne dhe goli i tretë i dha vulë fitores. Shpresojë të vazhdojmë me këtë ritëm deri në fund të kampionatit. 

Gauthier Mankenda: Ndeshje shumë e mirë e jona. Fitore shumë e rëndësishme për ne. Pas fitores së liderit në tabelë, ne sot nuk kishim alternativë tjetër përveç fitores të cilën e arritëm me meritë pas lojës sonë të mirë. Jam i kënaqur me tre asistimet e mia dhe dua t’i ndihmoj skuadrës edhe kur nuk shënoj dhe kjo më bënë shumë të lumtur. Po ashtu jam shumë i kënaqur edhe me lojën time në të djathtë me Thaqin me të cili komunikojmë shumë mirë dhe si meritë e kësaj besoj që kënaqëm me lojën e treguar. 

Arsim Thaqi, kryetrajner i Flamurtarit: Nuk është çështja që nuk treguam dëshirë për lojë, por ato dy mungesat tona, e kemi ditur që Prishtina bash aty ku është më e fortë, na kemi pasur mungesë, Maxhunin dhe Dumanin të cilët janë pothuajse pjesa jonë kryesore e ekipit tonë, sidomos në krah. Nuk mundëm t’i kompensojmë me lojtarë tjerë dhe depërtimet e Prishtinës nga krahët na vunë shumë në vështirësi, e sidomos te pësimi i dy golave të parë e që na shkaktoi njëfarë lloj konfuzioni edhe në formacion. Pastaj futbollistët hynë në një presion të panevojshëm, sepse nuk është tragjike që Prishtina të t’i shënoj dy apo tre gola, për vetë faktin që Prishtina është ekip shumë me ma eksperiencë se sa Flamurtari.