Lajme

Java XXIV: Ballkani – Prishtina 0-2

Java XXIV: Ballkani – Prishtina 0-2

Me dygolëshin e Korenicës Prishtina afrohet në tre pikë larg kreut

Armend Dallku

Therandë, 31 mars 2019 – Ballkani ishte skuadër që nuk ishte dorëzuar në ndeshjen e parë në Therandë dhe kuptohet që kjo përballje e radhës pritej me ankth duke u konsideruar si takim mjaft i paparashikueshëm. Por, formën e mirë që po gëzon skuadra, me dy momente të mira gjatë ndeshjes dhe e zgjodhi atë në favor të saj me rezultat të pastër – 2:0. Ishte mjeshtëria e Korenicës nga gjuajtja e lirë (73’) që e bëri më të thjeshtë ndeshjen deri në fund kur pas një asistimi të mrekullueshëm të Ahmetit, Korenica e vulosi takimin (87’).

Korenica në dy ndeshjet e fundit ka shënuar 4 gola dhe tani me 8 gola udhëheq listën e realizuesve bardhekaltër, kurse Ahmeti regjistroi asistimin e 3-të.

Prishtina të enjten e pret Lirinë, pastaj në fundjavë udhëton në Ferizaj.

Java XXIV

Ballkani - Prishtina 0-2 (0-0)

Golashënues: Meriton Korenica 73’, 87’

Shikues: Mbi 1.000

Gjyqtarë: Gramoz Shala (Pe), Visar Kelmendi (Pe), Fatlum Jashari (Gjl) – Arben Halilaj (Dr)

KV: B. Krasniqi - A. Bashiru, M. Morina

Pozita jashtë lojës: Blk 1-1 Pri

Kornerët: Blk 4-8 Pri

Gjuajtjet totale: Blk 5-9 Pri

Gjuajtjet në portë: Blk 1-5 Pri

Ballkani: 1. Armend Ruxhi – 22. Besnik Krasniqi, 5. Visar Berisha /c/, 15. Elbasan Gashi, 3. Arbër Potoku, 27. Ledion Muçaj (25. Uran Shala – 83’), 7. Almir Ajzeraj, 20. Edvin Kuç, 88. Tarik Çmajçanin (19. Aldin Adzhoviç – 76’), 11. Jetmir Topalli, 10. Borçe Manevski (21. Bajram Nebiji – 58’). Kryetrajner: Sami Sermaxhaj.

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 2. Armend Thaqi, 4. Armend Dallku /c/, 8. Ahmet Haliti, 13. Abdul Bashiru – 5. Diar Miftaraj, 7. Lorik Boshnjaku (9. Basid Khalid – 58’), 18. Ergyn Ahmeti – 15. Gauthier Mankenda (77. Mergim Pefqeli – 83’), 10. Meriton Korenica, 27. Marjo Morina (3. Jamal Arago – 81’). Zëvendësues: Alban Muqiqi, Leotrim Bekteshi, Argjend Mustafa, Arbër Hoxha. Kryetrajner: Mirel Josa.

FC Prishtina

Komenti:

Sot në Therandë u zhvillua ndeshje mjaft interesante, jo me aq shumë raste, por e luftuar dhe jo e ashpër. Ndërsa është kënaqësi të paraqitesh para një publiku aq korrekt sa në Therandë si pothuajse në asnjë fushë tjetër. Megjithëse fushën së rëndë artificiale, u tentua të luhej futboll e ku Prishtina padyshim tregoi më shumë. Ndonëse pa ndonjë rast ideal shënimi, edhe në 45-minutat e parë ishte Prishtina që po bënte përpjekje me disa tentime-gjuajtje.

Mankenda - Potoku

E dyta pjesë ishte më konkrete, nga rasti ideal që kishte Morina e që nuk reagoi mirë e deri te gjuajtja nga ndërprerja prej Korenicës dhe aksioni brilant i golit të dytë.

Ndërsa Ballkani mbylli ndeshjen pothuajse pa asnjë rast të mirë shënimi nga 5 tentime sa pati, ishte vetëm një gjuajtje e plogësht në drejtim të portës.

Prishtinës ky trepikësh i shton moralin edhe më shumë dhe e motivuar maksimalisht të ndjek titullin deri në fund.

Minutë pas minute:

10’ Korenica nga gjuajtja e lirë gjuan jorrezikshëm pranë pingules.

23’ Thaqi nga e majta gjuan me të majtën, por pret portieri Ruxhi.

23’ Presioni i bërë para portës vendase po jepte produkt, Bashiru merr topin nga e majta e harkon në zonë, Morina s’ia doli të ndalte por topi shkon deri te Ahmeti para zonës që gjuan jashtë pingules së majtë.

34’ Krasniqi provon nga gjuajtja e lirë, ishte mjaft e rrezikshme, por s’ia doli ta prekte topin askush dhe fundore.

36’ Dy futbollistë vendas përplasen mes veti e përfiton Mankenda i cili e gjen Morinën në zonë gjuajtjen e të cilit e ndal Ruxhi.

39’ Topallin e regjistruam vetëm sa për treguar që vendasit e kishin një gjuajtje, në fakt ishte e plogësht sa reaguan edhe publiku vendas.

40’ Aksion i bukur i nisur nga Bashiru majtë te Morina zonë i cili e qet jashtë majtë te Mankenda e ky e kthen apo i devijohet topi deri te Boshnjaku i cili nga 25 metra pozitë ballore gjuan rrëmbyeshëm dhe iu deshtë mjaft mund Ruxhit që ta prekte topin e të dilte mbi tra e në këndore.

Lorik Boshnjaku

59’ Khalidi bukur e fut Korenicën në zonë nga e djathta që lufton fortë e qet portierin nga loja dhe ia kthen mjeshtërisht Morinës i cili e pabesueshme me plogështi thuajse ia dha topin njërit prej futbollistëve vendas që po e mbronte portën i vetëm pa portier. Ishte rasti më i mirë deri atëherë.

Meriton Korenica

Marjo Morina

60’ Gjysmëkontra e vendasve dhe pas harkimit nga e majta, Ajzeraj s’ia del të kthente topin me kokë në portë. Ishte mbase rasti më i mirë i vendasve.

61’ Vendasit sulmojnë nga e majta e Thaqi s’ia del ta dëbonte topin dhe mbyllet me gjuajtjen e Potokut, por e lartë.

62’ Bashiru harkon nga e majta e Khalid shkëputet e mbi duart e portierit Ruxhi e qëllon topin me kokë, ishte e lartë, por si veprim ishte mbresëlënës.

Khalid

Mankenda

73’ Mankenda udhëheq kundërzbritje të shpejtë dhe diku 25 metra ndalet palejueshëm nga Krasniqi i cili ndëshkohet me të verdhë. Kurse Korenica si mjeshtër i vërtet e kalon “murin e gjallë” dhe shënon gol në këndin e sipërm të majtë të portierit Ruxhi – 0:1.

Gola

81’ Thaqi në momentin e fundit ia largon topin nga këmbët Ajzerajt, ishte ndërhyrje për t’u vlerësuar.

Armend Thaqi

85’ Harkim nga vendasit prej të majtës, Bashiru e largon deri para zonës nga Adzhoviç gjuan lartë.

86’ Thaqi e harkon këndoren e djathtë e Arago nga “e dyta” gjuan jashtë rrethojave të stadiumit.

87’ Kundërzbritje e shpejtë dhe në fund Ergyn Ahmeti nga pothuajse mesi i fushës si me dorë e gjen Korenicën të majtë që me shpejtësi të madhe po depërtonte dhe sapo futet në zonë me gjuajtje të ulët, të fortë, të saktë, e vendos rezultatin përfundimtar të ndeshjes – 0:2.

89’ Harkim nga këndorja e majtë, ndërsa nga shtylla e parë provon me kokë Topalli, por jashtë.

Deklaruan:

Mirel Josa: Mos mendoni se ndeshja ishte shumë e thjeshtë për vetë faktin e nivelit që ka treguar skuadra e Ballkanit gjatë gjithë kësaj periudhe, qoftë edhe në javët e fundit të kampionatit që ka marrë pikë të rëndësishme. Gjithashtu ne kemi vuajtur në ndeshjen e parë në këtë fushë që nuk ishim shprehur ashtu siç duhej dhe Ballkani ka qenë më këmbëngulës, por ne atëherë nuk kishim pritshmërinë që të zgjidhnim ndeshjen e parë se s’bënë. Ne patëm sot qarkullimin e topit, por patëm problem se si të presonim kundërshtarët duke i dhënë pak hapësirë Ballkanit, por që nuk u shfrytëzuan nga ta. Pjesën e dytë themi se ishim më këmbëngulës përpara, kishim presion më të drejt sa i përket mënyrës se si ne u akorduam me njëri tjetrin për të shkuar në presion kundërshtarit dhe erdhi momenti që shënuam dy gola e ku goli i parë na dha shumë hapësira, sepse edhe Ballkani u hap për ta barazuar rezultatin dhe u shënua goli i dytë. Do të vazhdojmë punën, kurse lufta për titull do të vazhdonte edhe çfarë do rezultati të dilte sot. 

Meriton Korenica: Pikë shumë të rëndësishme për ecurinë tonë. E rëndësishme janë tre pikët, kurse golat më japin kënaqësi dhe më bëjnë të lumtur që e ndihmuan ekipit t’i marrë këto pikë. Duam të vazhdojmë kështu deri në fund, pasi që në futboll gjithçka është e mundur, kemi ekip shumë të mirë dhe pse jo të shpallemi kampion. 

Sami Sermaxhaj, kryetrajner i Ballkanit:  Mënyra se si pësuam humbje është pak e dhimbshme për arsye se edhe pse Prishtina pati qarkullim më të madh të topit, mirëpo nuk arriti të krijonte raste të pastra. Kurse nga gabimet tona ne në pjesën e dytë ne i dhuruam dy raste dhe me sulme të shpejta na penalizuan e kurse goli nga gjuajtja e lirë ishte i mrekullueshëm dhe vështirë i evitueshëm. Zakonisht ekipet që kanë përvojë nuk iu duhet më shumë raste, ne krijuam dy herë hapësira dhe na dënuan.