Lajme

Java XXIX: Prishtina – Llapi

Java XXIX: Prishtina – Llapi

Prishtinën vetëm fitorja e mban në luftë për Evropë

Prishtinë, 6 maj, 2017 – Pa marrë parasysh se si po zhvillohet kampionati, ndershëm apo pa ndershëm, Prishtina e ka rrugën e vetë, do të luftoj deri në fund për reputacion, për fitore, e cila është e vetmja rrugë për të shpresuar që dërgon, disi, në Evropë.

Pra, ndeshja me Llapin është jetike. Megjithë mungesa e shumta, si të suspenduarve, Dallku e Leci, të lënduarve, Muqiqi, Januzi e Begolli, Prishtina nuk ka alternativë tjetër përveç fitores. Skuadra, djemtë bardhekaltër janë të bashkuar, sepse janë të vetëdijshëm që vetëm në këtë mënyrë mund të luftohet kundër padrejtësive!

Java XXIX:

Prishtina – Llapi

E diel, 7 maj – ora: 16.00

Stadiumi: “Agron Rama”, Kastriot

Gjyqtarë: Gramos Shala (Pe),  Ali Peshteri (Pe), Imran Kabashi (Mt) - Isak Ceroviku (Mt)

Drejtpërdrejt: Supersport Kosova, Radio Kosova

Thaqi: Kemi shumë mungesa, por kemi gjetur alternativat dhe presim fitoren e radhës

“Normalisht, Llapin si ekip e respektojmë. Megjithëse kemi mungesa të mëdha në përbërje, dy mbrojtësit, Dallku e Leci, Januzi që ndodhet ende jashtë fushës, po ashtu Begolli vazhdon të mungojë, si dhe portieri Muqiqi. Pra, shumë mungesa të formacionit bazë. Por, ne kemi punuar gjatë tërë javës që t’i kompensojmë këto mungesa. Prishtina është klub i madh dhe ish dashur të gjej alternativa dhe unë mendoj që i kemi gjetur alternativat dhe normalisht presin fitoren e radhës dhe pastaj të presim në mesjavë ndeshjen me Lirinë”, ka thënë kryetrajneri, Arsim Thaqi. 

Curri: Ndeshje e vështirë e me mungesa, por me angazhim maksimal do t’ia dalim

“Është ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe na duhet edhe për vazhdimësi të rezultateve pozitive. Por, edhe pse do të jetë shumë vështirë, edhe pse kemi mungesa, do të tentojmë t’i zëvendësojmë në mënyrën më të mirë dhe nëse angazhohemi sikurse në ndeshjet e kaluara atëherë do të fitojmë edhe tre pikë jetike”, ka thënë Debatik Curri.