Lajme

Java XXV: Prishtina – Trepça 2-1

Java XXV: Prishtina – Trepça 2-1

Prishtina ka humbur jashtëzakonisht raste tjera

Prishtina - Trepça

Kastriot, 8 prill, 2017 – Prishtina me kryetrajnerin Arsim Thaqi nga tre ndeshje i fiton të gjitha. Kundër rivalit më të madh, edhe pse rezultati i ngushtë, Prishtina e ka dominuar si me lojë dhe me shifra të frikshme, 20 gjuajtje me 1, 16 kornerë me 1. Dhe në fund me shumë mund u shënua goli i dytë nga Mergim Pefqeli së i sjell Prishtinës edhe tre pikë të reja dhe tani ndodhet vetëm një pikë larg vendit të dytë, Feronikelit.

Prishtina ndeshjen e ardhshme e zhvillon në fundjavë kundër Hajvalisë në Kizhnicë.

Java XXV

Prishtina – Trepça 2:1 (1:1)

Golat: Liridon Leci 26 (p), Mergim Pefqeli 70’ – Amir Prishtina 30’ (p)

Shikues: 300

Gjyqtarë: Mervan Bejtullahu (Gjl), Alban Ejupi (Pd), Armend Latifi (Pd) – Tefik Maloku (Pd)

KV: L. Leci, Sh. Kelmendi - A. Mustafa, M. Kamberi, L. Voca

Pozitat jashtë lojës: Pri 2-1 Tre

Kornerët: Pri 16-1 Tre

Gjuajtjet totale: Pri 20-1 Tre

Gjuajtjet në portë: Pri 8-1 Tre

Prishtina (4-3-3): 1. Alban Muqiqi – 22. Lorik Maxhuni, 4. Armend Dallku /c/, 13. Liridon Leci, 18. Gentrit Dumani – 6. Debatik Curri (16. Genc Hamiti – 74’), 7. Lorik Boshnjaku (9. Shend Kelmendi – 62’), 8. Endrit Krasniqi – 77. Mergim Pefqeli, 15. Gauthier Mankenda (10. Gentrit Begolli - 83’). Zëvendësues: Visar Bekaj, Agon Xhaka, Liridon Kukaj, Arbër Hoxha. Kryetrajner: Arsim Thaqi.

Trepça: 12. Petrit Tahiri – 15. Edmond Hajdari, 23. Amir Prishtina, 24. Milot Kamberi, 17. Jon Katanolli (11. Samir Sahiti – 46’), 10. Liridon Voca /c/, 70. Ardian Neziri, 18. Ergyn Ahmeti, 14. Arben Mustafa (22. Bajram Zuqaku – 64’), 6. Arbnor Muja (13. Pleurat Hajdini – 46’), 7. Enis Zabërxha. Kryetrajner: Fidaim Haxhiu.

Armend Dallku

Komenti:

Nuk mbahet në mend që Prishtina të ketë krijuar aq shumë raste sikurse sot. Aq shumë raste të humbura i shtohet edhe penalltia e mbrojtur nga portieri mysafir të cilën e gjuajti Leci. Por, dominimi ishte i tërësishëm dhe vërehej qartë se me të gjitha ato raste të humbura goli do të vinte, sepse presioni dhe atakimi drejt portierit Tahiri ishte jashtëzakonisht i madh dhe çdo dalje e bardhekaltërve përpara, pothuajse krijohej rast. Sidoqoftë, sikurse edhe dy ndeshjet tjera, Prishtina i fitoi me rezultat identik 2:1. “Xehtarët” në tre përballjet e sivjetme me bardhekaltrit, me gjithë humbjet, janë treguar shumë “arrë e fortë” duke rezistuar maksimalisht dhe mesiguri humbjet e tyre kanë qenë si mangësi e cilësive përball shumë cilësive të bardhekaltërve. 

Basit Abdul Khalid

Minutë pas minute:

4’ Pefqeli nis rastet e humbura në këtë ndeshje. Mesfushori sot luajti në krah të majtë dhe pas një topi të dhënë nga e djathta gjuajti furishëm, por pak mbi tra.

7’ Rivënie këndore e ushtruar, e nisur nga Krasniqi e kthyer për Dallkun harkim i tij, gjuajtje e Pefqelit me kokë, sërish mbi kuadrat.

21’ Leci nga e majta e shërben në qendër Mankendën që gjuan direkte, jashtë.

25’ Arben Mustafa e ndal duke e kapur me dorë Endrit Krasniqin. Gjyqtari jashtëzakonisht i mirë Mervan Bejtullahu gjykon në pikën e bardhë.

26’ Liridon Leci shënon nga pika e bardhë dhe vrapon e feston sëbashku me fotografin e klubit – 1:0.

Liridon Leci

29’ Ergyn Ahmeti del përpara nga e djathta dhe si me dorë e gjen Zabërxhen që tenton të dërgoj top në zonë, por ndalet në dorën e Lecit dhe sërish gjyqtari Bejtullahu pa u hamendur gjykon penallti, por tani për mysafirët.

30’ Nga pika e bardhë shënon Amir Prishtina dhe vrapon drejt bankinës së tij duke ndarë gëzimin me ta – 1:1.

30’ Tenton Krasniqi nga 16 metra, e lartë.

32’ Boshnjaku harkon nga këndorja e majtë, Pefqeli gjuan me kokë e qëllon traversën.

Lorik Boshnjaku

40’ Boshnjaku provon gjuajtjen, por e plogësht, pa problem portieri Tahiri.

47’ Boshnjaku nga e majta harkon prej ndërprerjes, topi del para portierit, Dallku i vetëm nuk ia del t’ia ndërroj drejtimin topit.

Prishtina - Treça 2:1

59’ Curri gjuajtje e bukur nga 30 metra, por edhe më bukur portieri Tahiri intervenon nën traversë, këndore.

Debatik Curri

59’ Endrit Krasniqi harkon nga këndorja e majtë. Kapiteni mysafir Voca e prek me dorë, por sot gjyqtari Bejtullahu nuk fal asgjë që sheh. Penallti sërish për Prishtinën.

59’ Sërish Liridon Leci, por tani portieri Petrit Tahiri e pret dhe dëbon në këndore.

60’ Kundërzbritje e bukur me shumë pasime, mbyllet me gjuajtjen e Boshnjakut, e plogësht, jashtë.

60’ Edhe Mankenda provon nga e majta, pak më e fortë, por njëjtë e pasaktë.

63’ Gjuajtja e fortë e Khalid nga 16 metra devijohet dhe përfundon skaj pingules, këndore.

63’ Tani edhe Leci provon me kokë, e lartë.

Endrit Krasniqi

64’ Krasniqi e harkon këndoren, Leci gjuan me kokë, pret portieri Tahiri.

68’ Kelmendi e qet Pefqelin para portës, gjuan lartë, e pabesueshme, topi sikur nuk donë të hyjë në portë.

68’ Sërish Pefqeli nga 16-18 metra, devijohet, këndore.

70’ Endrit Krasniqi harkon nga këndorja e djathtë, Mergim Pefqeli në shtyllën e parë kërcen më së larti dhe e tund rrjetën me kokë. Vrapim i gjatë i tij për të festuar me anëtarin e bordit, Afrim Muqiqi – 2:1.

Mergim Pefqeli

80’ Sërish rrezikon Mankenda, por i pafat, nga e majta gjuan, mbi tra.

81’ Aksion i mirë, përfundon me gjuajtjen ballore të Khalid, e kap portieri Tahiri.

82’ Dallku nga mesfusha me diagonale të saktë për Mankendën majtë, driblon dy futbollistë dhe me gjuajtje të ulët dinake rrezikon, por topi përfundon jashtë pingules tjetër. 

Deklaruan:

Arsim Thaqi, kryetrajner i Prishtinës: Kjo ndeshje pak a shumë tregoi se në këtë ligë nuk ka ekipe të dobëta, e sidomos kur sot Trepça tregoi formë të mirë duke u angazhuar maksimalisht dhe duke na vënë në vështirësi. Por, edhe neve na shkaktoi problem në organizim të ndeshjes humbja e penalltisë duke mos shënuar edhe raste tjera. Unë jam jashtëzakonisht i kënaqur me fitoren e tretë dhe ecim tutje.

Mergim Pefqeli: Koha ideale për të luajtur futboll. Por, diçka nuk na eci krejtësisht mirë, ose ashtu siç na udhëzoj trajneri dhe doli ndeshje e vështirë. Filluam mirë duke shënuar, por shpejtë edhe pësuam. Pastaj edhe unë humba tre-katër raste, por nuk rreshta së kërkuari golin dhe në fund e falënderoj Zotin që shënova e që doli të ishte gol i tre pikëve çka më gëzon jashtëzakonisht shumë dhe tani s’na mbetët tjetër veç të  vazhdojmë tutje. Normalisht për gjithçka e falënderoj ata që më përkrahur dhe klubin për rikthimin tim nga lëndimi.

Fidaim Haxhiu, kryetrajner i Trepçës: Nuk jemi dorëzuar ende. I kemi edhe tetë lojë dhe besoj se edhe neve diku do ta na prij fati, sidomos të fillojmë të shënojmë e të marrim pikë, shpresoj me ekipet direkte që luftojmë për ekzistencë. Edhe sot kundër një Prishtine të fortë krijuam dy-tre raste, por sikur po na mungon fati. Ne po luajmë më mirë jashtë se sa brenda dhe më gëzon fakti që edhe sot patëm paraqitje të mirë me futbollistë të ri që sot nuk e kalonte moshën mesatare prej 20-21 vjeç, por në pjesën e dytë u tërhoqëm edhe nga presioni i madh i një Prishtine të fortë me të cilën them se ne luajtëm bukur dhe kjo më jep shpresë në vazhdim të ndeshjeve.

Avni Durmishi