Lajme

Java XXV: Prishtina - Vëllaznimi 2:2

Java XXV: Prishtina - Vëllaznimi 2:2

Prishtina humbi dy pikë në dy minutat shtesë!

Pejë, 31 mars 2018 - Prishtina në minutën e 88-të kishte tre pikë të sigurta me rezultatin 2:0 që e kishte nga minuta e 86-të. Në minutën e 89-të u shkaktua penalltia prej nga ku në minutën e parë shtesë u ngushtua rezultati në 2:1, ndërsa dy minuta më vonë, në të 3-në shtesë, gjakovarët morën një pikë e Prishtinës ia shkëputen dy tjera - dy pikë që tani Prishtinën e len tre pikë më pak se lideri Drita.

Ishte kjo ndeshje që u përcoll me frymë të madhe dhe pengoi në masë zhvillimin normal të ndeshjes, e hijshme me prezencën e dy palë tifozëve, me pjesë të parë pa asnjë rast dhe me 4 gola e dy shtylla në pjesën e dytë.

Se Prishtinën nuk po e përcjell fati apo e ka kapur kriza, më së miri do ta shohim pas dy ndeshjeve të radhës, me Vushtrrinë për Kupë të mërkurën në Pejë dhe në fundjavë me Flamurtarin në Prishtinë për pikë.

Java XXV

Prishtina - Vëllaznimi 2-2 (0:0)

Golat: Gauthier Mankenda 47’, Ergyn Ahmeti 86’ - Besnik Krasniqi 90+1 (p), Lekë Vula 90+3’

Shikues: 1.000

Gjyqtarë: Tefik Maloku (Pd), Safet Berisha (Mt), Besnik Morina (Vu) - Isak Ceroviku (Mt)

KV: A. Dallku, M. Mazrekaj, Sh. Taipi - B. Krasniqi, K. Gashi

KK: P. Osmani (min. 90’)

Prishtina: 12. Visar Bekaj - 88. Përparim Osmani, 4. Armend Dallku /c/, 6. Debatik Curri, 3. Jamal Arago - 20. Shqiprim Taipi, 21. Blend Baftiu (7. Lorik Boshnjaku - 64’), 29. Drashko Bozhoviç (66. Ergyn Ahmeti - 81’) - 15. Gauthier Mankenda, 10. Mentor Mazrekaj (17. Arbër Hoxha - 84’), 27. Ahmed Januzi. Zëvendësues: Alban Muqiqi, Abdul Bashiru, Mergim Pefqeli, Basit Abdul Khalid. Kryetrajner: Mirel Josa.

Vëllaznimi: 31. Altik Muhaxhiri - 2. Besnik Krasniqi, 5. Alban Dragusha /c/, 6. Ilir Syla, 25. Asare Richard, 7. Lorik Rudi (23. Flamur Bajrami - 60’), 18. Kushtrim Gashi, 22. Burim Qorri, 17. Jeton Dushi (14. Lekë Vula - 79’), 9. Dardan Rogova, 16. Henry Chibueze. Kryetrajner: Arsim Gojani.

Komenti:

Prishtina nuk ia doli të mposhte Vëllaznimin që sot nuk ishte as hija e atij para disa jave në Gjakovë, e cila pati disavantazhin prej 2:0 dhe ia doli të barazonte. Se çfarë po ndodh me këtë ekip të Prishtinës është e pabesueshme, e pafat, me shumë gabime të cilat edhe i kushtuan. Sidoqoftë distanca me tre pikët përpara nga Drita nuk është e paarritshme, por brenga më e madhe mbetët forma shumë e luhatshme e pothuajse e të gjithë futbollistëve.

Minutë pas minute:

2’ Krasniqi gjuan nga jashtë zona, topi prek një futbollist prishtinas e merr drejtim të rrezikshëm nga fryma, por Bekaj e kap topin.

5’ Pas disa pasimeve të suksesshme, Mazrekaj merr top brenda zonës dhe pak nga e djathta ia del të gjuaj, por jashtë.

18’ Prishtina kërkon penallti, pretendohet prekje me dorë nga mbrojtësi Asare.

25’ Curri top të gjatë për Baftiun i cili pothuajse te korneri i majtë provon të paraballonte portierin Muahaxhiri që lëshoi portën, por gjuajtja e pasaktë, jashtë.

32’ Rasti më i mirë në pjesën e parë, e nisur nga Mazrekaj majtë te Mankenda para zonës që ia shtyn Januzit që e kalon një mbrojtës i cili edhe e pengon paksa, por sulmuesi nuk rrëzohet dhe gjuajtja e tij nga afër ndalet prej portierit Muaxhiri që tani më ishte i vendosur mirë.

41’ Besnik Krasniqi e ndal në aksion të rrezikshëm Aragon. Krasniqi kishte një karton të verdhë, por gjyqtari më i dobti në Superligë, Tefik Maloku, nuk e përjashton atë, por për protesta i ndeshkon Mazrekajn e Dallkun.

44’ Gabon Taipi para zonës e gjakovarët me tre pasime të sakta vijnë deri te Krasniqi që pak nga e majta para zonës gjuan lartë.

47’ Prishtina e nis furishëm pjesën e dytë e cila u shpagua. Mankenda lufton fortë e merr topin dhe me pasim kthyes nga Januzi futet në zonë e gjuan saktë në këndin e majtë - 1:0.

49’ Osmani nga e djathta, topi i shtyrë nga fryma e rrezikon Muhaxhirin që e dëbon mbi këndore. Mazrekaj nga e majta e harkon këndoren në shtyllën e parë, reagim i ngathtë i portierit Muhaxhiri që e lëshon topin e Mankenda e shtyn topin, por qëllon pingulen.

65’ Vëllaznimin nuk e pengon fryma, ashtu siç u pretendua se e pengonte Prishtinën në pjesën e parë dhe Qorri nga para zona gjuan e qëllon pingulen e majtë.

71’ Taipi merr një top, bashkëvepron me Januzin dhe gjuan ballore nga jashtë zona, jashtë.

72’ Chibueze një-me-një me Dallkun i cili me një lëvizje i ikën anash, e gjuan rrëmbyeshëm, por Curri mbinë si nga toka me një “sparkatë” e ndal këtë gjuajtje që do të ishte shumë e rrezikshme.

75’ Taipi provon nga ndërprerja prej largësisë, drejt në portier.

86’ Arbër Hoxha lufton fortë në vijë të këndores nga e majta me Besnik Krasniqin të cilit i ikën dhe ia vazhdon në pozitë ideale ballore Ergyn Ahmetit që pa vështirësi shënon për 2:0.

89’ Ilir Syla nga e djathta kalon një pas një futbollistët prishtinas pastaj e vazhdon majtë kur dikush nga gjakovarët gjuan në portën e zbrazët, e Përparim Osmani e ndal me dorë për çka përjashtohet direkt me të kuq.

90+1’ Besnik Krasniqi i saktë nga pika e bardhë - 2:1.

90+3’ Tjetër ndërprerje, gjakovarët e nisin shkurtë, pastaj krosojnë në zonë, Ergyn Ahmeti nuk ia del të pastrojë dhe Lekë Vula nga afërsia shokon Prishtinën dhe çmend nga gëzimi adhuruesit e klubit të vetë.

Deklaruan:

Mirel Josa:
Thjeshtë hymë në presion pa pikë arsye për faktin sepse do të ishim treguar të kujdesshëm qoftë në fuallat që bënte kundërshtari, qoftë në zbritjet e kundërshtarit të dublim, sepse ne e kthyem pastaj në 4-4-1. Normal, janë gjëra që ndodhin në futboll, nuk dua të fajësoj futbollistët. Thjesht duhet vazhduar punën për të ardhmen. E ky është problemi më i madh dhe duhet të jemi shumë gati që nuk duhet të futemi në presion nga momenti që aty është një pasim diagonal dhe aty mund të heqet topi shumë mirë, se s’ka pse e ndalon topin në zonë të rreptësisë. 

Arsim Gojani:
Nëse e shohim lojën në tërësi, mendoj se ishte një ndeshje shumë e barabartë. Prishtina shënoi dy herë falë aftësive dhe vetive të mira individiuale të futbollistëve që ka. Por, ne prapë se prapë nuk u dorëzuam dhe luftuam deri në fund dhe mendoj se ky rezultat është pasqyrë reale se çfarë u pa në fushë.