Lajme

Java XXVI: Ferizaj - Prishtina 0-2

Java XXVI: Ferizaj - Prishtina 0-2

Korenica (29’) e Thaqi (79’) thyen edhe Ferizajn


Ferizaj, 8 prill 2019 – Ferizaj deri sot ishte skuadra e vetme e pamposhtur nga 11 rivalët e Prishtinës në këtë kampionat. Pas dy barazimeve pa gola, më në fund ra edhe Ferizaj edhe atë në fushën e vetë. Prishtina ishte bindëse dhe mëkat që nuk fitoi me rezultat edhe më të lartë, sepse rastet i kishte. Megjithatë mjaftuan dy gola dhe vazhdon marshimi i bardhekaltërve të cilët para ndeshjeve më të vështira e pret KEK-un në fundjavë, pastaj fillojnë duelet me 6-skuadrat e para të tabelës.


Java XXVI:

Ferizaj – Prishtina 0-2 (0-1)

Golat: Meriton Korenica 29’, Armend Thaqi 79’

Shikues: 400

Gjyqtarë: Mervan Bejtullahu (Gjl), Elvis Bicaj (Is), Driton Preniqi (Ob) – Bardh Ajeti (Mt)

KV: V. Kuka, E. Shabani – V. Bekaj

Pozita jashtë lojës: Fer 0–4 Pri

Kornerët: Fer 0–5 Pri

Gjuajtjet: Fer 2–8 Pri

Gjuajtjet në portë: Fer 1–4 Pri

Ferizaj (4-3-3): 12. Armend Blakqori – 4. Veton Shabani, 62. Viktor Kuka, 6. Maringlen Shosha, 77. Arbër Mone, - 15. Mirsad Idrizi /c/ (96. Armend Aliu - 53’), 10. Egzon Gashi, 22. Qendrim Dautaj, - 7. Durim Gashi (17. Ermal Krasniqi - 68’), 11. Dren Gashi, 95. Husein Demiri (55. Kenan Orana - 62’). Kryetrajner: Bylbyl Sokoli.

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 2. Armend Thaqi, 4. Armend Dallku /c/, 8. Ahmet Haliti, 13. Abdul Bashiru – 5. Diar Miftaraj, 21. Argjend Mustafa (7. Lorik Boshnjaku - 80’), 18. Ergyn Ahmeti – 15. Gauthier Mankenda, 10. Meriton Korenica (77. Mergim Pefqeli - 71’), 27. Marjo Morina (9. Basid Khalid - 74’). Zëvendësues: Alban Muqiqi, Donat Hasanaj, Leotrim Bekteshi, Jamal Arago. Kryetrajner: Mirel Josa.

Komenti:

Prishtina sot doli në fushë me vetëm një ndryshim nga ndeshja e fundit me Lirinë, ishte Mustafa në mesfushë në vend të Aragos. Pra, skuadra luajti me të njëjtën qasje dhe koncept si në 3 ndeshjet e fituara me 2-3 gola epërsi e pa pranuar gol.

Ishte sërish forma e lartë e Korenicës i cili vetë nisi aksionin dhe vazhduar me dyshen tjetër të sulmit, Morina dhe asisti i bukur i Mankendës që ç’bllokuan ndeshjen.  Pastaj ishte më  i lehtë menaxhimi i ndeshjes dhe skuadra po të shënonte Mankenda -  njëjtë me pasimet e dy sulmuesve tjerë, Korenica – Morina, do ta kishte edhe më të lehtë.

Por, u deshtë mjeshtëria e Armend Thaqit që nga gjuajtja e lirë të vendos fituesin e ndeshjes e pastaj në fund të takimit, ishte sidomos Pefqeli në dy situata të pastra shënimi e që rezultati do të ishte edhe më i thellë.

Minutë pas minute:

15’ Thaqi e harkon goditjen e dënimit nga e djathta, Dallku mbetët me një futbollist dhe portën e boshatisur nga portieri, por kapiteni prishtinas nuk ia del të qëlloj topin me kokë, kurse prapa shpinë Shabani po e mbante me të dy duart Korenicën, por gjyqtarët nuk e panë rastin.

23’ Presing i lartë para zonës vendase,  Korenica nga e majta e vazhdon te Mankenda ballore 20 m. i cili mund të bashkëvepronte edhe me Morinën edhe me Korenicën, por vendosi të gjuaj me të parën dhe e lartë.

25’ Superaksion i Miftarajt majtë te Ahmeti e ky te shtylla e parë për Korenicën që në momentin e fundit i largohet topi në këndore nga vendasit.

29’ Korenica merr top nga mbrojtja në mesfushë ia kalon Morinës ky Mankendës dhe Korenica me vrapim vetëm kishte mbërri në zonë çka pasimi i Mankendës i mundësoi dalje të pastër ballore dhe nga 14 metra shënon në këndin e majtë. Goli i 11-të kampional i Korenicës – 0:1.

35’ Kundërzbritje e nisur në fushën e tyre, bije Miftaraj dhe topin e vazhdojnë deri te zona, më konkret ishte Dautaj i cili e shtyn majtë te Dren Gashi dhe nga afërsia gjuan drejt në portierin e pozicionuar mirë Bekaj. Prishtina shpëtoi e ky mbeti rasti i vetëm i mirë i vendasve.

48’ Dallku diagonale te zona ku ndodhet Morina i cili tentoj me gjuajtje pa prekur fare topi në tokë, por s’u befasua portieri vendas.

60’ Korenica manovron majtë e gjen Morinë dhe pas pasimit të dyfishtë e qet Mankendën mbrapa shpinës së mbrojtjes vendase dhe përball portierit, por Mankenda gjuan plogësht e drejt në portier, ishte rast për ta mbyllur ndeshjen.

70’ Gashi ikën nga e majta provon pasimin në zonë, e nuhat e ndal Bekaj.

79’ Pas pasimit nga e majta e Khalid dhënë për Mankendën njëri nga futbollistët vendas e ndal me dorë. Janë 25-metra, por për Armend Thaqin asgjë, e kalon murin dhe e drejton topin aty ku puliten traversa dhe pingulja – 0:2, perlë e vërtet e Thaqit për golin e tij të 3-të kampional.

81’ Khalid e gjen si me dorë Pefqelin i vetëm me portier dhe çka nuk shënon Pefqeli e pabesueshme, e prek pak portierin e jashtë, këndore.

86’ Dallku bukur te Boshnjaku djathtë e ky edhe më bukur para portës për Pefqelin i cili ngatërrohet me top nuk ia doli të gjuante.

90’+1 Mankenda merr top e nga parazona gjuan, por jashtë.

90’+1 Gashi vendas provon, por e lartë. Dy tentimet e Ferizajt i dedikohen ish-futbollistit prishtinas. 

Deklaruan:

Mirel Josa: Kur e fiton një ndeshje kundër një skuadre e cila lufton për mbijetesë e cila fundja fundit e dha qindpërqindëshin e vet dhe normal edhe ne jemi për të vazhduar rrugën tonë që kemi nisur për titull, pra mund të them që ishte ndeshje e vështirë duke e parë nga aparenca përpara ndeshjes, ndërsa duke e pasur parasysh se si u zhvillua loja në përgjithësi jemi rrezikuar vetëm një herë. Dhe ishte normale, sepse ne gjatë gjithë kohës e kishim topin në zotërim, por do të duhej të ishim pak më tepër efikas, por nuk do të thotë që të gjitha rastet shënohen. Po flas për disa raste të pjesës së parë të cilat nuk i zhvilluam ashtu siç duhet aksionet, për sa i përket kapjes së hapësirave të kundërshtarit. Në përgjithësi jam i kënaqur nga mënyra e zhvillimit të lojës, nga mënyra se si lojtarët u impenjuan. Tani na mbetët të përqendrohemi në ndeshjen tjetër me KEK-un e cila pavarësisht pozitës së saj djemtë e saj do të kërkojnë të luajnë futboll dhe me shpreh aftësitë e tyre.   

Meriton Korenica: Po vazhdoj formën e mirë bashkë si ekip dhe po i ndihmojmë njëri-tjetrit dhe normalisht që pastaj golat po vijnë më lehtë. Por, e rëndësishme, apo, shumë e rëndësishme është që morëm tre pikë. Ndërsa, lëndimi nuk është serioz, por e ndjeva një shtrëngim mbrapa e që vazhdoi të më përsëritet dhe nuk munda më të vazhdoja t’i ndihmoja ekipit, por gjithçka tjetër është në rregull nuk na ndonjë rrezik.

Bylbyl Sokoli, kryetrajner i Ferizajt: E kemi ditur që do të jetë vështirë, megjithatë goli i parë i pësuar ishte gabim në mbrojtjen tonë. U munduam që të rezistonim gjatë tërë kohës duke i përforcuar pjesët tona aty ku Prishtina është më e rrezikshme, sidomos nga ana e djathtë ku Prishtina depërton dhe ka pjesën dërmuese të shënimeve. Por, gabuam në anën e majtë faktikisht, sepse kundërshtari është shumë më cilësor. Ne do të mundohemi të nxjerrim maksimumin nga ky ekip dhe krejt lufta jonë është të mbesim në barazh.