Lajme

Java XXVI: Flamurtari – Prishtina 0-2

Java XXVI: Flamurtari – Prishtina 0-2

Prishtina kreu detyrën me golat e Arago e Khalid

Prishtinë, 9 prill 2018 – Moti s’kemi parë ndeshje më të dobët, e mbase edhe më e dobëta e kampionatit, por sot luhej vetëm për tre pikë dhe ky kusht ishte për të dy skuadrat. Vendasit për ekzistencë dhe Prishtina për të mos lënë të ikte Drita më shumë se tre pikë. Thjeshtë, fusha ishte e tmerrshme dhe gëzon fakti që bardhekaltrit ditën të gjenden në ato kushte dhe t’i rikthehen fitoreve në kampionat pas tre ndeshjeve pa fituar.

Prishtina si vendase ndeshjen e javës XXVII e zhvillon të shtunën me Besën në Pejës nga ora 15:00.

Java XXVI

Flamurtari – Prishtina 0:2 (0:1)

Golat: Jamal Arago 14’, Basit Abdul Khalid 87’

Shikues: afër 500

Gjyqtarë: Mervan Bejtullahu (Gjl), Visar Kelmendi (Pe), Gzim Mehmeti (Mt) – Isak Ceroviku (Mt)

KV: Rr. Statovci, G. Ahmeti, S. Sahiti – A. Bashiru, L. Maxhuni, A. Januzi

Pozita jashtë lojës: Fla 2-2 Pri

Kornerët: Fla 6-3 Pri

Gjuajtjet totale: Fla 1-5 Pri

Gjuajtjet në kuadrat: Fla 0-4 Pri

Flamurtari: 1. Besnik Shehu – 2. Rron Statovci, 4. Veton Kabashi /c/, 5. Granit Ahmeti, 11. Almir Ajzeraj, 19. Shqipdon Ademi (3. Oscar Vicente Mendes – 66’), 10. Azem Ahmeti (22. Samir Sahiti – 52’), 16. Ardi Shala, 7. Mërgim Boshnjaku, 8. Veton Shabani, 17. Alban Shillova (9. Emir Rama – 77’). Kryetrajner: Gajur Rexhepi.

Prishtina: 12. Visar Bekaj – 22. Lorik Maxhuni, 4. Armend Dallku /c/, 6. Debatik Curri, 13. Abdul Bashiru – 20. Shqiprim Taipi (21. Blend Baftiu – 75’), 3. Jamal Arago (7. Lorik Boshnjaku – 71’), 29. Drashko Bozhoviç (9. Basit Abdul Khalid – 85’) – 17. Arbër HoxhaM, 15. Gauthier Mankenda, 27. Ahmed Januzi. Zëvendësues: Alban Muqiqi, Mërgim Pefqeli, Diar Miftaraj, Liridon Fetahaj. Kryetrajner: Mirel Josa.

Komenti:

Prishtina edhe sot vazhdoi të kishte problem në mungesa. I suspenduar për ndeshjen e dytë – të fundit e kishte Osmani, ndërsa i lënduar Ahmeti. Edhe Mazrekaj e ngacmoi një lëndim të pësuar dre në stërvitje, ndërsa pati probleme gjatë ndeshjes dhe u zëvendësua Taipi, ndërsa sot për herë të parë nga lëndimi si zëvendësues u kthye Miftaraj.

Ndërsa, për ndeshjen, aq e beftë ishte sa pjesa e parë përfundoi me vetëm dy gjuajtje në portë edhe ato nga Prishtina njëra prej cilës u shndërrua në gol. Ishte Jamal Arago që pas tetë ndeshjeve kampionale ka shënuar golin e tij të parë, ndërsa ishte asistimi i 8-të kampional i Bozhoviç.

Pjesa e dytë ishte diçka më e luftuar, por sërish pa raste, sidomos vendasit gjuajtën veç njëherë jashtë, kurse megjithatë Prishtina pati edhe tre tentime tjera nga njëra prej kur edhe shënuan golin e sigurisë nëpërmjet Khalid që s’kishte 2 minuta që ishte aktivizuar pas asistimit apo shtyrjes me kokë topit përpara nga Januzi (asistimi i tij i dytë kampionat), ndërsa Khalid shënon gol në dy ndeshje rresht pas atij me Vushtrrinë dhe tani ka arritur në golin e 4-të sezonal, por vetëm i 2-ti kampional.

Sidoqoftë, sot futbollistët e patën parasysh se fitorja duhet arritur me çdo kusht, pa zgjedh ndonjë lojë të mirë e që edhe ashtu ishte e pamundshme .

Duhet theksuar se thuajse asnjëherë deri këtë vit nuk ka ndodhur që Prishtina nga katër përballje – në të gjitha ta mposht Flamurtarin, edhe atë tre herë në fushën e saj, por edhe duhet pranuar se pas luftës asnjëherë Flamurtari nuk ka qenë më i dobët se në këtë edicion.

Prishtinës i kanë mbetur deri në fund edhe 7 ndeshje kampionale, nga të cilat edhe 4 i luan si vendase (Besa, Llapi, Gjilani dhe Drita) dhe 3 si mysafire (Vllaznia, Feronikeli dhe Liria).

Minutë pas minute:

10’ Arago me një gjuajtje të lehtëpranë zonës sikur e paralajmëron portierin vendas që në gjuajtjen e dytë do ta mposhte, kësaj here Shehu se pati problem të kapte topin.

14’ Top i gjatë nga mbrojtja, me gjasë ishte kapiteni Dallku që e nisi një ndërprerje, ndërsa Bozhoviç me dinakëri ia vazhdon Jamal Arago i cili posa ikën krejtësisht pak nga e majta dhe dikur përreth zonës gjuan saktë në këndin e majtë të portierit vendas, ndërsa topi më parë depërtoi ndërmjet këmbëve të mbrojtësit vendas dhe 0:1.

45+2 Kaq kishte nga pjesa e parë e varfër e cila i vazhdua për dy minuta.

64’ Sot Mankenda nja katër herë doli nga e djathta, por të gjitha tentimet e tij ishin të pasuksesshme, ndërsa kësaj radhe gjuajti nga distanca direkte, megjithatë Shehu e kap topin.

86’ Mankenda pak nga e djathta brenda zonës, provon me gjuajtje “banane” këndin e kundërt, por topi del mbi tra, jashtë.

85’ Mendes, nga e djathta mjaft kërcënueshëm gjuan, por i pasaktë dhe jashtë pingules së dytë.

87’ Sërish top i gjatë nga mesfusha, tani Januzi me mjeshtëri ia vazhdon sulmuesit Khalid, e që bardhekaltrtit nga hyrja e tij në fushë nga 4-3-3 u rreshtuan në 4-4-2, ikën e del para portierit pak nga e djathta dhe gjuan fortë e jo aq lartë, ndërsa topi edhe pse shkoi pranë portierit nuk pati asnjë mundësi të priste me atë shpejtësi. Ndeshja me këtë gol mori epilogun e saj 0:2.

Deklaruan:

Mirel Josa: Ne fitoret edhe në të kaluarën aty i kemi pasur, tjetër që kemi shpërdoruar nga përqendrimi që duhet të kishim. Sot jam i kënaqur me skuadrën, sepse u përshtat mjaft mirë terrenit e që nuk ka nevojë të flas unë se si ishte. Dhe, mos prisni lojë të bukura, sepse çdo skuadër lufton për pikë. Çdo skuadër mundohet të mbrohet dhe të rrish në mbrojtje është shumë më e lehtë se sa të sulmosh. Të sulmosh në këto kushte të terrenit, vetëm futbollistët dhe unë e di. Mua më intereson që skuadra u kthye te fitorja dhe diferenca me Dritën nuk u rritë, sepse normalisht Drita me fitoren që bëri në Pejë e bënë diferencë 6 pikë, ne kishim ndeshjen një ditë më vonë, kështu që për mua ishte shumë e rëndësishme edhe nga ana psikologjike. 

Jamal Arago: Fitore shumë e rëndësishme, i duhej kjo Prishtinës, sepse kampionatit sa po i vije fundit po bëhet më i vështirë. Qëllimi ynë dihet, titulli i kampionit dhe ku ne zhvilluam ndeshjen mendoj të mirë taktike për të cilën ne po punojmë vazhdimit me trajnerët gjatë stërvitjeve. Jam shumë i gëzuar me golin tim të parë me fanellën e Prishtinës dhe besoj që do të vazhdoj të shënoj edhe gola tjerë dhe t’i afrohemi titullit sa më shumë.

Gajur Rexhepi, kryetrajner i Flamurtarit: Ne jemi në pozitë të keqe dhe për fituar duhet shënuar gola. Nuk po krijojmë shanse, nuk po shënojmë, në momente mirë po luajmë, por kur s’ka gola problem është. Ne po luajmë nën presion, edhe Prishtina njëjtë, por ne luftojmë për mbijetesë çka është më vështirë. Thjesht tre pikët duhet me i marrë dhe ato nuk merren vetëm me dalje në fushë, por duhet më besuar më shumë në vete. Ka ende edhe shumë lojë, ka ende edhe shumë pika për t’u fituar dhe ne duhet besuar.