
Java XXVI: Prishtina – Gjilani 0-0
Prishtina humbi penalltinë në minutën e 89-të
Prishtinë, 30 mars 2021 – Prishtina sot thjesht nuk ia doli të mposhte Gjilanin, e cila u tregua skuadër e mirë konform futbollistëve me cilësi që ka. Megjithatë ndeshjes së fortë e me shumë pak raste shënimi, një të tillë të artë e patën bardhekaltrit. Në minutën e 88-të brenda zonës u pengua Mici, ndërsa nga pika e bardhë penalltinë e Besnik Krasniqit priti portieri Koliçi (89’).
Përndryshe edhe Gjilani rrezikoi njëherë më seriozisht, qëlloi pingulen nëpërmjet Musollit (55’).
Prishtina sot pati mungesën e Zybës (grumbullim me Kosovën) dhe Shillovën e suspenduar me kartonë.
Prishtinës mund t’i peng këto tre pikët që do të afronin skuadrën në -2, por nuk do të ketë shumë kohë të vajtojë e të mbaj kokën mbrapa për ndeshjen e sotme, pasi që menjëherë të dielën e pret përballja direkte me pretendent për titull, me Ballkanin vendas.
Java XXVI
Prishtina – Gjilani 0-0
Gjyqtarë: Gramoz Shala, Alban Ejupi, Elvis Bicaj, Arben Halilaj
KV: Boshnjaku – Rapa, Veliu, Fustar, Nikaç
Pozita jashtë lojës: Pri 3-1 Gjl
Kornerët: Pri 7-0 Gjl
Gjuajtjet totale: Pri 10-3 Gjl
Gjuajtjet në portë: Pri 1-2 Gjl
Prishtina (4-3-3): 12. Ardit Nika – 2. Besnik Krasniqi, 5. Lumbardh Dellova, 28. Leotrim Bekteshi, 3. Gledi Mici – 7. Lorik Boshnjaku /c/, 88. Sabien Lilaj (8. Mergim Pefqeli – 81’), 10. Endrit Krasniqi – 23. Leonit Abazi (4. Tun Bardhoku – 69’), 15. Gauthier Mankenda (27. Albin Prapashtica – 69’), 9. Leutrim Kryeziu. Zëvendësues: Eglant Haxho, Erdin Dushi, Behar Maliqi, Enis Gavazaj. Kryetrajner: Zekirija Ramadani.
Gjilani: 30. Enea Koliçi – 2. Oltion Rapa, 3. Armend Halili, 7. Arbër Çyrbja (27. Shend Kelmendi – 74’), 9. Tomisllav Bushiç (21. Darko Nikaç – 62’), 11. Fiton Hajdari, 22. Muhamed Useini, 23. Besar Musolli (4. Ylber Kastrati – 86’), 29. Franc Veliu, 55. Ivan Fustar, 77. Gerhard Progni /c/. Kryetrajner: Ismet Munishi.
Rastet:
5’ Depërtim i vendasve nga e djathta, Besnik Krasniqi harkon ulët, Endrit Krasniqi nuk e mbërrin, por Abazi po, i cili nga pozitë mjaft e mirë gjuajti anash, intervenon Koliçi dhe këndore. Ishte ky ndër dy rastet e mira të Prishtinës.
13’ Mysafirët kërkojnë ndërhyrje brenda zonës së rreptësisë se vendasve.
40’ Progni tenton të befasojë nga distanca prej gjuajtjes së lirë, intervenon Nika.
49’ Çyrbja depërton nga e majta dhe rrezikshëm në drejtim të portës, e ndal duke intervenuar Nika.
55’ Aksion i mirë dhe rasti më i mirë i Gjilanit pas kombinimit nga krahu i djathtë të Bushiç e Musollit, ky i fundit qëllon shtyllën.
62’ Boshnjaku provon me gjuajtje ballore jashtë zone, jashtë.
66’ Dellova ndërprenë aksion, vazhdon përpara dhe e harkon në zonë para portierit, Endrit Krasniqi gjuan me kokë, por jo saktë, jashtë.
69’ Pasime nga e majta të Micit, Prapashticës e në fund E. Krasniqi gjuan lartë.
73’ Boshnjaku harkon nga e majta në shtyllën e dytë nga B. Krasniqi s’e qëllon topin mirë me kokë, jashtë.
74’ Prishtina intensifikon sulmet, E. Krasniqi gjuan jashtë.
87’ Bardhoku depërton nga e majta e gjen Prapashticën para zonës, gjuan lartë.
88’ Aksion i mirë i B. Krasniqit nga e djathta, e vazhdon te Pefqeli e ky te Endrit Krasniqi që e gjen Micin i cili pengohet në duel me dy futbollistë mysafir, penallti.
89’ Gjuajtjen nga pika e bardhë të Besnik Krasniqit e pret portieri Koliçi.
Deklaroi:
Zekirija Ramadani:
S’duhet t’ia lëmë fajin pushimit, por fajin gjithmonë duhet gjetur te vetja. Mendoj se na mungoi agresiviteti, ndoshta dëshira ishte, por jo në nivelin e duhur. Por, edhe ekipi i Gjilanit bëri punën e vet duke mos na lejuar të krijojmë raste e duke mos na lejuar ndoshta as të dalim në atë lojën tonë që e kemi standarde e në fund nuk realizuam as nga penalltia. Ishte derbi i vërtet, e fortë, ndeshje me pak raste, por me shumë luftë sportive. Më vije keq për rezultatin, jam i bindur që futbollistët dhanë maksimumin, por ky maksimum ishte në një nivel më të ulët se sa në ndeshjet tjera.
Lajme tjera