Lajme

Java XXVII: Prishtina – Gjilani

Java XXVII: Prishtina – Gjilani

Bardhekaltrit në kërkim të fitores së pestë rresht

Prishtinë, 21 prill, 2017 – Prishtina dhe Gjilani takohen nesër në “Agron Rama” pa shikues.  Prishtina kërkon revansh për humbjen në Gjilan (1:0) e cila ishte e para historike kampionale për të “bardhëkuqët” e Gjilanit. Por, po ashtu, të përzgjedhurit e kryetrajnerit Arsim Thaqi kërkojnë edhe fitoren e pestë rresht, që ende do t’i mbante shpresat gjallë për kampion dhe eventualisht për eventualisht vendin e dytë në klasifikim.

Prishtina mungesë do të ketë Gentrit Begollin i cili theu dorën në ndeshjen me Hajvalinë dhe sulmuesin Ahmed Januzi që ende nuk është rikthyer nga lëndimi, ndërsa të suspenduar nuk ka.

Java XXVII

Prishtina – Gjilani

E shtunë, 22 prill – ora: 15.00

Stadiumi: “Agron Rama”, Kastriot

Gjyqtarë Tefik Maloku (Pd), Alban Ejupi (Pd),  Visar Kelmendi (Pe) – Fatmir Tahiri (Mt)

Transmetim direkt nga Supersport Kosova

A. Thaqi: Gjilanin e respektojmë, por na duhet fitorja

“Edhe për këtë ndeshje kemi bërë përgatitjet e duhura gjatë javës për ta fituar si edhe ndeshjet tjera që i kemi fituar. Gjilani ka ekip që e respektojmë, por neve na duhet fitorja për të mbajtur ritmin e fitoreve dhe ritmin me skuadrat në krye”, ka thënë kryetrajneri, Arsim Thaqi.

L. Maxhuni: Skuadra ka krijuar karakter fitues, shpresojmë ta vazhdojmë

“Do të jetë ndeshje e vështirë pasi që Gjilani ka skuadër mjaft të fortë, por që edhe ne sigurisht që në ndeshje do të hyjmë vetëm për fitore.  Sidomos duke e parë ecurinë e ndeshjeve të fundit e ku skuadra ka filluar të shfaq karakter të fituesit, andaj shpresojmë që këtë ritëm të fitoreve do të vazhdojmë edhe në këtë përballje”, ka thënë mbrojtësi i djathtë, Lorik Maxhuni.

M. Neziri: Gjilanin e mirëpresim, por pikët do të mbesin te ne

“E mirëpresim Gjilanin, por mikpritja nuk do të ndodh duke i dhuruar pikë. Pikët e plota do të mbesin tek ne, sepse qëllimi ynë për një vend në garat evropiane nuk do të shihet deri në momentin e fundit”, ka thënë mbrojtësi majtë, Mergim Neziri.


Statistikat:

Do të jetë kjo përballja e 36-të e përgjithshme pas luftës

Prishtina dhe Gjilani takohen në kuadër të javës së XXVII të Vala Superligës.

Edhe pse Gjilani ndodhet në mesin e tabelës, gjithmonë përballjet e kësaj skuadre me Prishtinën janë interesante, të luftuara, por në shumicën e rasteve nga Prishtina të fituara.
Andaj, dy skuadrat, me përballjet antologjike të pas luftës, sidomos në dy prej tyre (pranverë 2000, e pranverë 2001), me numrin e shikuesve që kanë pasur prezent, Superliga e Kosovës zor që ndonjëherë do t’i kap sërish ato shifra.

Pra, rivaliteti i krijuar me ato dy edicione në garë të rreptë për titull, vazhdon t’i mbaj skuadrat në rivalitet të madh. Por, deri te ndeshja e fundit në Gjilan, ka qenë luftë e madhe që vendasit të arrijnë fitoren e parë historike kampionale të pasluftës dhe Prishtina që mos të mposhtej, Por, gjilanasit, më në fund me golin e Betim Haxhimusës (59’) pas më 17 viteve ia kishin dal.

Gjilani vetëm me një fitore kampionale, por si mysafir s’ka fituar ende asnjëherë...

Në 27 ndeshje kampionale, Prishtina ka 17 fitore, 9 barazime dhe 1 fitore e gjilanasve me golldallim 46:14.

Ndërsa, nga 35 ndeshjet e përgjithshme zyrtare të tri garave, megjithatë Gjilani i ka tre fitore. Për Superkupë 4:1 (2000, Mitrovicë) një ndeshje për Kupë – 1:0 (Arben Zeqiri) e që megjithatë ishte eliminuar (11.06.2003) dhe fitorja e fundit kampionale në Gjilan, vjeshtë 2016 (1:0).


Pra, edhe bilanci i përgjithshëm prej 35 ndeshjeve, dominohet tërësisht nga Prishtina me 21 fitore, 11 barazime dhe 3 fitore të Gjilanit me goldallim 61:25.

61-golat e Prishtinës i kanë shënuar 33 futbollistë, prej tyre 7 futbollistë më shumë se tre gola. Prin, Sheremet Isufi me 6 gola (1x3, 1x2), Suad Saliagiq 5, Nikollë Dushi 4 (1x3), Berat Hyseni 4 (1x2) dhe me nga 3 gola, Ertan Hasan (1x2), Astrit Fazliu dhe Uliks Emra. Nga futbollistët e tanishëm të skuadrës asnjë s’ka shënuar mbi 1 gol dhe atë janë vetëm dy futbollistë, Boshnjaku dhe Kukaj në dy fitoret e fundit.


25-golat e Gjilanit i kanë shënuar 16 futbollistë, prej tyre vetëm dy prej tyre mbi tre gola, Premtom Muja 4 dhe Liridon Hasani 3 (1x2). Nga futbollistët aktiv vetëm Betim Haxhimusa i ka shënuar Prishtinës.

Prishtina dhe Gjilani kanë statistikë të jashtëzakonshme të shënimit të golave prej pothuajse 2.5 gola për ndeshje. Vetëm tre herë kanë luajtur pa gola (0:0 – të tria në Gjilan). Prishtina me Gjilanin ka ndër fitoret më të thella pas luftës, si 7:0 (24.06.2007) dhe 5:1 (09.05.2012). Të dy këto debakle i ka pësuar trajneri, Sallah Sherifi, të parën kundër Ramadan Cimilit, ndërsa të dytën kundër Jusuf Tortoshit.

Rezultati më i shpeshtë, plot 9 –herë, është 1:0, prej tyre Prishtina i ka fituar 7 (5 si vendase) dhe 1 Gjilani (ndeshjen për Kupë si vendase).

Nga 35-ndeshje, Prishtinën e kanë udhëhequr 12 trajner. Prej tyre, vetëm tre me mbi pesë ndeshje. Ajet Shosholli ka 7 ndeshje, por i ka pësuar dy humbje, dhe ka fituar në tre ndeshje e ka luajtur baras në dy sosh (10:7). Ramiz Krasniqi, nga 6 ndeshje nuk ka pësuar humbje, por ka 3 fitore dhe 3 barazime (9:5). Po ashtu edhe Afrim Tovërlani nuk ka pësuar humbje, nga 5 ndeshje ka 4 fitore dhe 1 barazim (11:6).

Te Gjilani, kanë prirë në përballje 11 trajner. Vetëm tre me mbi 3 ndeshje. I padiskutueshëm është Muharrem Sahiti – 18 ndeshje, por ka bilanc gati katastrofal, prej vetëm 1 fitoreje, 8 barazime dhe 9 humbje (14:29). Musa Selimi nga 3 ndeshje, ka bilanc prej 1 fitoreje e 2 humbje, por fitorja në Superkupë e vitit 2000 (4:1) ia ndreq aq shumë goldallimin, sa edhe shumë kohë, zor që trajner tjetër gjilanas do ta mbërrij (4:3). Sallah Sherifi, nga 3 ndeshje ka po aq humbje me goldallim katastrofal, 2:14.

Nga përballja e trajnerëve, më të gjatat janë ndërmjet Ramiz Krasniqit e Muharrem Sahitit (6 përballje). Krasniqi e ka mposhtur Sahitin 3 herë dhe 3 herë baras (9:5). Ndërsa Afrim Tovërlani dhe Muharrem Sahiti janë përball 5 herë. Tovërlani ka triumfuar 4 herë dhe 1 herë baras (11:6).

Avni Durmishi