Lajme

Java XXVII: Prishtina – KEK-u 1-0

Java XXVII: Prishtina – KEK-u 1-0

Fitore e vështirë dhe e vlefshme me golin e Boshnjakut (36’)

Lorik Boshnjaku

Prishtinë, 13 prill 2019 – Nuk është pritur ndeshje e lehtë sot, por jo edhe kaq stresuese dhe problematike me vetëm një gol epërsi dhe me dy lëndime (Korenica e Mankenda), por edhe më pak kush ka pritur që edhe fitorja me KEK-un skuadrën do ta pozicionoj nga kjo javë në pozitën e parë me pikë të njëjta se sa Feronikeli që sot befasisht u mposhtë në fushën e vet me Ferizajn.

Meriton Korenica

Pra, pasdite interesante dhe me shumë emocione. Emocione patën skuadra e sidomos një grup i “Plisave” që në shkallët e tribunave pritën fundin e ndeshjes në Drenas.

Meriton Korenica

Prishtina tani duhet të mbroj këtë pozitë duke filluar nga udhëtimi i vështirë në Gjilan me skuadrën homonime. Tani e ka përparësinë e ndeshjeve të ndërsjella edhe pse deri te ndeshja e fundit për klasifikim shihet golaverazhi, kurse Prishtina ka plasmanin direkt më të mirë.

Sidoqoftë, kanë mbetur edhe 6 ndeshje tjera, secila më finale se tjetra dhe ka shumë kohë deri në fund të kampionatit.

Java XXVII:

Prishtina – KEK-u 1:0 (1:0)

Golashënues: Lorik Boshnjaku 36’

Shikues: 300

Gjyqtarë: Emanuel Grech, Paul Apap, James Muscat – Mario Apap (Maltë)

KV: S’ka

Pozita jashtë lojës: Pri 4-0 KEK-u

Kornerët: Pri 9-2 KEK-u

Gjuajtjet totale: Pri 4-4 KEK-u

Gjuajtjet në portë: Pri 4-3 KEK-u

Prishtina (4-3-3): 1. Alban Muqiqi – 2. Armend Thaqi, 28. Leotrim Bekteshi, 3. Jamal Arago, 13. Abdul Bashiru – 5. Diar Miftaraj, 7. Lorik Boshnjaku, 18. Ergyn Ahmeti (77. Mergim Pefqeli – 73’) – 15. Gauthier Mankenda (16. Donat Hasanaj – 83’), 10. Meriton Korenica, 27. Marjo Morina (19. Alen Jasharoski – 72’). Zëvendësues: Laurit Behluli, Agon Xhaka, Arbër Hoxha, Basid Khalid. Kryetrajner: Mirel Josa.

KEK-u: 1. Drin Hodaj – 3. Ardian Musliu, 6. Altin Govori, 19. Leonat Vitija, 4. Valmir Kutllovci, 20. Gezim Berisha, 30. Ardit Preniqi (13. Kadri Kodrolli – 73’), 77. Egzon Qerimi (8. Rilind Nimani – 46’), 10. Besart Dushi, 7. Isa Eminhaziri (11. Vigan Veliji – 81’), 9. Tervioll Stullqaku. Kryetrajner: Alban Dragusha.

Diar Miftaraj

Komenti:

Prishtina e nisi furishëm ndeshjen me dy raste të qindpërqindta – të dyja në minutën e 4-të pas pasimeve të mira, por edhe gjuajtjen e Morinës edhe Mankendës e ndalën mysafirët nga vija e portës. Pastaj gjithçka po bëhej më vështirë dhe KEK-u po luante e qet fare dhe më pak fat përpak e dënuan Prishtinën kur Stullqaku gjuajti mbi portë nga pozitë ideale (28’).

Megjithatë një gol mjeshtëror i Boshnjakut pas topit të dhënë nga e majta prej Korenicës ç’bllokoi ndeshjen. Por, kaq ishte. Askush se mendoi që goli i Lorikut do t’i sillte tre pikë dhe barazimin e pikëve në fund me Feronikelin.

Leonat Vitija

Fundi i ndeshjes ishte i zbehtë, Prishtina assesi të dilte në lojën e saj, kurse lëndimi i Korenicës në minutën e 87-të shtini drithërimat në publikun e pakët. Minutat e fundit ishin aspak të këndeshme, në çdo atakim të KEK-ut mbrojtja prishtinase reagonte duke e hedhur topin sa më tutje. 

Në fund me gjithë ndeshjen e dobët, mbetët të vlerësohen pikët dhe tani shansi i artë që deri në gjashtë javët e mbetura me shumë optimizëm të pritet fundi i kampionatit.

Gauthier Mankenda

Minutë pas minute:

4’ Rast ideal i nisur nga Boshnjaku djathtë te Thaqi i cili pas depërtimit e kthehu para portës te Boshnjaku e ky e vazhdoi pak në të majtë te Morina i cili pas dy-tre përpjekjesh për të gjetur hapësirë gjuan, por nga vija e portës largojnë mysafirët.

4’ Aksioni vazhdoi, Korenica nga e majta e qet te Mankenda në kahun tjetër, gjuajtjen e Mankendës si disa sekonda më herët “elektricistët” e dëbojnë nga vija e portës.

28’ Harkimin nga e majta të Kutllovcit nuk ia dalin të largojnë prishtinasit, topi shkon te Stullqaku i vetmuar i cili posa e ndal topin, gjuan mbi portë. Ishte rast i jashtëzakonshëm shënimi për KEK-un.

Lorik Boshnjaku

36’ Aksion i mirë i nisur nga e djathta e duke kaluar para zonës topi mbërrin te Ahmeti, ky ia vazhdon Korenicës majtë që ia del të kthej para portës për Boshnjakun që me një gjuajtje paska vollej dhe gati të harkuar, e mposhtë portierin Hodaj – 1:0. Goli i 3-të kampional i Boshnjakut.

49’ Nimani provon nga e djathta të befasoj Muqiqin i cili ishte në portë.

57’ Musliu i shmanget Thaqit nga e majta pastaj gjuan lehtë në këndin e afërt, por pa problem portieri Muqiqi.

72’ Morina i shmanget dy futbollistëve pastaj gjuan nga distanca, pret portieri Hodaj, këndore.

76’ Dushi udhëheq kundërzbritjen nga e majta e kur futet në zonë gjuan lehtë në këndin e afërt, portieri Muqiqi në vend.

85’ Lëndohet Korenica, Prishtina mbi 10 minuta me një futbollist më pak në fushë.

90’ Kutllovci harkon nga e djathta, e portierit Muqiqi i shpëton topi nga duart, situatë që ngriu zemrat e shumë të pranishmëve, por pas intervenimit të dytë u pastrua situata.

Mergim Pefqeli

Deklaruan:

Mirel Josa: Nuk themi që u ndal skuadra. Ne e dimë që kështu janë ndeshjet, pavarësisht se luajtëm me të fundit në klasifikim. KEK-u kishte ardhur të luante futboll lirshëm, që të zhvillonte lojën e vet, sepse s’kishte çfarë të humbiste e cila i ka humbur gjatë kësaj periudhe çfarë ka pasur të humbas. Kështu që ne ishim në një far lloj presioni. Mungesat mund të them që e kanë bërë punën e vet, por nuk dua të qëndroj fare te puna e mungesave, sepse gjithsecili lojtar ka pretendime për të luajtur. Duhej të ishim shumë më të freskët se sa që ishim dhe në pjesën e parë do të duhej të ishim shumë më efikas, sepse nuk e zhvilluam keq, ishim diku mbi mesatarja. Ndërsa në pjesën e dytë do të duhej të kishim më tepër mbështetje përpara dhe të dilnim në sulm më tepër bë mënyrë efikase. Sa i përket Feronikelit, nuk e kemi pasur fare mendjen aty, ne duhet të shohim çfarë bëjmë ne, sepse siç kishim gabuar ne më përpara, ashtu gabuan ata sot. Kampionati është i gjatë dhe mos ta harrojmë as Llapin që e kemi mbrapa dhe është skuadër e cila ka skuadër të mirë dhe ka pretendimet e saj. Do të shohim se si do të qetësojmë situatën, sepse sot me të vërtet ishte ndeshje e detyruar për të fituar, por me presion të madh.   

Lorik Boshnjaku: Jo, kur shënova nuk mendova që do të ishte gol vendimtar. Mendova që do të hapej ndeshja e me disa gola tjerë të shënuar. Por, ja që goli im i solli tre pikë dhe golat t’i kemi ruajtur për ndeshjet tjera, meqenëse sot u ndjemë pak edhe të lodhur. Shpresoj që të vazhdoj me këtë ritëm rrugën të cilën e kemi nisur dhe të fund ta përfundojmë me titullin e kampionit.

Alban Dragusha, kryetrajner i KEK-ut: Të tre përballjet me tre skuadrat e kreut, të gjitha i kemi luajtur mirë. Edhe sot u vërtetua kjo dhe është për t’u vlerësuar karakteri i futbollistëve, sepse edhe pse s’kemi asnjë objektiv, po tregojnë gjithë këtë grintë kundër çdo kundërshtari, aq ma shumë kundër një Prishtine mjaft të fortë e cila është bindshëm kandidati kryesor për ta fituar titullin. Por, u pa edhe sot që i vuam në vështirësi dhe kjo më jep shpresë që në të ardhmen që në Ligën e parë do të jemi skuadër pretendent kryesor për t’u rikthyer në Superligë. 

Foto: Roland Racaj

Plisat