Lajme

Java XXVIII: Besa - Prishtina 1:2

Java XXVIII: Besa - Prishtina 1:2

Fitorja e madhe mbetët nën hijen e arrestit dhe mbajtjet së Liridon Lecit për 48 orë


Pejë, 30 prill, 2017 - Fitore e madhe Prishtinës në Pejë, e gjashta me rresht e ku e dërgon në vendin e dytë në tabelë. Por, loja mbeti nën hijen e incidentit absurd ndërmjet policisë dhe futbollistit, Liridon Leci i cili edhe në mënyrë absurde iu është dhënë urdhri për mbajtje në çeli për 48 orë!!!

Kurse, ndeshjen e përcolli edhe lëndimi i portierit Alban Muqiqi nga nisi gjithçka situata e lartë cekur. Portieri Muqiqi është i shtrirë në spital, por është mirë.

Shënues i tre pikëve është sulmuesi Basit Abdul Khalid që ka sjell skuadrën në vendin e dytë me 60 pikë, tetë më pak se lideri Trepça ‘89 dhe dy më shumë se Feronikeli në vend të tretë.

Java XXVIII

Besa - Prishtina 1:2 (0:2)

Golat: Basit Abdul Khalid 7’, 28’ - Kastriot Rexha 86’

Shikues: rreth 200

Gjyqtarë: Fatmir Tahiri (Mt), Benon Këpuska (Gjk), Artan Latifi (Pd) - Nazmi Raci (Mt)

KV: F. Karahoda, Xh. Shabani - A. Muqiqi, A. Dallku, L. Maxhuni, M. Neziri

KK: Leci (min. 52), Dallku (2KV - min. 90)

Pozita jashtë lojës: Besa 2-1 Pri

Kornerët: Besa 9-2 Pri

Gjuajtjet totale: Besa 12-9 Pri

Gjuajtjet në portë: Besa 4-2 Pri

Besa: 1. Granit Kolshi - 8. Përparim Osmani (24. Kastriot Rexha - 71’), 33. Arbër Prekazi, 5 Fisnik Papuqi /c/, 77. Leart Emini, 4. Dijar Miftaraj, 14. Albert Dabiqaj, 17. Florent Qorraj, 11. Qemail Elshani, 7, Xhevdet Shabani, 19. Fatih Karahoda (3. Shpat Ismajli - 84’). Kryetrajner: Astrit Imami.

Prishtina (4-3-3): 1. Alban Muqiqi (12. Visar Bekaj - 90+3’) - 22. Lorik Maxhuni, 4. Armend Dallku /c/, 13. Liridon Leci, 93. Mergim Neziri (18. Gentrit Dumani - 82’) - 6. Debatik Curri, 7. Lorik Boshnjaku, 8. Endrit Krasniqi - 77. Mergim Pefqeli, 9. Shend Kelmendi (66. Arbër Hoxha - 82’), 25. Basit Abdul Khalid. Zëvendësues: Liridon Kukaj, Agon Xhaka, Genc Hamiti, Blend Baftiu. Kryetrajner: Arsim Thaqi.


Komenti:

Prishtina nisi ndeshjen jashtëzakonshëm. Pas asistimit të Currit, shënoi pa problem Khalid. Luhej minuta e 27-të dhe Prishtina ishte 2:0, po me golin e Khalid, i cili ishte meritor për gjithçka. Pastaj, ishte Besa që kishte dominimin dhe organizonte sulme të njëpasnjëshme, por Prishtina ishte shumë e rrezikshme me kundërzbritje.

Pastaj, Leci me gabimin e tij humbi topin dhe ndali si lojtar i fundit Karahodën çka me të drejt u përjashtua, por njëjtë gjyqtari nuk veproi kur Elshani e ndali Pefqelin, bile as karton të verdhë nuk dha.

Dhe, me një futbollistë më pak Prishtina u përqendrua në mbrojtje dhe me topat dërguar te Khalid që sot ishte i jashtëzakonshëm, i pandalshëm.

Besa kishte rastet e saj, por u mungoi preciziteti, kurse në një rast shpëtoi edhe portieri Muqiqi.

Vendasit zvogëluan epërsinë me Kastriot Rexhajn 86-të dhe pas minutës e 90-të ndodhen ngjarjet që nxinë futbollin tonin në përgjithësi.

Në minutën e 90-të lëndohet portieri Alban Muqiqi deri sa ndeshja ishte ndërprerë në fushën e Besës (ishte fauluar Khalid), dhe nga lëndimi i rënd i portierit Muqiqi (gjendet në spital) vrapon edhe Leci nga tribuna pas portës deri pas rrjetës së portës. Pas largimit të tij nga tribuna, intervenon policia brutalisht duke e tërhequr dhe e arrestojnë. U krijua rrëmujë, vrapuan edhe shumë futbollistët të Prishtinës duke mos ditur as çfarë kishte ndodhur. Me rastin kur Dallku u rikthye në fushë, gjyqtari Tahiri e ndëshkon me kartonin e dytë të verdhë. Prishtina mbeti pa dy futbollistë ndërsa sulmet e vendasve përfunduan shterpë dhe Prishtina fitoi ndeshjen me meritë.

Pas ndeshjes, Leci tenton të kërkoj falje për incidentin, jo që s’iu aprovua, por u arrestua dhe pas 2-3 orësh, prokurori i rastit i ka shqiptuar arrest prej 48-orësh dhe vendimi ka dalë vetëm në media. Diçka e paparë dhe e padëgjuar në futbollin e Evropës!!!!


Deklaruan:

Arsim Thaqi, kryetrajner i Prishtinës: Prej se jam trajner në Prishtinë, pjesën e parë e kemi pasur paraqitjen më të mirë, si rezultat i asaj shënuam dy herë dhe e kishim ndeshjen nën kontroll. Pjesa e dytë, e prishi dalja e Lecit nga loja, neglizhencë, pakujdesi që neve na kushtoi. Sidoqoftë ne u rikthyem në ndeshje, por kulminacioni ishte gabimi i gjyqtarit në kartonin ndaj Dallkut, sepse ndeshja ishte e ndërprerë dhe kjo tani na sanksionon në ndeshjen për Llapin. Po, gjashtë ndeshje gjashtë fitore, por kjo ishte me pasojë të madhe, sepse tani nuk do t’i kemi dy qendërmbrojtësit dhe na duhet të gjejmë alternativa për dy ndeshjet e ardhshme.

Rasti i Lecit, është e meta futbollit tonë, sepse skuadrat vendase nuk kanë vend për një kujdestar për lojtarin, e kujdestar ka qenë policia. Kam qenë larg rastit, por sjellja e policisë në atë mënyrë është jokorrekte dhe nuk i ndihmon atmosferës së futbollit, sidomos duke e ditur se Prishtina e Besa kanë rivalitet të shëndosh, por duhet analizuar këto gjëra nga komisionet e futbollit dhe sidomos gjykimi, sepse t’i dal nga kontrolli ndeshja një gjyqtari me përvojë nuk është në rregull.   


Basit Abdul Khalid:
Kemi dhënë gjithçka nga vetja sot, kemi luftuar shumë për këtë fitore duke u treguar të bashkuar dhe duke luftuar shumë për njëri tjetrin. Fitore e madhe, por do të ndikoj shumë për ndeshjen e ardhshme me dy kartonët e kuq sot, por do të luftojmë shumë që të përgatitemi sa më mirë që të jemi si sot të bashkuar.


Astrit Imami, kryetrajner i Besës: Ishte ndeshje e fortë tipike për rivalët siç janë Prishtina e Besa. Prishtina i shfrytëzoi dy raste me çka e kreu lojën. Ne u munduam në pjesën e dytë, sulmuam e shënuam në fund, por kaq ishte. Ne kishim probleme sepse gjatë tërë javës nuk kishim stërvitur fare dhe ishte problem të luash ashtu kundër një Prishtine e cila është Prishtinë dhe fitoi me meritë.