Lajme

Java XXVIII: Gjilani – Prishtina

Java XXVIII: Gjilani – Prishtina

Lojë vendimtare në Gjilan

Prishtinë, 19 prill 2019 – Prishtina udhëton në Gjilan në kërkim të fitores së 7-të rresht dhe të 20-në kampionale. Prishtina nuk ka pësuar gol në 6 ndeshjet e fundit – kjo dhe ruajta e pozitës së parë në klasifikim, pra si dhe forma e mirë momentale – janë motivi kryesor i skuadrës që të vazhdoj me serinë e fitoreve edhe në Gjilan te skuadra homonime. Po ashtu Prishtina në Gjilan nuk din për humbje nga edicioni 2016/17 – njëherësh fitorja e vetme e Gjilanit për pikë pas luftës. Në 6 përballjet e fundit Prishtina ka 5 fitore e një barazim pa gola. Prishtina ka fituar dy ndeshjet e këtij edicioni, 1:0 në Prishtinë dhe 3:0 në Gjilan.

Megjithatë Prishtina ka dy mungesa të theksuara, Korenica dhe mbrojtësi Haliti dhe diskutabil Khalid – të gjithë të lënduar.

Por, futbollistët prishtinas janë të vetëdijshëm që vetëm me fitore në Gjilan mund të rikthejnë titullin në kryeqendër pas 5 vitesh mungesë.

Fatkeqësisht skuadrën nuk do të mund të përcjellin tifozët tanë “Plisat” pas njoftimit të dërguar nga policia e Gjilanit për mungesë të kushteve për tifozët mysafir. Këtë mungesë prezence të tifozerisë tanë, futbollistët tonë dëshirojnë ta shpaguajnë me paraqitje të mirë dhe tre pikë të reja.

Java XXVIII

Gjilani – Prishtina

E shtunë, 20 prill – ora 15:00

Stadiumi i qytetit, Gjilan

Gjyqtarë: Dardan Çaka (Vu), Besnik Morina (Vu), Fatmir Abrashi (Mt) – Leutrim Mustafa (Pd)

L. Bekteshi: Gjilani skuadër e fortë – por ne jemi qindpërqindtë të motivuar për fitore

“Me gjithë se kanë shumë ndryshime në skuadrën e Gjilanit, si ish-skuadrën time, e njoh mjaft mirë dhe e çmoj si skuadër të mirë e të fortë. Por, ne jemi në formë të lartë dhe të motivuar qindpërqindtë, pra jam shumë i sigurt që do ta vazhdojmë serinë e fitoreve deri në fund të kampionatit, thjesht nuk kemi rrugë tjetër, e vetmja rrugë që na sjell te suksesi ku dëshirojmë”, ka thënë qendërmbrojtësi Leotrim Bekteshi i cili me Prishtinën këtë edicion ka regjistruar 25 ndeshje zyrtare duke shënuar edhe 1 gol.