Lajme

Java XXVIII: Gjilani - Prishtina 0-1

Java XXVIII: Gjilani - Prishtina 0-1

Minuta 90-të Thaqi harkon - Pefqeli sjell tre pikë të arta

Mergim Pefqeli

Gjilan, 20 prill 2019 - Siç nisi ndeshja dhe me tre-katër raste shumë të mira shënimi, nuk u parashikua ndeshje e vështirë për bardhekaltrit që sot luajtën me fanella të kuqe. Por, pas kësaj, Prishtina më nuk u pa në pjesën e parë dhe më e keqja ishte se Gjilani nuk po krijonte asgjë.

Por, pjesa e dytë ishte krejt tjetër fare, Prishtina po atakonte e po krijonte, megjithatë sa më shumë po shkonin minutat edhe rastet një pas një po humbeshin,  kryesisht duke gjuajtur drejt në portier.

Ergyn Ahmeti

Skuadra nuk e humbi besimin, nuk e ndryshoi mënyrën e lojës dhe nëpërmjet aksioneve deri në fund e kërkoi golin të cilin e arriti në minutën e 90-të. Pas një aksioni më të gjatë, Thaqi për të shumtën e radhës doli në krahun e djathtë të sulmit dhe harkimi i tij ishte i saktë e në shtyllën e parë te Pefqeli i cili nga pozitë fare jo të lehtë gjuan me kokë dhe topi duke fluturuar përfundoi ngjitur shtyllës së djathtë e u fut në rrjetë. Gëzim i madh te futbollistët, bankina dhe zyrtarët e klubit. Thjesht u fitua edhe një ndeshje e zorshme dhe u morën pikët e vlefshme që e mbajnë skuadrën në krye të tabelës. Ishte fitore e merituar, por që u arrit me mund të madh.

Këtu nuk përfundon asgjë, Prishtina pret tjetër kundërshtar të vështirë, në fundjavë në javën e 29-të e pret Drenicën.

Arber Hoxha

Java XXVIII

Gjilani - Prishtina 0-1 (0-0)

Golashënues: Mërgim Pefqeli 90’

Shikues: afër 500

Gjyqtarë: Dardan Çaka (Vu), Besnik Morina (Vu), Fatmir Abrashi (Mt) - Leutrim Mustafa (Pd)

KV: A. Halili - A. Dallku, D. Miftaraj, E. Ahmeti

Pozita jashtë lojës: Gjl 1-1 Pri

Kornerët: Gjl 2-6 Pri

Gjuajtjet totale: Gjl 1-15 Pri

Gjuajtjet në portë: Gjl 0-5 Pri

Gjilani: 30. Kenan Haxhiamza - 8. Salih Kosumi /c/, 17. Vilson Lila, 3. Armend Halili, 6. Endrien Magani, 20. Edison Kqiku, 10. Semir Haxhibulliç (28. Qendrim Ismajli - 66’), 25. Kushtrim Shabani (14. Arbër Mustafa 90’+3), 11. Fiton Hajdari, 21. Shpend Asani (27. Vilfor Hysa - 49’), 18. Wilber Perez. Kryetrajner: Gentjan Mezani.

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj - 2. Armend Thaqi, 28. Leotrim Bekteshi, 4. Armend Dallku /c/, 13. Abdul Bashiru - 5. Diar Miftaraj, 7. Lorik Boshnjaku (9. Basid Khalid - 57’), 18. Ergyn Ahmeti - 15. Gauthier Mankenda (3. Jamal Arago - 82’), 17. Arbër Hoxha (77. Mergim Pefqeli - 67’), 27. Marjo Morina. Zëvendësues: Alban Muqiqi, Donat Hasanaj, Argjend Mustafa, Alen Jasharoski. Kryetrajner: Mirel Josa.

FC Prishtina

Komenti:

Prishtina me fitoren e sotme ka vazhduar serinë prej 8 ndeshjeve pa humbje, 7 fitore rresht dhe 6 ndeshje rresht pa pësuar gol. Ndërsa me golin e tij të artë, Pefqeli ka arritur në shifrën prej 3 golave kampional, kurse Thaqi udhëheq bindshëm me asistimin e 7-të kampional.

Me këtë fitore, momentalisht skuadra prin me 65 pikë e ndjekur nga Llapi me 63 dhe Feronikeli me 62 (luan nesër me KEK-un).

Përndryshe nga ndeshja e sotme vlen të theksohet numri enorm i 15-të gjuajtjeve totale të Prishtinës përkundër vetëm një të Gjilanit. Vetëm se ndeshja mund, mbase, të ishte më e lehtë sikur skuadra të shënonte më herët, por edhe në këtë mënyrë gëzon jashtëzakonisht shumë.

Lorik Boshnjaku

Minutë pas minute:

4’ Thaqi e nis aksionin nga krahu i tij i mbrojtjes te Morina në mesfushë që e vazhdon djathtë te Mankenda i cili pas manovrimit të mirë e pason te Ahmeti brenda zonës në pozitë ballore dhe mesfushori pasi që bukur lirohet gjuan, por ishte jo aq e fortë dhe jashtë pingules së majtë. Ishte rast i shkëlqyer shënimi.

Ergyn Ahmeti

5’ Boshnjaku e harkon ndërprerjen nga e majta, topi dëbohet jashtë zonës nga ku me të parën gjuan Ahmeti, por e lartë.

11’ Këndoren e djathtë Thaqi e nis shkurt te Dallku i cili ia rikthen sërish dhe pason harkimi para portës ku shkëputet më së larti Hoxha e gjuan me kokë, por drejt në portier. Edhe ky ishte rast ideal shënimi.

Arber Hoxha

39’ Dallku me top të gjatë drejt sulmit, topi dëbohet deri te Mankenda i cili pasi depërton në mesin e dy lojtarëve gjuan nga 22-23 metra rrezikshëm, por mbi portë.

44’ Aksion i vendasve nga e majta, dëbohet nga mbrojtja prishtinase (kërkohet edhe penallti!?) dhe topi shkon deri te Shabani që gjuan fortë dhe jo saktë - e vetmja gjuajtje e vendasve ishte kjo.

45’+2 Thaqi e harkon një gjuajtje të lirë pothuajse anësore nga e djathta, Bekteshi disi e qëllon topin me kokë, por ishte larg portës.

Leotrim Bekteshi

47’ Bukur Hoxha udhëheq topin nga e majta e pastaj harkon e topi disi përfundon te Mankenda që ia shtyn Boshnjakut dhe gjuajtja e parë i bllokohet, ndërsa e dyta përfundon jashtë pingules së afërt.

Arber Hoxha

51’ Superaksion i nisur nga Bashiru majtë i cili e vazhdon te Hoxha që e nxjerr topin në qendër për Mankenda që ia shtyn djathtë Boshnjakut i cili gjuan në portë, por pret portieri Haxhiamza.

Lorik Boshnjaku

51’ Kundërzbritje e shpjtë, Mankenda top në zonë bukur për Morinën që ikën pak nga e djathta dhe e provon këndin e kundërt të portës, por pret portieri vendas e topi shkon te Mankenda të cilit i bllokohet gjuajtja dhe në fund Ahmeti gjuan nga jashtëzona, por jashtë.

Marjo Morina

71’ Kombinime të mira nga e djathta Pefqeli - Thaqi e ky i fundit harkon, topi dëbohet deri te Mankenda që sërish i bllokohet gjuajtja e pastaj mbyllet me gjuajtjen e lartë me të parën të Morinës.

73’ Thaqi harkon nga e djathta, provon me kokë Pefqeli, por se qëllon si duhet, jashtë.

76’ Gabojnë vendasit, topin e rrëmben Khalid e niset nga e majta dhe kur futet në zonë gjuan e jashtë pingules së kundërt, por mund të provonte pasimin te Morina po në atë pozitë të gjuajtjes.

Gauthier Mankenda

83’ Kundërzbritje e shpejtë ku mbyllet me pasimin e Khalid te Mankenda majtë që harkon në shtyllën dytë ku me kokë nga afërsia gjuan Khalid, por pret e shpëton portieri vendas, këndore.

Basid Khalid

Armend Dallku

86’ Dallku si me dorë me top të lartë te Pefqeli brenda zonës që bukur lirohet dhe pothuajse del i vetëm me portier dh gjuan drejt në të, e pabesueshme çfarë rasti u humb, vërehet tension i madh te prishtinasit.

Mergim Pefqeli

Mergim Pefqeli

90’ Aksion i gjatë, topi vije te Thaqi djathtë që ikën pothuajse te këndorja dhe harkon në shtyllën e parë ku nga pozitë aspak e lehtë Pefqeli gjuan saktë me kokë për gëzimin e madh të mysafirëve - 0:1.

Mergim Pefqeli

Armend Thaqi

Deklaruan:

Mirel Josa: Nuk do të thotë që të gjitha ndeshjet të zgjidhen në fillimin e saj. Ndërsa ne sot nuk bëmë një pjesë të parë të mirë, Gjilani ishte përherë përpara e më i fortë në dyluftime në mesfushë kur ne donim që të fitonim të dilnim përpara, që të thyenim mbrojtjen e Gjilanit. Ishte një pjesë e parë  e vaktë e jona.  Në pjesën e dytë u munduam të ndryshojmë me lojtarë me tipare më tepër sulmuese dhe më të freskët dhe u zgjodh ndeshja në fund fare. Për mendimin tim të gjitha ndeshjet do të jenë të vështira ku tash po flasim pas ndeshjes e cila na entuziazmoj me minutat e fundit, por duhet të jemi shumë më të kujdesshëm në shfrytëzimin e rasteve, që të qetësojmë ekipin, mënyrën e lojës tonë. Sepse, një tipar i mirë i joni ishte ndërtimi i aksioneve që nuk u bë me topa të gjatë, në disa momente po, por u munduam që të luajmë nga krahët me shtymjen e Thaqit, e të Bashirus megjithëse cilësia e këtij të fundit nuk është ajo që ne kërkojmë. Pas fitores ne i shohim të gjitha gjërat në mënyrë pozitive, kuptohet, edhe unë personalisht, por duhet të koncentrohemi më tepër duke e pasur parasysh gabimet që i kemi për të ardhmen.   

Mergim Pefqeli: Arritëm tre pikë shumë të vështira ku ekipi u mundua për to gjatë gjithë lojës, por nuk e donte fati nga dy-tre aksion të mira që patëm. Por trajnerët vendosën të më angazhonin dhe falë Zotit shënova për çka jam shumë mirënjohës, sepse e ndihmon shumë ekipin në luftën drejt synimit ku e kemi dhe tani vazhdojmë tutje deri në fund.

Gentjan Mezani, kryetrajner i Gjilanit: Sigurisht se humbja na vështirëson punët. Një humbje nuk të bënë mirë dhe një pikë do të kryente shumë punë për ne dhe do të ishte e kënaqshme padiskutim duke e parë edhe lojën si rrodhi. Kemi pasur mundësi edhe në pjesën e parë të cilën sikur të kishim shfrytëzuar disi më mirë, ndoshta do të kishim pak më shumë iniciativë. Dua t’i shikoj, sepse ndoshta edhe nuk janë, rastet për penallti. Ndërsa në pjesën e dytë, Prishtina ka një skuadër mjaft të mirë dhe do ta rriste presionin. Sigurisht në fund dhemb pak, sepse për ne do të ishte e mirë edhe një pikë. 

Abdul Bashiru