Lajme

Java XXVIII: Vllaznia – Prishtina 0-1

Java XXVIII: Vllaznia – Prishtina 0-1

Prishtina fiton kundër Vllaznisë edhe me kartonë të verdhë 8:1!

Gjilan, 22 prill 2018 – Tetë karton të verdhë për Prishtinën kundër skuadrës së fundit në tabelë, besoni apo jo, sot kjo ndodhi në Gjilan nga gjyqtari më shumë se tendencioz, Besnik Batalli. Po ashtu Prishtinës nuk iu gjykua edhe penallti e pastër në Hoxhën (82’).

Përndryshe Prishtina e ka shkel kundërshtarin e sotëm me një mori rastesh të pakonkretizuara, por mjaftoi goli i vetëm i Mankendës (32’) për tre pikë të reja. Fitorja është edhe më e ëmbël duke e pasur parasysh që pozharanasit ishin shumë të motivuar, por nuk patën cilësi e s’ju mjaftoi as ndihma e pakuptuar nëpërmjet ndëshkimeve me kartonë nga gjyqtarët që e penalizojnë skuadrën në ndeshjet e ardhshme.

Futbollistët e Vllaznisë u tregua korrekt dhe përveç adhuruesve jo të shumtë të saj që ofenduan pandërprerë gjithçka ishte në nivel pa asnjë vërejtje nga klubi nikoqir.

Prishtinës tani i kanë mbetur edhe pesë ndeshje “finale” tjera deri në fund të kampionatit e ku në javën e XXIX e pret Llapin.

Java XXVIII

Vllaznia – Prishtina 0-1 (0-1)

Golashënues: Gauthier Mankenda 32’

Shikues: 200

Gjyqtarë:  Besnik Batalli (Gjk), Benon Këpuska (Gjk), Fatmir Abrashi (Mt) – Erdall Zazella (Mt)

KV: B. Idrizi – A. Dallku, D. Curri, Sh. Taipi, P. Osmani, D. Bozhoviç, A. Hoxha, A. Januzi, A. Muqiqi

Pozita jashtë lojës: Vlz 1-3 Pri

Kornerët: Vlz 1-9 Pri

Gjuajtjet totale: Vlz 1-11 Pri

Gjuajtjet në kuadrat: Vlz 0-6 Pri

Vllaznia: 33. Arlind Gashi – 3. Alban Tusuni, 2. Premtom Isufi, 22. Sevdaim Tahiri, 8. Bashkim Idrizi, 4. Kujtim Pantina, 11. Mensur Livoreka, 10. Ejup Bruti (18. Arlind Shaqiri – 62’), 19. Armend Kastrati, 17. Bergim Maliqi (9. Hetem Hyseni – 75’), 45. Almedin Murati (77. Orhan Miftari – 62’). Kryetrajner: Agron Selmani. 12.

Prishtina: 12. Visar Bekaj – 88. Përparim Osmani, 4. Armend Dallku /c/, 6. Debatik Curri, 3. Jamal Arago – 20. Shqiprim Taipi, 21. Blend Baftiu (66. Ergyn Ahmeti – 88’), 29. Drashko Bozhoviç (9. Basit Abdul Khalid – 68’) – 17. Arbër Hoxha, 15. Gauthier Mankenda, 27. Ahmed Januzi (11. Liridon Fetahaj – 80’). Zëvendësues: Alban Muqiqi, Agon Xhaka, Lorik Maxhuni, Mergim Pefqeli. Kryetrajner: Mirel Josa.

Komenti:

Prishtinës sot iu nisën problemet që në nxemje, Boshnjaku i planifikuar të startote pati zgjatje të muskulit. Pastaj u ballafaqua edhe me gjyqtarin i cili sot pati qëllime që ta penalizonte skuadrën për ndeshjet e ardhshme duke e ndëshkuar me tetë kartonë të verdhë meqërast kundër Llapit do të mungojnë Taipi dhe Osmani.

Skuadra edhe pse në fillim të lojës pati mjaft probleme të çante mbrojtjen e ngjeshur dhe të motivuar të kundërshtarit, e pati problem vetëm sa e shënoi golin e parë që ra në mënyrë mjeshtërore, pastaj pjesa tjetër e mbetur e lojës u krijuan një mori rastesh që për fat të keq nuk u konkretizuan.

Deri sa Bozhoviç ka realizuar asistimin e 12-të sezonal (i 9-ti kampional), Mankenda ka shënuar golin e tij të 10-të (i 7-ti kampional).

Minutë pas minute:

5’ Kornerin nga e djathta për vendasit, pas devijimit, Maliqi nga e djathta bukur e futi para portës ku Murati e qoi mbi portë.

26’ Murati edhe njëherë del nga e djathta e futet mirë në zonë dhe gjuan rrezikshëm paralel me portën, por doli pothuajse në aut.

30’ Portieri Gashi degazhon shkurtë e merr Mankenda në mesfushë dhe ia shtyn në zonë te Bozhoviç gjuajtjen e të cilit në momentin e fundit e bllokon një mbrojtës duke dëbuar në këndore.

31’ Bozhoviç e nis këndoren te Dallku dhe e vazhdon brenda zonës në të majtë te Curri gjuajtjen e të cilit e kap portieri.

31’ Kontra, Osmani e vazhdon te Januzi e ky e kthen para zonës te Baftiu i cili gjuan nga pozitë ballore, por plogësht e jashtë.

32’ Hoxha bukur lirohet nga e majta duke kaluar një futbollist, e pason te Januzi në qendër i cili e vazhdon djathtë te Bozhoviç i cili mjeshtërisht ia rikthen Mankendës diku rreth zonës që gjuan me saktësi dhe tund rrjetën – 0:1.

39’ Pas ekzekutimit të këndores dhe devijimit, Baftiu lufton dhe e merr topin e gjuan, por e lartë.

43’ Bozhoviç nga e majta afër zonës prej gjuajtjes së lirë gjuan mbi traversë, shumë rrezikshëm.

44’ Çfarë rasti, edhe njëherë Bozhoviç bukur e fut topin në rast, tani për Januzin i cili del me portier që ia bllokon së këndin po ashtu edhe gjuajtjen, këndore.

59’ Hoxha depërton nëpër anësore e pason në qendër te Januzi që e kthen jashtë zonës për Bozhoviç që gjuan lartë.

66’ Dallku e harkon një ndërprerje nga e djathta, nga topi i dëbuar gjuan me të parën Baftiu nga jashtë zona, por e kap portieri.

69’ Khalid e vjedh topin nga e djathta e futet në zonë, por nuk gjuan, tenton pasimin para portës për Januzin, por e largojnë vendasit.

81’ Fetahaj nga e djathta prej ndërprerjes e harkon në shtyllën e parë për Hoxhën që gjuan me kokë, por jashtë.

82’ Hoxha ndalet në zonë, ishte penallti klasike, por dy gjyqtarët gjakovarë që ishin afër heshtën.

84’ Taipi depërton deri afër zonës kur me spërkatë ia largojnë vendasit e topi shkon deri te Hoxha gjuajtja e të cilit ndalet nga portieri.

89’ Kundërzbritje, gjyqtari nuk i ndal para zonës së vendasve faull Taipit, e pastaj Hyseni shkon deri në zonë kur me ndërhyrje të guximshme e të sigurt ndërhyn Dallku dhe e largon tutje.

Deklaruan:

Mirel Josa: Ishte lojë e dominuar nga ne. Mund të themi që Vllaznia erdhi dy herë te porta jonë, ose njëherë në pjesën e parë që goditi portën. Por, përsëri jemi në problematikat që na nxjerrë përfundimi i ndeshjes, sepse sot siç e patë u morën 7-8 kartonë të verdhë e që s’ishte e nevojshme, disa ishin të drejt e disa mund të mos ishin të drejtë. Është një gjë që ne duhet t’i menaxhojmë më mirë situatat sidomos në pjesën e dytë duhet të qetësonim skuadrën për sa i përket shpërthimeve tona, se neve dolëm, sepse ne s’patëm pasin përfundimtar apo konkludimin në portë për të mbaruar ndeshjen. Dhe mbaroi një ndeshje me tension gjatë gjithë kohës, ky është problemi ynë më i madhi. Kemi pesë ndeshje tjera tani, por ne s’do të mendojmë për të gjitha ndeshjet bashkë, por do të shohim të mendojmë për ndeshjen e radhës. 

Gauthier Mankenda: Tre pikë të rëndësishme për ne. Është dashur të shënojmë më shumë, por më të rëndësishme janë tre pikët për të mbetur në krye të klasifikimit dhe që na japin mundësi që deri në fund të sigurojmë titullin e që e besojmë shumë se do t’ia arrijmë.

Agron Selmani, kryetrajner i Vllaznisë: Në këto xhiro kur ekipi i Prishtinës e ka objektivin e titullit dhe garat për Kupë dhe ne kemi objektiv pozicionin e barazhit, nuk pritet lojë e mirë për sy. Normal që është presion i madh te lojtarët dhe ekipi për shkak ngarkesës dhe mungesës së rezultateve. Kemi krizë realisht të rezultateve, por prej ndeshjeve tjera varësisht se si janë zhvilluar sot, atëherë nëse s’kanë arritur rezultate të mira gjithçka është e hapur për ekipin tonë.