Lajme

Java XXX: Feronikeli – Prishtina 0-0

Java XXX: Feronikeli – Prishtina 0-0

Prishtina s’mundi të fitoj – por lufta për titull vazhdon

Prishtinë, 2 maj 2018 – Sot u arrit barazimi i tretë pa gola ndërmjet dy rivalëve në këtë edicion. Prishtina sot ka zhvilluar mbase ndeshjen më të rëndësishme të kampionatit kundër një skuadre mjaft të fortë dhe doli që edhe një pikë e fituar t’i shërbej skuadrës në luftë për titull deri në fund të kampionatit ku kanë mbetur edhe tre ndeshje për t’u luajtur.

Prishtina ishte mjaft afër fitores me dy raste të qindpërqindta të Januzit (47’) e sidomos të Khalid (77’), por në fund të ndeshjes edhe vendasit kanë mundur të ishin më të rrezikshëm nga kundërsulmet. Përndryshe gëzon fakti në ndeshje jashtëzakonisht korrekte pa kalkulime çka në fund nga loja e treguar të kënaqur u treguan dy trajnerët.

Tre javë pa u mbyllur kampionati, Prishtina vazhdon të jetë e dyta me 57 pikë, tre më pak se Drita në vend të parë. Skuadra të dielën nga ora 16:00 në Pejë e pret Gjilanin, ndërsa deri në fund i shkon edhe Lirisë dhe e pret Dritën që duhet mposhtur me dy gola epërsi.

Java XXX

Feronikeli – Prishtina 0-0

Shikues: 500

Gjyqtarë: Selim Isufi (Mt), Safet Berisha (Mt), Bekim Rama (Pd) – Erdall Zasella (Mt)

KV: A. Dallku, D. Curri, A. Bashiru, M. Pefqeli, A. Hoxha, A. Xhaka – H. Shala, Y. Hoxha, B. Maliqi, A. Bardhi

Pozita jashtë lojës: Frn 1-1 Pri

Kornerët: Frn 2-3 Pri

Gjuajtjet totale: Frn 6-6 Pri

Gjuajtjet në portë: Frn 6-1 Pri

Feronikeli (4-3-3): 1. Faton Maloku – 18. Haxhi Shala, 33. Arbër Prekazi, 8. Ahmet Haliti, 99 Yll Hoxha – 4. Albert Dabiqaj, 20. Behar Maliqi /c/, 15. Berat Ahmeti (27. Argjend Bardhi – 46’) – 10. Qemail Elshani (19. Lulzim Doshlaku – 78’), 11. Mark Milicaj (17. Kone Hamed – 70’), 7. Mendurim Hoti. Kryetrajner: Sulejman Starova.

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 22. Lorik Maxhuni, 4. Armend Dallku /c/, 6. Debatik Curri, 13. Abdul Bashiru – 3. Jamal Arago, 20. Shqiprim Taipi, 29. Drashko Bozhoviç (66. Ergyn Ahmeti – 32’) – 77. Mergim Pefqeli (9. Basit Abdul Khalid – 58’), 17. Arbër Hoxha (11. Liridon Fetahaj – 76’), 27. Ahmed Januzi. Zëvendësues: Alban Muqiqi, Agon Xhaka, Përparim Osmani, Blend Baftiu. Kryetrajner: Mirel Josa.

Komenti:

Sot në dukje të parë u zhvillua ndeshje e qetë,  por nuk ishte e tillë dhe më së miri e tregon rasti kur Prishtina nga pjesa e parë doli me katër kartonë të verdhë, Yll Hoxha vendas pësoi një lëndim megjithëse luajti deri në fund, kurse Bozhoviç u deshtë të lëshonte fushën pas një lëndimi të pësuar që në minutën 32.

Pjesa e parë solli vetëm një gjuajtje të rrezikshme të Bozhoviç nga ndërprerja sikurse edhe të Hotit të vendasve. 45 minuta e para ishin mjaft të plogështa dhe me shumë nervozitet.

E dyta u nis më furishëm nga Prishtina që insistonte patjetër në gol çka i krijonte skuadrën mjaft tension ndërsa me lehtësi shpesh vendasit e shfrytëzonin të dilnin në kundërzbritje.

Prishtina pati dy raste që mund të përfundonin ndeshje, ndërsa vendasit më seriozisht rrezikuan me Kone, por Curri ishte ai që e bllokoi gjuajtjen.

Sidoqoftë u tregua edhe njëherë se pa marrë parasysh pozitën e Feronikelit, ajo është ndër skuadrat më të mira në vend dhe me vështirësi u krijohen rastet.

Te Prishtina pas përfundimit të ndeshjet pati mjaft nervozë nga dëshpërimi i mosfitores, por sa shkonin minutat vinte edhe qetësia, sepse tek e fundit edhe Drita s’kishte fituar dhe mbetët situatë e njëjtë – duhet fituar tre ndeshjet e fundit dhe sidomos përballja me Dritën.

Minutë pas minute:

18’ Rasti i parë i mirë në ndeshje. 17 metra larg portës, pozitë ballore, nga gjuajtja e lirë provon Bozhoviç, por pak mbi tra.

21’ Hoti kundërpërgjigjet po nga gjuajtja e lirë, pak nga e majta, por drejt në portierin Bekaj që e kap topin pa vështirësi.

29’ Maliqi provon nga distanca, jo e fortë, kap Bekaj.

47’ Çfarë rasti. Arbër Hoxha pranon topin diku afër gjysmës së fushës e depërton me kokëfortësi deri te vija fundore deri afër portës kur e kthen te shtylla e parë në 5 metra për Januzin i cili ishte i mbuluar nga dy futbollistë e ia del të gjuaj, por jashtë. Rast ideal ishte ky. Januzi i pafat.

54’ Yll Hoxha e kroson ulët në zonë, Elshani e kthen drejt portës, por e pafuqishme, kap Bekaj.

57’ Pas këndores nga e majta, topi dëbohet deri jashtëzonës kur Arago gjuan furishëm, bllokohet, gjuan sërish, por jashtë.

58’ Hoti ishte në pozitë mjaft të mirë diku afër 16-m, por gjuajti plogësht dhe pa problem Bekaj.

77’ Rast tjetër që do ta përfundonte fituesin. Hoxha luftoi fortë për një top dhe ia shtyn Khalidit i cili e kalon Prekazin e del pak nga e majta vetëm me portier, nuk shikon fare, gjuan furishëm, por drejt në portierin Maloku, Januzi ishte vetëm e mund t’ia pasonte. Ishte rasti më i mirë në ndeshje.

78’ Khalid rrëmben top para zonës vendase e gjuan, por tepër e lartë.

74’ Hoti super pasim nga e majta, Kone ia del të lirohet brenda zonës e gjuan, por Curri e pret këtë gjuajtje të rrezikshme, megjithëse edhe Bekaj ishte i pozicionuar mbrapa mbrojtësit. Ishte ky rasti më i mirë i vendasve.

76’ Shala gjuajti nga ndërprerja, Bekaj e kap topin pas tentimit të dytë.

89’ Taipi provon dëshpërueshëm nga distanca, tepër e lartë.

Deklaruan:

Mirel Josa: Një ndeshje e cila do të duhej të fillonte shumë më mirë për ne, do të ishim më këmbëngulës dhe nuk e bëmë këtë në pjesën e parë. Ne nuk lëvizëm mirë pa top, e ngushtuam shumë skuadrën dhe nuk vertikalizuam dhe bëmë atë që t’i thjeshtësonim më shumë lojën Feronikelit të cilët sot luajtën për pikë dhe po të na godiste do të na i merrte edhe tre pikët. Unë jam i kënaqur në përgjithësi në pjesën e dytë nga skuadra edhe kur skuadra doli me dy sulmues. Jam i kënaqur, sepse skuadra ngulmoi dhe e kërkoi fitoren, por gjë që nuk erdhi dhe janë gjëra normale, sepse edhe kundërshtari luan futboll dhe ne edhe mund të kishim pësuar në pjesën e dytë nga kundërsulmet dhe disa sulme që bënë. Por, kur dy skuadra luftojnë për të fituar kjo është gjëja më e bukur në futboll. Kam thënë edhe herëve tjera, ne nuk duhet shohim se çfarë Drita. Jemi tani dy skuadra të cilat mund të dalim kampion dhe nga këto dyja do të dali një. Kemi tani edhe një shans tjetër dhe ku na pret tjetër ndeshje e fortë me Gjilanin me të gjitha problemet që ne i kemi dhe sidomos që ndeshja është pas tre ditëve, të jetë ndeshje shumë e vlerësuar nga ne në çdo drejtim.

Sulejman Starova, kryetrajner i Feronikelit: Unë do të thoja që ishte elitë e futbollit të Kosovës. Prishtina favorite për të fituar titullin dhe kupën. Ne bëmë dy ndeshje, para se të dalë te vlerësimi maksimal për lojën, ku ne treguam që ne luftojmë për lojën, për veten tonë edhe pse na vije keç kujt i kemi prishur punë, por kjo është sekondare. I treguam edhe Dritës që ne luanim për vetën tonë dhe askënd tjetër. Kemi bërë ndeshje shumë të mirë dhe është kënaqësi kur luan mirë me kundërshtar të mirë dhe të fortë siç është Prishtina. Jam i kënaqur nga loja, sigurisht kishim mundësitë të merrnim edhe fitoren, sepse të them të drejtën ishim ne më afër. Por, më vjen keç e them që i prishëm punë Prishtinës pa dashje, në sensin që nuk kishim mundësi tjera. Në luftë për titull, Prishtina e ka eksperiencën, ka ndeshjen e fundit vendas, ka disa avantazhe, por pak gjëra i ndajnë dy skuadrat për titull. Ka elemente pozitive te Drita që s’i ka Prishtina dhe ka elemente Prishtina që s’i ka Drita, por edhe Prishtina ka luajtur në fushë asnjanëse që po të krahasosh atmosferën që krijohet në Dritë dhe atmosferën në thonjëza që ka vuajtur Prishtina në fushë asnjanëse në njëfarë mënyre edhe e ka paguar këtë.