Lajme

Java XXX: Prishtina – Liria

Java XXX: Prishtina – Liria

Rivalët e moçëm me caqe të ndryshme


Prishtinë, 9 maj, 2017 – Prishtina dhe Liria, ndër dy rivalët më të moçëm në historinë e futbollit tonë, por me caqe të ndryshme – bardhekaltrit ende në luftë për Evropë, kurse Liria në luftë për ekzistencë, më saktësisht për t’i ikur barazhit.

Prishtina në fundjavë ka humbur tre pikë të rëndësishme me Llapin dhe nëse nuk i merr të tre pikët me Lirinë përfundon ëndrra e luftës për Evropë.

Prishtinës do t’i rikthehet kapiteni Armend Dallku, por mbetët i suspenduar Liridon Leci, ndërsa listës së lënduarve, Alban Muqiqi, Ahmed Januzi, Gentrit Begolli, i shtohet edhe Endrit Krasniqi.

Prishtina në dy ndeshjet e këtij edicioni ka mposhtur Lirinë, në Prizren 2:1, ndërsa në Mitrovicë 1:0.

Vala Superliga - Java XXX

Prishtina – Liria

E mërkurë, 10 maj – ora: 16.00

Stadiumi: “Agron Rama”, Kastriot

Drejtpërdrejtë: Supersport Kosova, Radio Kosova


Thaqi: Hendikep mungesat, por ekipi i motivuar për rikthimin e fitoreve

“Edhe në këtë ndeshje kemi mungesa të theksuara, megjithatë ekipi është i motivuar pas humbjes me Llapin dhe mezi s’presin që t’i kthehemi sërish fitoreve”, ka thënë kryetrajneri, Arsim Thaqi.

Pefqeli: Ndeshje jo e lehtë – duhet të japim maksimumin

“Nuk do të jetë ndeshje e lehtë, sepse Lirisë i duhen pikët për t’i ikur barazhit, kurse neve na duhen për vendin e dytë dhe për ta fituar këtë ndeshje të vështirë duhet të japim maksimumin”, ka thënë Mergim Pefqeli.

Statistikat:

Prishtina dhe Liria pas luftës kanë zhvilluar 38 ndeshje të përgjithshme zyrtare (kampionat e kupë). Prishtina ka bilanc larg pozitiv, prej 21 fitoreve, 8 barazime dhe 9 humbjesh me goldallim 61:33.

Në këto 38 ndeshje, dy skuadrat sëbashku duke shënuar 94 gola, kanë mesatare shumë të lart shënimi prej pothuajse 2.5 golave për ndeshje. Vetëm një herë është luajtur pa gola (në Prishtinë), kurse rezultati më i shpeshtë ka qenë 1:0 – 10 herë (Prishtina i ka 7 fitore, prej tyre 5 si vendas, kurse Liria 3 – në Prizren). Baras 1:1 është luajtur 7 herë, prej tyre 5 në Prizren.

Liria i ka vetëm dy fitore më të larta se një gol epërsi, 3:0 dhe 1:3. Kurse, Prishtina ndër fitoret më të larta në kampionat e ka me Lirinë 6:1, por ka fituar edhe me 4:0 e 4:1.

61 golat e Prishtinës i kanë shënuar 38 futbollistë. Prin bindshëm ish-futbollisti i dy skuadrave, Uliks Emra me 4 gola (1x2), i ndjekur nga ish kapitenët, Aze Ahmeti e Isuf Llumnica me 3 gola dhe që të dy nga një dygolësh. Nga 3 gola kanë edhe Astrit Fazliu e Besnik Krasniqi. Nga futbollistët aktivë kanë shënuar katër futbollistë, Endrit Krasniqi 2 (1x2), Liridon Kukaj 2 (1x2) dhe nga 1 gol kanë Shend Kelmendi e Debatik Curri.

33 golat e Lirisë i kanë shënuar 18 futbollistë. Prin larg bindshëm Erxhan Dana me 6 gola (1x2), i ndjekur nga ish-futbollisti i dy skuadrave, Fitim Krusha me 4, si dhe Fatih Karahoda me 3 (1x2) aq sa ka edhe Rafet Mullallari.

Në këto 38 ndeshje, Prishtinës i kanë prirë rekord trajnerësh 17, ndërsa Lirinë 12 trajnerë. Më së shumti përballje kanë Ramiz Krasniqi me Behajdin Gjinalin dhe “Mizi” me Prishtinën i ka 3 fitore e 1 barazim si dhe Jusuf Tortoshi me Shenger Shengyli, ku prinë trajneri prizrenas me dy fitore e dy barazime.

Tek Prishtina më së shumti kanë prirë Ajet Shosholli 8 ndeshje (4 fitore, 3 barazime e 1 humbje me goldallim 9:3), Ramiz Krasniqi 7 ndeshje dhe rekord prej 7 fitoresh e 1 barazim (18:6).

Tek Liria, Erdogan Celina ka 9 ndeshje (3-3-4, 11:17) dhe Skender Shengyli me 9 ndeshje (5-2-1, 13:11).

Avni Durmishi