Lajme

Java XXX: Prishtina – Liria 3-1

Java XXX: Prishtina – Liria 3-1

Dy gola të Mankendës dhe goli i Khalid rikthejnë skuadrën sërish në vendin e dytë


Kastriot, 10 maj, 2017 – Prishtina sot pati disa aksione për mbamendje, ndërsa Liria ishte mjaft e dobët, pothuajse inekzistente dhe nuk mbahet në mend të ketë mposhtur Prishtina rivalët e moçëm nga Prizreni me më lehtësi se sa sot.

Dy golat e parë ranë me gabime të dy mbrojtjeve, kurse pjesa e dytë u dominua tërësisht nga bardhekaltrit dhe kanë mundur të shënojnë edhe më shumë gola.

Megjithatë, me rëndësi janë tre pikët. Edhe pse është mbyllur lufta për titull, Prishtina tani ka rikthyer vendin e dytë dhe deri në fund me tre përballje do t’i ketë tre finale, për të ruajtur këtë pozitë dhe për të shpresuar se Llapi nuk do ta fitoj Kupën dhe se skuadra do të licencohet për të marrë pjesë në UEFA Ligë.

Ndeshjen e javës së XXXI, Prishtina e zhvillon të dielën më 14 maj në Drenas nga ora 17.00 ku e pret, tani vendi i katërt, Feronikeli, por dallimi i pikëve është vetëm dy, ndërsa Llapi ndërmjet me një pikë më pak diferencë.

Java XXX

Prishtina – Liria 3:1 (1:1)

Golat: Gauthier Mankenda 28’, 55’, Basit Abdul Khalid 78’ – Henry Chibueze 39’

Shikues: 100

Gjyqtarë: Fatmir Tahiri (Mt), Alban Ejupi (Pd), Visar Kelmendi (Pe) – Mervan Bejtullahu (Gjl)

KV: V. Bekaj, A. Dallku, L. Maxhuni – R. Gjeraj, H. Chibueze

Pozita jashtë lojës: Pri 3-1 Lir

Kornerët: Pri 8-2 Lir

Gjuajtjet totale: Pri 13-4 Lir

Gjuajtjet në portë: Pri 7-3 Lir

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 22. Lorik Maxhuni, 4. Armend Dallku /c/, 6. Debatik Curri, 93. Mergim Neziri – 7. Lorik Boshnjaku, 16. Genc Hamiti, 77. Mergim Pefqeli (23. Blend Baftiu – 72’) – 15. Gauthier Mankenda (11. Bleon Sekiraqa – 84’), 9. Shend Kelmendi (66. Arbër Hoxha – 60’), 25. Basit Abdul Khalid. Zëvendësues: Ardit Nika, Gentrit Dumani, Agon Xhaka, Liridon Kukaj. Kryetrajner: Arsim Thaqi.

Liria: 1. Armend Ruxhi – 20. Valon Bytyqi, Richard Asare (14. Fillim Guraziu), Robert Gjeraj /c/, 15. Behar Dina (9. Qendrim Gashi – 37’), 4. Vigan Rexhaj (6. Elbasan Gashi – 53’), 25. Arbër Likaj, 16. Rroni Gashi, 8. Ilir Mustafa, 19. Henry Chibueze, 5. Meriton Korenica. Kryetrajner: Bekim Bakaj.

Gauthier Mankenda

Komenti:

Gauthier Mankenda ka shënuar dy gola duke arritur në shifrën prej 6 realizimeve dhe duke e ndjekur Abdul Basit Khalid që sot ka shënuar në ndeshjen e katërt rresht dhe tani ka gjithsejtë 11 realizime. Ndërsa, Dallku me asistimin e tij ka arritur në shifrën prej 4 sa ka edhe Krasniqi, por shumë larg Mankendës me 9, ndërsa për Boshnjakun ishte asistimi i dytë dhe e jashtëzakonshme që portieri Visar Bekaj tani e tutje do të figuroj me një asistim.

Basit Abdul Khalid

Prishtina sot sikur iu nënshtrua lojës së plogësht të mysafirëve. Me lehtësi dilte deri para portës, por finalizimi ishte e meta edhe e kësaj ndeshje me gjithë tre realizimet. Po ashtu, sërish u pësua gol me gabim, por kësaj here pa pasojën e humbjes së pikëve.

Prishtina me këtë fitore del sërish në vendin e dytë me 63 pikë, kurse prinë, tani kampioni i ri, Trepça ‘89 me 74, në vendin e tretë ndodhet Llapi me 62 dhe e 4-ta Feronikeli me 61 pikë. Me këtë të fundit, kampion të deri djeshëm, Prishtina do t’i mas forcat të dielën.

Minutë pas minute:

5’ Korenica luan mirë dhe gjuan rrezikshëm ballore, pranë shtyllës.

7’ Maxhuni harkoi nga e djathta e Pefqeli me kokë plogësht për Ruxhin. “Pefqa” edhe më parë tentoi duke gjuajtur jashtë.

8’ Khalid shfrytëzon shpejtësinë dhe i ikën e i del përpara Asares, i cili megjithatë ia doli t’ia bllokoj gjuajtjen sulmuesit të Prishtinës me çka topi shkoi shumë pranë pingules.

12’ Hamiti provoi gjuajtjen nga 20-metra, e plogësht.

14’ Tani provon Neziri nga e majta, jashtë.

16’ Sërish provon Hamiti, por tani e lartë.

21 Mbrojtja mysafire e posaçërisht Asare gaboi rëndë, por edhe më i pasaktë u tregua Khalid kur nga 2 metra e huqi krejtësisht portën.

28’ Khalid luftarak e ndjek mbrojtësin dhe kapitenin Gjeraj deri te vija anësore, ia del që me kokë t’ia qet përpara kapitenit Dallku që sikur kishte mbi me aq shpejtësi kishte shtruar trysninë në portën mysafire duke depërtuar deri para portës kur gjuan, e portieri Ruxhi pret e topi kthehet te Khalid që disi si me fat i vazhdohet Boshnjakut në krahun tjetër. E Boshnjaku si me dorë harkoi për Mankendën e ky i fundit aq pak ndërroi kahun topit me kokë sa mjaftoi të futej në rrjetë. Ishte aksion i luftuar shkëlqyeshëm dhe me meritë u shndërrua në gol – 1:0.

39’ Por, shpejtë pësohet goli. Curri gabon rëndë duke e kthyer topin mbrapa te portieri Bekaj, por që para tij ndodhej Chibueze që ia del të ndal tentimin e dëbimit nga portieri ynë dhe me t’iu kthyer topi me saktësi pak nga e djathta e vendos në rrjetë – 1:1.

47’ Pefqeli depërtoi nga e djathta dhe pas pasimit dhënë Kelmendit, ky gjuan, por topi devijohet e përfundon shumë pranë traversës.

49’ Dallku harkoi bukur nga e djathta, Curri e ulë me kokë për Pefqelin i cili në mënyrë paksa ekzibicionale e drejton topin në rrjetë. Por, anësori sinjalizoi për pozitë jashtë lojës.

50’ Khalid nga 14 metra, gjuan fortë me kokë sikur të gjuante me këmbë, por shumë lartë portës.

55’ Këndoren nga e majta e harkon Boshnjaku, aty para portierit kur topi dëbohet në krahun e djathtë ku ndodhej Dallku i cili gjuan, jo aq fortë, drejt portës, e që doli asistim i përkryer për Gauthier Mankenden i cili ndodhet i vetëm shumë pranë dhe drejtoi topin në rrjetë – 2:1.

62’ Dalje e gabuar e portierit Bekaj që prek topin me dorë jashtë zonës. Por, në mënyrën më të mirë e përmirëson gabimin duke e pritur gjuajtjen e Korenicës, topi dukej se do të përfundonte në rrjetë, por intervenim i saktë i Bekajt.

78’ Mysafirët përfundojnë aksionin pa sukses. Topin e merr portieri Visar Bekaj dhe si me dorë nga zona e tij pason diku në 60 metra në anën e majtë për Basit Abdul Khalid e që përball e kishte vetëm mbrojtësin e ngadalshëm, Gjeraj, shfrytëzoi shpejtësinë e kaloi nga e majta dhe pranë pingules me të djathtën vendosi topin në rrjetë. Shah-mat me dy proteza ishte aksioni i cili qoi ata pak shikues në këmbë – 3:1.

90’ I riu Sekiraqa pas depërtimit nga e djathta gjuajti jo aq fortë dhe portieri Ruxhi e ndali pa problem.

90+2’ Korenica si me dorë e qet vetëm me portier Guraziun, gjuajtjen e të cilit me sukses e ndali nga afërsia portieri Visar Bekaj që sot u dallua.


Deklaruan:

Arsim Thaqi, kryetrajner i Prishtinës: Me rëndësi janë pikët, por kënaqësia më e madhe për mua si trajner është kur u jepet mundësia të luajnë lojtarët e rinj 16 vjeçar si Bleon Sekiraqa, apo edhe Arbër Hoxha e Blend Baftiu. Dhe kjo për t’iu treguar tjerëve se Prishtina ka lojtarë të ri, ka potencial , ka të ardhme pa marrë parasysh a e ka fituar titullin a jo, sepse të paktën Prishtina i ka fituar disa lojtarë të ri shumë cilësor.

Gauthier Mankenda: Është fitore e rëndësishme që na i sjell tre pikë që na vendos sërish në vendin e dytë. Pozitë kjo që do të duhej të na dërgonte në Evropë. Ishte meritë e tërë futbollistëve dhe kuptohet se jam i kënaqur që shënova e kënaqësia është më e madhe, se jo një, por më në fund shënova dy herë. Shpresoj të vazhdoj të shënoj edhe në tre ndeshjet e mbetura e mbi të gjitha të ruajmë vendin e dytë.

Bekim Bakaj, kryetrajner i Lirisë:
Humbëm ndeshjen me fajin tonë, me gabimet tona. Nuk i mbuluam lojtarët e rrezikshëm dhe aty dështuam në çastet e fundit dhe humbja ishte e pashmangshme. Kemi ndeshje tjera me rëndësi, sot patëm edhe tre mungesa e me rikthim e tyre ne duhet t’i fitojmë ato që t’i ikim barazhit.

Avni Durmishi