Lajme

Java XXXI: Feronikeli – Prishtina 1:2

Java XXXI: Feronikeli – Prishtina 1:2

Fitore e madhe që pothuajse siguron nënkampionin

Drenas, 14 maj, 2017 – Sot pa asnjë dyshim është zhvilluar njëra ndër ndeshjet më të mira kampionale për këtë edicion, e mbase ndeshja më e mirë e Prishtinës në këtë kampionat. Prishtina ka fituar me plotë meritë, e ka mundur të fitoj edhe më thellë. Por, po ashtu ka mundur të mbyllet edhe me rezultat baras apo edhe kanë mundur krejtësisht vendasit. Ndeshje absolutisht pa kalkulime, ofensive nga dy skuadrat dhe shumë raste nga dy palët. E Prishtina pse fitoi, ndoshta pse bëri dallimin në cilësi me dy lojtarët me origjinë afrikane, e ndoshta se ka mbrojtjen më me përvojë në Superligë dhe një portier të ri që duket se është rikthyer në formë.

Fitorja ishte e madhe, dhe tani bardhekaltërve nga dy ndeshjet e mbetura (me Trepçën ’89 të dielën më 21 maj në Kastriot dhe të fundit në Skenderaj) i duhen vetëm edhe dy pikë për vendin e dytë që do të dërgonte në Evropë me kusht që Besa në finale të Kupës mposhtë Llapin.

Java XXXI:

Feronikeli – Prishtina 1:2 (1:1)

Golat: Behar Maliqi 45’ (pen) – Basit Abdul Khalid 22’, Gauthier Mankenda 62’

Shikues: 1.000

Gjyqtarë: Gramos Shala (Pe), Besnik Morina (Vu), Kujtim Bajrami (Gjl) - Fatmir Tahiri (Mt)

KV: M. Zeka, B. Maliqi, M. Hoti, F. Gerbeshi – M. Pefqeli, A. Dallku

Pozitat jashtë lojës: Frn – 4-2 Pri

Kornerët: Frn 9-2 Pri

Gjuajtjet totale: Frn 9-9 Pri

Gjuajtjet në portë: 5-5 Pri

Feronikeli: 33. Faton Maloku – 19. Lulzim Doshlaku, 4. Fidan Gerbeshi /c/, 5. Ardian Limani, 18. Haxhi Shala, 25. Bujar Shabani, 20. Behar Maliqi, 26. Diar Prokshi (9. Mevan Zeka – 28’ – 7. Mentor Zhdrella – 63’), 17. Mendurim Hoti, 99. Yll Hoxha, 10. Blerand Kurtishaj. Kryetrajner: Ramiz Dervishi.

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 22. Lorik Maxhuni, 4. Armend Dallku /c/, 18. Liridon Leci, 18. Gentrit Dumani (34. Agon Xhaka – 90+1’) – 7. Lorik Boshnjaku, 77. Mergim Pefqeli, 6. Debatik Curri (16. Genc Hamiti – 75’) – 9. Shend Kelmendi (66. Arbër Hoxha – 63’), 15. Gauthier Mankenda, 25. Basit Abdul Khalid. Zëvendësues: Ardit Nika, Liridon Kukaj, Donat Hasani, Blend Baftiu. Kryetrajner: Arsim Thaqi.

Komenti:

Feronikeli dhe Prishtina, përballjet e tyre vërtetuan edhe sot që prodhojnë ndeshje të forta, interesante dhe shumë cilësore. Prishtina maksimalisht e motivuar kundër dy-herë kampionëve rresht. Vendasit, assesi nuk donin të dorëzoheshin, por sot pas ndeshjes shtrinë dorën e uruan rivalin sot më të mirë.

Për Prishtinasit sot shënuan, Khalid – golin e tij të 12-të dhe asistimi i parë, kurse Mankenda ka shënuar golin e tij të 7-të dhe asistimin e 10-të. Ndërsa, Behar Maliqi kundër Prishtinës ka shënuar golin e 6-të.

Minutë pas minute:

8 Doshlaku me gjuajtje dinake nga e djathta, në vend portieri Bekaj.

19’ Kundërzbritje e shpejtë, luajnë mirë nga e djathta Maxhuni e Kelmendi e në fund Mankenda edhe pse pozitë e mirë koritet duke mos qëlluar as portën.

22’ Aksion nga e majta, Mankenda në stilin e tij lirohet e tenton sa harkim aq gjuajtje, topi devijohet e mashtron portierin Maloku i cili nuk ia del ta ndalë dhe nga afërsia shënon Khalid. Vendasit sinjalizuan për pozitë jashtë lojës – 0:1.


32’ Pefqeli edhe pse nën presionin e Maliqit ia del të gjuaj ballore 20-metra, pak jashtë pingules.

33’ Mankenda kroson rrezikshëm nga e majta, s’ia del të mbërrij as Curri e as Khalid dhe topi rrezikshëm përfundon jashtë skaj pingules.

Gentrit Dumani

34’ Kundërzbritja e vendasve, Zeka nga e majta drejton top në zonë që në momentin e fundit e prek portieri Bekaj, pason gjuajtje nga vendasit që bllokohet nga mbrojtja prishtinase.

39’ Maliqi gjuan furishëm nga distanca, devijohet paska e qëllon pjesën e jashtme të pingules së djathtë.

42’ Leci nga gjuajtja e lirë gati 45 metra gjuan furishëm, pak mbi tra.

44’ Maxhuni ndal nga mbrapa Zekën, gjyqtari Shala gjykon në pikën e bardhë. Se a ishte penallti duhet parë pamjet televizive.

45’ I saktë nga pika e bardhë Behar Maliqi – 1:1.

Meegim Pefqeli

50’ Pefqeli rrezikon me gjuajtje të fortë direkte, portieri Maloku dëbon në këndore.

52’ Bashkëveprime të Yll Hoxhës e Mendurim Hotit që në fund nga pozitë e pastër e huq komplet kuadratit duke gjuajtur shumë lartë. Rast ideal ishte ky.

62’ Me gjasë Pefqeli e udhëheq aksionin, e vazhdon topin djathtë te Khalid që e vazhdon te Mankenda në zonë, ky pasi e ndal dhe e qetëson topin, me saktësi milimetrike e vendos topin në këndin e djathtë të pambrojtur nga portieri Maloku. Gol tejet i bukur – 1:2.

70’ Maliqi nga pozitë ballore gjuajtje të fortë, pret Bekaj.

76’ Doshlaku harkoi para portieri Bekaj, nga distancë shumë e afërt Maliqi gjuajti me kokë dhe portieri Bekaj tregoi reflekset dhe priti gati çka s’pritet, këndore.

82’ Khalid del i vetëm me portierin Maloku që ia pret gjuajtjen, nga topi i rikthyer Genc Hamiti nuk u tregua i saktë duke drejtuar topin në portë, shpëtojnë vendasit nga rast ideal.

83’ Labinot Osmani, gjuan ballore, por skaj portës së Bekajt.

Gauthier Mankenda

84’ Mankenda nga e djathta kalon dy lojtarë edhe portierin Maloku, e kishte Hamitin për ta pasuar, tenton të përfundoj vetë aksion, dhe dikush nga futbollistët vendas e prek e devijon topin dhe shpëton gol të sigurt e që megjithatë Mankenda u tregua vetjak në këtë rast.

Gauthier Mankenda

88’ Yll Hoxha gjuan ballore rrezikshëm, pranë kuadratit.

Deklaruan:

Arsim Thaqi, kryetrajner i Prishtinës: Prej kur jam emëruar trajner në Prishtinë, unë jam marr vetëm me ekipin tim dhe me rezultatet që më takojnë mua dhe Prishtinës si ekip. Ndërsa, duke e analizuar lojën, Feronikeli dëshmoi edhe sot që jorastësisht viteve të fundit e ka dominuar futbollin e Kosovës, duke llogaritur sidomos pjesëlojën e dytë që na krijoi shumë vështirësi, e sidomos pas epërsisë sonë prej 2:1. Sidoqoftë, fitorja besoj është e merituar dhe normalisht e uroj klubin, lojtarët dhe qytetin e Prishtinës për këtë fitore e cila së paku na jep mundësi të mbyllim kampionatin si nënkampion. 

Basit Abdul Khalid: Edhe një ndeshje, si të gjitha këto deri sot, e luftuar si ekip me fitore të çmuar që besoj shumë se në fund do të na shërben për vendin e dytë. E pranoj, ishte lojë shumë e fortë dhe ndër më të mirat që e kemi luajtur, sepse Feronikeli s’është ekip i vogël, por ne kësaj here luftuam shumë duke e menaxhuar mirë lojën dhe me meritë e fituam atë. 

Ramiz Dervishi, kryetrajner i Feronikelit: Realisht, kjo humbe faktikisht na largon dhe nuk mund të kapim vendin e dytë. Ishte lojë që nuk mungoi vullneti as dëshira për fitore, mirëpo u shfaqën disa dobësi që na kushtuan, por na mungoi edhe fati kështu që na mbetet vetëm t’i dëshiroj suksese Prishtinës e t’i uroj për fitore.

Avni Durmishi