Lajme

Java XXXI: Prishtina - Gjilani 2-1 (0-1)

Java XXXI: Prishtina - Gjilani 2-1 (0-1)

Prishtina ka fituar ndeshjen dramatike për infarkt

Pejë, 6 maj 2018 - Zhvillohet minuta e 76-të, mysafirët udhëhiqnin 0:1, pas një pjese të parë shumë të plogësht, dhe tre zëvendësimeve që dolën të arta, ishin lëshuar disa raste dhe po vije fundi i ndeshjes. “Plisat”, që as nga shiu i rrëmbyeshëm nuk po ndaleshin, përkrahin skuadrën dhe shpresonin sikur të ishte minuta e parë e ndeshjes… Baftiu merr topin nga e majta, tenton sa harkim, sa goditje në portë, se si e merr topi rrugëtimin e tij e pabesueshme, kalon portierin Kaqiu e godet pingulen e djathtë e futet në rrjetë. Goli debutues i Baftiut, gëzim i madh i “Plisave”. Nuk ndalen së shpresuari, së përkrahuri skuadrën….humbën edhe disa tentime tjera. Por, po zhvillohej minuta e 89-të, Osmani nga e djathta futet në zonë me saktësi e hedh topin prapa shpinës së gjilanasve ku ndodhej Khalid i cili nuk gjuan me të parën, e ndal, e rregullon, nuk ia dalin të bllokojnë gjuajtjen mbrojtja e ngjeshur gjilanase, dhe topi futet në rrjetë. E pabesueshme, skuadra rikthehet nga “vdekja”, hynë në Luftë në dy ndeshjet e fundit për titull, “Plisat” në fushë gëzohen me futbollistë, gjilanasit sikur të ishin pushkatuar të gjithë të shtrirë në fushë.

Ishin këto 15 minutat më dramatike që kemi në fitoret e Prishtinë në dy vitet e fundit. Skuadra tregoi fuqi, karakter, vullnet, dëshirë të jashtëzakonshme që të rikthej titullin pas katër edicionesh.

Lufta vazhdon, beteja e parafundit, atje nga ku Prishtinë gjithmonë ka sjellë rezultate historike, në Prizren, Liria e pret skuadrën nga kryeqendra, e pastaj, lufta direkte për më të mirin, me liderin aktual në klasifikim, Dritën. Drita në javën e parafundit i pret akoma në fuqi kampionët e Trepçës ‘98, ndërsa Prishtina në Prizren me Lirinë. Mbetet dallimi 3 pikë dhe tani pas fitores së sotme të gjilanasve ndaj Lirisë, çfarë do rezultati të saj në ndeshjen me “minatorët”, Prishtinës i duhet fitorja me Lirinë dhe fitorja me Dritën.

Pra, Prishtina ka edhe dy finale të jashtëzakonshme para vetes dhe futbollistët sot treguan që mund t’ia dalin.

Java XXXI:

Prishtina - Gjilani 2:1 (0:1)

Golat: Blend Baftiu 76’, Basit Abdul Khalid 89’ - Edon Sadriu 44’

Gjyqtarë: Fatmir Tahiri (Mt), Besnik Morina (Vu), Imran Kabashi (Mt) - Erdall Zasella (Mt)

KV: V. Bekaj, P.Osmani - E. Sadriu

Pozita jashtë lojës: Pri 2-0 Gjl

Kornerët: Pri 6-2 Gjl

Gjuajtjet totale: Pri 11-3 Gjl

Gjuajtjet në kuadrat: Pri 6-1 Gjl

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj - 88. Përparim Osmani, 6. Debatik Curri /c/, 3. Jamal Arago, 13. Abdul Bashiru - 20. Shqiprim Taipi, 66. Ergyn Ahmeti (21. Blend Baftiu - 59’), 29. Drashko Bozhoviç - 11. Liridon Fetahaj (9. Basit Abdul Khalid - 46’), 15. Gauthier Mankenda (77. Mergim Pefqeli - 71’), 27. Ahmed Januzi. Zëvendësues: Alban Muqiqi, Gentrit Dumani, Agon Xhaka, Lorik Maxhuni. Kryetrajner: Mirel Josa.

Gjilani: 1. Donat Kaqiu - 2. Armend Thaqi, 28. Leutrim Bekteshi, 4. Ylber Kastrati /c/, 33. Fisnik Papuqi, 21. Edmond Turku, 13. Ergon Hyseni, 8. Salih Kosumi (14. Filonit Shaqiri - 88’), 11. Edon Sadriu (25. Hasan Hyseni), 17. Gëzim Rusi (20. Edison Kqiku - 81’), 22. Betim Haxhimusa. Kryetrajner: Alban Hyseni.

Komenti:

Prishtina sot ka fituar tre pikë të arta. Në minutën e 75-të me rezultatin 0:1 e kishte të humbur kampionatin, pas 76-së ishte në garë duke shpresuar tek tjerat, kurse në minutën e 89-të u pa dëshira e jashtëzakonshme e futbollistëve, të cilëve, megjithatë shpresën e madhe për luftë u dha Baftiu, e Khalid e përfundoi, ashtu siç dinë vetëm ai t’i vendos ndeshjet e rëndësisë së veçantë.

Për ndeshjen e ardhshme skuadra nuk ka mungesa, rikthehen Dallku e Hoxha nga suspendimi dhe të kompletuar do të udhëtojnë për ndeshjen e madhe me Lirinë.

Minutë pas minute:

9’ Arago gabon duke ia dhënë në këmbë topin Thaqit, i cili kroson nga e djathta e tenton me kokë Papuqi, por intervenon Curri dhe topi shkon rrezikshëm me shtyllën e djathtë.

24’ Papuqi e harkon këndoren e majtë, E. Hyseni nga e dyta gjuan me kokë, por pak e lartë.

34’ Osmani depërton nga e djathta drejt zonës e pastaj ia rikthen anash Mankendës që kroson në zonë ku Januzi ia kthen Ahmetit, por gjuajtjen e tij e ndal pak intervenimi i mbrojtësit dhe kap portieri.

43’ Thaqi rrezikshëm merr top mbrapa shpinës së mbrojtjes së ish-skuadrës së tij, del me portier, por nuk e ndal si duhet, dhe intervenojnë kryeqytetasit.

44’ Aksionin nga qendra, e pastaj përtoke nga e majta e që Curri rrëshqiti e nuk ia doli të ndalte, e shfrytëzon Edon Sadriu dhe nga qendra e zonës shkon bardhekaltrit - 0:1.

71’ Kishte kohë që prishtinasit po tentonin, por rast të sigurt shënimi ende s’kishin krijuar me gjithë mësymjen totale përpara. Tani Baftiu e harkon këndoren nga e majta, e Curri nga e “dyta” gjuan me saktësi në portë që e kishte lëshuar portieri, por jo edhe mbrojtësi Thaqi që nga vija e portës dëbon me kokë mbi tra.

73’ Tani Bozhoviç e harkon këndoren e djathtë, nga afërsia e shtyllës së parë gjuan me kokë Januzi, por vetëm rrjeta e jashtme.

76’ Prishtina kishte tërë pjesën e dytë dhe me çdo kusht tentonte depërtimet nga krahët e pastaj krosimet. Njëjtë nga e majta, gjuan Baftiu, u duk si harkim, por ishte shumë e fortë, e topi fluturon mbi duart e portierit Kaqiu që i shkoi huq tentimi e preku pingulen e djathtë dhe u futë në rrjetë - 1:1. Gëzim i paparë i futbollistëve bashkë me tifozë.

79’ Prishtina vazhdon me tentimet për golin e dytë. Bozhoviç ishte në disa raste në pozitë për të gjuajtur, nuk e bënte, tentonte pasimin, kurse tani provoi gjuajtjen nga jashtëzona, por jashtë.

79’ Nuk ndalet Prishtina. Tani nga distanca provon Baftiu, kap portieri.

80’ Bozhoviç harkoi nga e majta e në shtyllën e dytë ku ndodhet e shkëputet e gjuan Khalid, e lartë.

83’ Bozhoviç merr top në zonë kthyer me shpinë, i kapur fortë nga Papuqi, por gjyqtari Tahiri nuk jep penallti dhe ky ishte gabimi i vetëm i gjyqtarëve.

85’ Çfarë rasti, Pefqeli pranon top në zonë e pak nga e majta, pozitën e hapur me portier, tenton këndin epërm, por pak e lartë.

86’ Pefqeli tani harkoi si me dorë nga e majta e në këndin e kundërt, Khalid pozitë ideale, por e gjuan me kokë plogësht e kap portieri.

87’ Curri pasi i evitohet një futbollisti nga e djathta e harkoi me të majtën e në shtyllën e dytë ku ndodhej Khalid i cili megjithëse i mbuluar nga mbrojtësi Thaqi ia dolë të gjuante me kokë, por e lartë.

89’ Pa i parë pamjet televizive me vështirësi se dikujt do t’i bie ndërmend se si rrodhi ky minutë...kur Osmani pranoi top në të djathtë e futet në zonë e si me dorë e kthen pak mbrapa futbollistëve tjerë kur Khalid nuk gjuan me të parën, por e ndal dhe me gjithë tentim e mysafirëve nuk ia dolën të ndalnin - ishte ky goli i çmendur i fitores - 2:1

90’ Në sekondat e fundit, gjilanasit dy herë tentuan duke mos u dorëzuar dhe rrezikshëm drejtuar topin në zonë, por nuk ia dolën të gjuanin.

Deklaruan:

Mirel Josa: Vetëm kur filluam të luajmë më sigurt më topin, atëherë fituam sigurinë e kërkuar. Normal, goli i Baftiut na futi në lojë duke u shënuar në një moment shumë të mirë për ne dhe i cili për mendimin tim ishte njëri nga lojtarët që i dha impuls lojës, sa i përket saktësisë. Por, këtu duhet futur edhe këmbënguljen e lojtarëve tjerë, sepse ne në momente po e humbnim qetësinë kur po dilnim para portës. Vazhdojmë punën, kemi edhe dy javë tjera e ku kemi ndeshje shumë të vështirë me Lirinë. Të shohim si do të dali ajo e pastaj po ta ketë shkruar Zoti për t’u bërë në ndeshjen e fundit çdo gjë, do të bëhet, do të fitoj më i forti.   

Blend Baftiu: Kënaqësi e madhe të shënoj golin tim të parë me Prishtinën, por, kënaqi edhe më e madhe është kur i ndihmoj ekipit t’i marrë tre pikë, sepse fundi i fundit tani çdo ndeshje e kemi sikurse finale dhe na duhet vetëm pikët maksimale. Jemi duke luftuar të gjithë maksimalisht, sepse e dimë që fanella e Prishtinës se çfarë peshe ka. Jemi duke luftuar të gjithë për njëri tjetrin. Jemi duke luajtur me zemër, ashtu siç u pa edhe sot duke e rikthyer rezultatin nga 0:1 në pjesën e parë në 2:1. I urojë bashkëlojtarëve fitoren,“Plisave”, dhe shpresoj që kështu deri në fund do të vazhdojmë me fitore.   

Alban Hyseni: Një pjesë e parë e jona shumë e mirë e jona, besoj kemi pasur dy-tre dalje në sulm shumë të shpejta që kemi mundur t’i konkretizonim. Ndërsa kundërshtari nuk ka pasur edhe aq shumë nga pjesa e parë. Edhe në të dytën e patëm një fillim të mirë, por ekipi u tërhoq shumë në mbrojtje e që nuk kishte këso udhëzimesh nga pushimi i dy pjesëve. Por, ja që hyri në mbrojtje e ndikoj pak edhe goli, ndoshta nga gabimi i portierit që në futboll është normale të ndodh ajo dhe ai gol ndikoi në rrjedhën e takimit në vazhdim. Në përgjithësi mendoj që ishte paraqitje jona e mirë.