Lajme

Java XXXI: Prishtina – Llapi 1-0 (0-0)

Java XXXI: Prishtina – Llapi 1-0 (0-0)

Realizues: Mergim Pefqeli – shpëtimtari i heronjve 88’

Pefqeli

Mergim Pefqeli

Prishtinë, 11 maj 2019 – Bardhekaltratit pas fitores së sotme vazhdojnë luftën për titull.
Tërë pjesa e dytë po dominohej nga vendasit e veçmas po intensifikohej sa afroheshin minutat e fundit. Minuta e 88, rivënie fundore në fushën e mysafirëve nga krahu i majtë pranë bankinës së Prishtinës, Bashiru mendohet për disa sekonda, vendos e ia vazhdon Jasharoskit që pasi e ndal topin mendohet pak dhe e vazhdon në anën e majtë te Mankenda i cili posa i ikën, me gjasë Idrizit, e vazhdon topin në qendër të zonës diku 14-15 metra, e pranon Pefqeli, sikur për një çast i ikën pak topi nga këmba e djathtë, çfarë bëri edhe të mashtronte qendërmbrojtësin llapjan, iu krijua edhe pak hapësirë dhe më, njeriu i golave të momenteve të fundit, s’kishte çfarë të priste, me majën e këpucës “shpic” gjuan e topi e gjen vendin atje ku po priste për shumë minuta të përfundonte, në rrjetën e portës së Llapit.
Erupsion gëzimi, shpërthyen edhe tifozët e shumtë prishtinas që sikur po qëndronin në heshtje në tribunën perëndimore. Për atë lindjes mos të flasim….
Minutat e fundit pas kësaj shkuan shpejtë, Prishtina mori tre pikë të arta për vazhdimin e luftës për titull. Kanë mbetur edhe dy finale, të mërkurën në Prishtinë me Trepçën ’89 (16:00) dhe në fundjavë në Drenas me Feronikelin për titull.

Mankenda

Të pranishëm ishin afër 8.000 shikues, ndërsa lëndimi i Veliut (35’) shokoi jo pak shikues në stadium. FC Prishtina i uron futbollistit të ri të talentuar shërim sa më të shpejtë. 

FC Prishtina

Java XXXI

Prishtina – Llapi 1-0 (0-0)

Mergim Pefqeli 88’

Shikues: 8.000

Gjyqtarë: Genc Nuza, Bujar Selimaj, Elvis Bicaj, Mervan Bejtullahu, Ilir Mehmeti dhe Shpëtim Murtezi. 

KV: A. Jasharoski – B. Emini, B. Idrizi

Pozita jashtë lojës: Pri 8-1 Lla

Kornerët: Pri 8-4 Lla

Gjuajtjet: Pri 9-6 Lla

Gjuajtjet në portë: Pri 6-2 Lla

Prishtina (4-2-3-1): 12. Visar Bekaj – 2. Armend Thaqi, 28. Leotrim Bekteshi, 4. Armend Dallku /c/, 13. Abdul Bashiru – 5. Diar Miftaraj, 3. Jamal Arago (21. Argjend Mustafa – 66’) – 18. Ergyn Ahmeti (19. Alen Jasharoski – 82’), 15. Gauthier Mankenda, 27. Marjo Morina (77. Mergim Pefqeli – 60’) – 9. Basid Khalid. Zëvendësues: Alban Muqiqi, Donat Hasanaj, Ahmet Haliti, Lorik Boshnjaku. Kryetrajner: Mirel Josa.

Llapi: 12. Eglantin Haxho – 8. Benjamin Emini (18. Ilir Blakqori – 74’), 14. Egzon Sinani, 5. Elvis Prençi, 4. Bujar Idrizi, 16. Hamdi Namani /c/, 20. Behar Maliqi (11. Miran Maksuti – 86’), 7. Mentor Zhdrella, 77. Valmir Veliu (25. Remzifaik Selmani – 42’), 97. Festim Alidema, 27. Ahmed Januzi. Kryetrajner: Tahir Batatina.

Dallku

Komenti:

Llapi mbeti ende pa asnjë pikë të fituar në stadiumin e Prishtinës. Çuditërisht në pjesën e dytë sikur edhe tentonte të ruante atë pikë (barazim) që s’i hynte në punë askujt, as Prishtinës as Llapit. Thjesht, trysnia e Prishtinës vetëm po forcohej edhe më shumë, aksion pas aksioni, tentim pas tentimi dhe jo stihike, por të gjitha pothuajse mirë të menduara apo organizuara. Thjesht, sot futbollistët e Prishtinës po e donin fitoren më shumë se kurrë. Por, Zoti iu ndihmon trimave, e kur ke 11 heronj në fushë, del edhe një shpëtimtar si Mergim Pefqeli që i shpëton shokët. Goli në Prizren me Lirinë (edicionin e kaluar), sivjet me Gjilanin dhe tani me Llapin. Këto janë momente për gurmanët e futbollit, por edhe momente të rrezikshme emocionale për tifozët e zjarrtë.

Përndryshe, para ndeshjes, basketbollistët e Prishtinës sëbashku me Plisat festuan titullin e kampionit të fituar mbrëmë.

KV Prishtina

Minutë pas minute:

10’ Mankenda provon gjuajtjen nga distanca, e larg portës.

12’ Super vertikalizim i Morinës për Mankendën në zonë, por përpak ia prek topi mbrojtësi mysafir dhe kap portieri.

Marjo Morina

14’ Tani super vertikalizim i Dallkut për Thaqin, e pabesueshme me gjithë shpejtësinë nuk e mbërrin për pak.

16’ Zhdrella e harkon rrezikshëm këndoren e majtë, 2-3 futbollistë mysafir nuk ia dolën t’ia ndërronin drejtimin topit, rivënie fundore.

Diar Miftaraj

17’ Mankenda harkon nga e djathta, Khalid gjuan me kokë, por jo aq fortë dhe jashtë.

19’ Morina ka topin, e vazhdon në zonë, devijohet paksa nga njëri mbrojtës e shkon te tjetri, ia rrëmben Khalid e shënon, por anulohet për pozitë jashtë loje.

Basid Khalid

20’ Alidema lirohet dhe gjuan furishëm nga distanca, Bekaj e dëbon mbi portë, këndore.

31’ Khalid bukur e fortë gjuan nga jashtëzona, me mund pret e shpëton Haxho.

34’ Arago rrezikshëm tenton krosimin e ulët nga e majta, pas dy tentimeve kap topin Haxho.

Bekteshi

35’Duel në ajër me kokë i Miftarajt e Veliut – ky i fundit bije në tokë pa ndjenja, skena drithëruese te futbollistët e dy ekipeve dhe te publiku. Pas disa minutash intervenim prej mjekëve kujdestar, futbollisti i Llapit me urgjencë dërgohet në spital. Mësohet se futbollisti nuk është në rrezik dhe edhe njëherë Prishtina dhe futbollistët e urojnë të kthehet sa më shpejtë nga lëndimi.

45’ Mankenda e harkon këndoren e majtë, Miftaraj afër shtyllës së parë gjuan me kokë pak mbi portë.

49’ Maliqi provon nga distanca, e lartë.

Arago

52’ Zhdrella ia vazhdon Januzit i cili gjuan rrezikshëm nga distanca dhe vetëm përpjekja maksimale e Bekajt shpëton portën.

66’ Aksion i mirë, Mustafa ia vazhdon Thaqit djathtë e afër shtyllës nuk ia doli të gjente ndonjë bashkëlojtar, intervenon portieri.

Thaqi

76’ Bashiru i ikën mbrojtësit, e gjuan nga pozitë e vështirë, qëllon pjesën e jashtë të pingules së majtë.

Abdul Bashiru

Mustafa

78’ Aksion i bukur, Mustafa ia vazhdon majtë Ahmetit e ku e harkon për Khalidin që gjuan me kokë, por jo aq fortë, llapjanët e ndalin topin te vija fatale.

Ergyn Ahmeti

81’ Januzi ia vazhdon Alidemës në zonë, ishte i kthyer me shpinë nga porta, provon me gjuajtje me kthim, por jashtë.

84’ Mankenda e harkon këndoren e djathtë, Pefqeli gjuan rrëmbyeshëm me kokë, pak centimetra mbi portë.

88’ Rivënie fundore në fushën e mysafirëve nga krahu i majtë pranë bankinës së Prishtinës, Bashiru mendohet për disa sekonda, vendos e ia vazhdon Jasharoskit që pasi e ndal topin mendohet pak dhe e vazhdon në anën e majtë te Mankenda i cili posa i ikën, me gjasë Idrizit, e vazhdon topin në qendër të zonës diku 14-15 metra, e pranon Pefqeli, sikur për një çast i ikën pak topi nga këmba e djathtë, çfarë bëri edhe të mashtronte qendërmbrojtësin llapjan, iu krijua edhe pak hapësirë dhe më, njeriu i golave të momenteve të fundit, s’kishte çfarë të priste, me majën e këpucës “shpic” gjuan e topi e gjen vendin atje ku po priste për shumë minuta të përfundonte, në rrjetën e portës së Llapit – 1:0.

90’+1 Kundërzbritje e rrezikshme, rast i pastër për gol, Khalid gjuan, topi i devijuar në këndore mbi portë.

90’+3’ Dallku e gjuan goditjen e lirë ballore, pret portieri.

Thaqi - Dallku

Deklaruan:

Mirel Josa: Ne e kishim përgatitur normalisht ndeshjen, sepse unë nuk shoh se si luajnë kundërshtarët, më intereson të shoh vetëm skuadrën time dhe si do t’i kundërvihemi këtij kundërshtari, duke e pasur parasysh aftësitë e lojtarëve të mi, dmth nuk merrem shumë me përgatitje sa i përket duke e parë kundërshtarin apo për ta markuar kundërshtarin ose zonat e kundërshtarit. Megjithatë për mua pati angazhim total nga skuadra, pavarësisht se në pjesën e parë luajtëm me kundërshtar që u mundua të dilte përpara, qoftë me pozicione standarde që mund të shënonte me një korner. Por, them që skuadra pati durim dhe durimi në pasime dhe kontrolli i topit dhe fitimi i topit shpejtë në zonat kur neve na u thyenin aksionet, ne na bëri që triumfojmë sot. Kishte mund të dilte ndeshja edhe barazim, sepse faktikisht ne shënuam në minutën e 88-të, topi mund të mos shkonte në portë, me fat – pa fat, por ne duhet të jemi shumë të qetë dhe për mua durimi për filozofinë time të lojës, ato aksione që i bëjmë t’i bëjmë të sakta. Për mua kjo është kyçi i lojës sotme e cila nuk do të thotë asgjë në qoftë se ne nuk kemi vazhdimësi në ndeshjet tjera. Tash mbetën edhe dy ndeshje deri në fund, këtë ndeshje duhet ta hedhim pas shpinës duke parë se çfarë do të ndodhi në ndeshjet e ardhme, qoftë me Trepçën ’89 apo Feronikelin, do të jenë shumë deciziv. 

Mergim Pefqeli: S’di çfarë të them, më është bërë traditë të shënoj gola në minutat e fundit, inshalla vazhdon kështu deri në ndeshjen e fundit. E falënderoj ekipin që me zemër po luajnë të gjithë, inshalla do të shpallemi kampion në fund.

Foto: Roland Racaj

Plisat

Plisat     

Lindja