Lajme

Java XXXII:  Prishtina – Trepça ’89 3-0

Java XXXII:  Prishtina – Trepça ’89 3-0

Prishtina siguron finalen e madhe në Drenas (Fotografitë nga ndeshja më vonë...)

Prishtinë, 15 maj 2019 – Prishtina ka vuajtur në pjesën e parë, sidomos me nervat e saj përshkak zhegitjeve të pabesueshme të mysafirëve të cilët sikur të shënonin kur qëlluan shtyllën nga Traore (36’) do ta kishte edhe më të vështirë. Por, sikur të shënonte Mankenda në rastin që nuk huqet (13’) do të luhej hapur ashtu siç u luajt pas golit të shpejtë në pjesëlojën e dytë po nga Mankenda (48’). Pjesa tjetër e ndeshjes u menaxhua lehtësisht dhe u shënuan edhe dy gola tjerë nga Khalid (67’) e Morina (90’+3).

Prishtina tani e gatshme do të udhëtoj për fitore në Drenas. Vetëm tre pikët do t’ia sjellin titullin. Por, për dallim nga viti i kaluar kur i duheshin 2 gola epërsi në “finalen” me Dritën, tani i duhet çfarë do fitore. Futbollistët kanë besimin se kanë cilësi për ta fituar ndeshjen më të rëndësishme në 6 vitet e fundit. Prishtinës nuk ia ka falë askush asnjë pikë në 32 javë, ndryshe nga skuadrat tjera dhe ekskluzivisht kanë besim në këmbët e tyre. Ndeshja me Feronikelin zhvillohet këtë të diel më 19 maj nga ora 16:00.

Java XXXII

Prishtina – Trepça ’89 3:0 (0:0)

Golat: Gauthier Mankenda 48’, Basid Khalid 67’, Marjo Morina 90’+3

Shikues: 3.000

Gjyqtarë: Mervan Bejtullahu (Gjl), Edmond Zeqiri (Pd), Fatmir Sekiraqa (Pd) – Bardh Ajeti (Pd)

KV: A. Dallku, A. Mustafa, A. Muqiqi – T. Avdyli, L. Traore

Pozita jashtë lojës: Pri 3-1 T89

Kornerët: Pri 5-2 T89

Gjuajtjet totale: Pri 6-6 T89

Gjuajtjet në portë: Pri 3-2 T89

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 2. Armend Thaqi, 28. Leotrim Bekteshi, 4. Armend Dallku /c/, 13. Abdul Bashiru – 6. Diar Miftaraj, 21. Argjend Mustafa (27. Marjo Morina – 58’), 18. Ergyn Ahmeti – 77. Mergim Pefqeli (17. Arbër Hoxha – 79’), 15. Gauthier Mankenda , 9. Basid Khalid (3. Jamal Arago – 72’). Zëvendësues: Alban Muqiqi, Donat Hasanaj, Lorik Boshnjaku, Alen Jasharoski. Kryetrajner: Mirel Josa.

Trepça ’89: 1. Arben Beqiri – 21. Arbër Pira, 5. Elton Basri, 6. Albert Kaqiku, 9. Ardian Muja, 25. Engjell Hoti (15. Muharrem Jashari – 69’), 30. Taulant Avdyli (17. Djibril Diawara – 59’), 7. Hasan Hyseni, 16. Lassine Traore, 19. Betra Franck Herman (14. Arb Manaj – 70’). Kryetrajner: Sabit Osmani.

Komenti:

Prishtina sot ka arritur fitoren e 23-të kampionale duke e mbyllur sezonin pa humbje si vendase (14 fitore e 3 barazime) dhe vazhdon pa humbje edhe pas 12 ndeshjeve rresht kampionale.

Distanca mbeti dy pikë me Feronikelin dhe tani vendos ndeshja për titull në Drenas e ku vendasve iu konvenon edhe barazimi.

Mankenda sot ka realizuar golin e tij të 6-të kampional, kurse Khalid i cili ka shënuar pas 11 ndeshjeve kampionale, apo të parin pranveror dhe të 6-në gjithsejtë. Ndërsa Morina realizoi të 8-në gol. Thaqi vazhdon të rritë numrin e asistimeve në 9-të, kurse Arago të 5-në.

Minutë pas minute:

13’ Thaqi te Mankenda nga e djathta, Mankenda i vetëm me portier gjuan mbi portë, e pabesueshme çfarë rasti u lëshua.

21’ Dallku duke dashur të gjente me gjasë Bekteshin gabon në pasim, Traore shkon deri para zonës e gjuan mbi portë.

22’ Khalid disi ia vazhdon Mankendës para zonës pak nga e majta, gjuan, sërish i pasaktë, lartë.

23’ Traore bukur merr top nga e majta brenda zonës e gjuan ulët skaj pingules së afërt.

25’ Superdepërtim i Mustafës e pastaj ia vazhdon djathtë Pefqelit që bukur depërton e gjuajtjen e ulët njëri nga futbollistët mysafir e devijon në këndore.

26’ Pas këndores, Ahmeti nga distanca ballore gjuan qendrore mbi portë.

26’ ’89-shi me lehtësi të madhe depërton e pastaj topin merr sot lojtari më i rrezikshëm mysafir Traore e futet në zonë pothuajse nëpër qendër, por sikur frikësohet nga portieri Bekaj dhe gjuan e qëllon pingulen e djathtë.

31’ Mankenda nga thellësia top të gjatë për Thaqin, por portieri Beqiri me kohë lëshon portën dhe ia bllokon gjuajtjen nga afër.

48’ Sllallom i Mankendës nga e majta, vetë e merr topin, e kalon mbrojtësin e krahut futet në zonë dhe nga 13-14 metra i saktë – 1:0.

63’ Hyseni provon me ballore, pret Bekaj.

67’ Aksion i shkëlqyer nga e djathta e nisur nga Pefqeli për Morinën i cili me stilin e tij shtyn topin për Thaqin në krah të djathtë e pastaj ky si me dorë harkon për Khalid që vepron mjeshtërisht duke e ndal topin dhe me qetësi duke e drejtuar atë në rrjetë – 2:0.

77’ Diawara gjuan ballore, e lehtë, kap Bekaj.

84’ Morina e qet Hoxhën me portier, por Hoxha nuk ik anash shkon drejt portierit dhe i penguar nga një mbrojtës Beqiri kap topin pastër.

86’ Jashari nga brenda zonës, e fortë, por e lartë, mbi tra.

90’+3 Traore lëshon rast ideal brenda zonës, gjuan drejt në Bekajn që reagon bukur.

90’3+ Dënon Prishtina, aksion i shpejtë, Arago qendrore për Morinën, del portieri Beqiri e huq topin dhe shënon Morina në portën zbrazët – 3:0.

Deklaruan:

Mirel Josa: Ne nuk bëjmë llogaritë çfarë bën Feronikeli, iu kam thënë edhe herë tjetër, ne llogarisim se Feronikeli i ka të gjitha ndeshjet e fituara, ashtu siç i ka fituar të gjitha. Problemi jonë është se si ne do t’i merrnin ndeshjet për të shkuar deri këtu ku jemi. Një lojë e cila na nxjerr për detyrim të shkojmë atje, sepse rezultat i joni pozitiv për ne, do të jetë vetëm fitorja. Në përgjithësi sot ishte një lojë e cila u munduam të krijonim, por ishte më me tension se sa ndeshja me Llapin, sepse normal edhe Trepça ‘89 kishte ardhur për të na shkëputur një pikë dhe kjo për llogaritë e veta, sepse po ashtu kanë llogarinë edhe në finale të Kupës. U bënë shumë vonesa në pjesën e parë, pavarësisht se gjyqtari shtyu ndeshjen pesë minuta. Në pjesën e dytë pastaj, shënimi i shpejtë i golit tonë na bëri që të jemi më të lirshëm dhe shënimi i golit të dytë pothuajse na i siguroi të gjitha, duke luajtur më sigurt më qetë dhe gjithashtu mund të them që ruajti rezerva për ditën e diel.   

Gauthier Mankenda: S’ka nevojë të thuhet se sa fitore e rëndësishme, sidomos kundër një kundërshtari që kishte ardhur për pikët që iu duheshin shumë. Por, ne e dinim që na duhej vetëm fitorja dhe ne të gjithë e kemi dhënë maksimumin për ta fituar atë e cila ishte sikurse gjysmëfinale e që tani na mundëson finalen me Feronikelin, kundërshtar me të cilit tan i duhet të përballemi dhe duhet t’i mposhtim për ta fituar titullin. 

Basid Khalid: Falënderimi shkon për Zotin që i ndihmova ekipit duke e shënuar golin e dytë të qetësisë në ndeshje. Kemi punuar dhe kemi luajtur si ekip dhe pas kësaj ndeshje e kemi siguruar finalen e fundit. Normalisht ndeshja e fundit do të jetë e vështirë, janë ekip i mirë, por ne nuk do të shkojmë të fjetur, thjesht na duhet fitorja dhe për të duhet luftuar.