Lajme

Java XXXIII: Drenica - Prishtina 1-3

Java XXXIII: Drenica - Prishtina 1-3

Dy gola të Mankendas dhe një e Khalid

Gentrit Dumani

Skenderaj, 28 maj, 2017 - Prishtina ka mbyllur edicionin 2016/17 me fitore bindëse ndaj Drenicës në Skenderaj - 1:3. Nga 11-ndeshjet e prira nga kryetrajneri, Arsim Thaqi, bardhekaltrit kanë fituar 10-prej tyre. Se a do t’i sjell skuadrës sukses mossuksesi i fitimit të trofeve, mbetët të shihet vetëm pas finales së Kupës dhe Prishtina tani, me faj të sajin, por edhe shumë faktorëve të jashtëm, duhet të pres që fatin e saj të zgjedhin të tjerët. Pra, kjo Prishtinë edhe sot ka bindur që është më cilësorja në Superligë dhe mëkat që nuk ka përfunduar e para, por përfundon e dyta me pesë pikë mbrapa kampionit të ri, Trepça ‘89.

Ndërsa sot formë të lartë kanë treguar edhe njëherë, Gauthier Mankenda me dy gola që arrin në shifrën prej 10-golave dhe Basit Abdul Khalid me golin e tij të sotëm arrin në 13 realizime. Kurse, portieri Visar Bekaj, i mungoi vetëm edhe pritja e penalltisë që sot të notohej me notën maksimale, 10-të!

Shend Kelmendi

Java XXXIII

Drenica - Prishtina 1:3

Golat: Sami Geci 90+3’ (pen) - Gauthier Mankenda 4’, 74’, Basit Abdul Khalid 62’

Shikues: 1.000

Gjyqtarë: Gramos Shala (Pe), Bujar Rama (Pd), Visar Kelmendi (Pe) - Fatmir Tahiri (Mt)

KV: Arion Ymeri, I. Caka, T. Dajaku - G. Dumani, A. Xhaka

Pozitat jashtë lojës: Dre 2-9 Pri

Kornerët: Dre 9-6 Pri

Gjuajtjet totale: Dre 12-8 Pri

Gjuajtjet në portë: Dre 9-5 Pri

Drenica: 1. Arion Ymeri - 17. Shkelzen Lushtaku, 14. Sami Geci, 18. Ismet Caka, 16. Azem Bejta, 4. Dugagjin Gashi, 20. Kreshnik Nebihu, 6. Qendrim Krasniqi (7. Hysen Tahiri - 47’), 11. Kreshnik Uka (15. Armend Abazi - 82’), 21. Taulant Dajaku (22. Drilon Osmani - 67’), 13. Granit Arifaj. Kryetrajner: Fadil Rama.

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj - 22. Lorik Maxhuni, 13. Liridon Leci, 21. Liridon Kukaj /c/, 18. Gentrit Dumani - 16. Genc Hamiti (23. Blend Baftiu - 72’), 7. Lorik Boshnjaku, 77. Mergim Pefqeli - 9. Shend Kelmendi (93. Mergim Neziri - 58’), 15. Gauthier Mankenda, 25. Basit Abdul Khalid (34. Agon Xhaka - 77’). Zëvendësues: Ardit Nika, Donat Hasani, Atdhe Grajqevci, Arbër Hoxha. Kryetrajner: Arsim Thaqi.

Visar Bekaj

Komenti:

Ndeshja u zhvillua ashtu siç pritej, pa kalkulime dhe për fitore. Ishte Prishtina që e dominoi pjesën e parë dhe tregoi cilësi më të shumta. Kurse, pjesa e dytë u mbizotërua nga vendasit, por duke lejuar hapësira të mëdha mbrapa çka edhe iu kushtoi me tre gola dhe një penallti të shkaktuar, por të parealizuar nga Prishtina. Edhe vendasit patën rastet e tyre të shumta, por sot ishte në formë të jashtëzakonshme portieri Visar Bekaj. Duhet theksuar patjetër se gjyqtarët anësor gabonin aq shumë sa gjykuan plotë 9-pozita jashtë lojës për Prishtinën e të cilat shumica nuk ishin.

Sidoqoftë, Prishtina fitoi ndeshjen me plotë meritë, u tregua skuadër më e pjekur dhe cilësore.

Minutë pas minute:

4’ Pas gabimit të kapitenit Geci, përfiton dhe nga afërsia shënon Gauthier Mankenda - 0:1.

12’ Mankenda pason bukur e Khalid gjuan jashtë.

14’ Dajaku kërcënon nga gjuajtja e lirë ballore, portieri Bekaj dëbon në këndore.

39’ Uka gjuan rrezikshëm nga distanca, Bekaj i vëmendshëm dëbon në korner.

40’ Dajaku harkon nga këndorja, por gjuajtja me kokë e Ukës përpak e pasaktë.

43’ Aksion i mirë, në fund Khalid bukur nga e majta pason në pozitë ballore për Hamitin që gjuan me të parën, por përpak jashtë.

52’ Leci provon gjuajtjen nga ndërprerja, pak e lartë.

55’ Aksion i vendase dhe në fund shumë pranë portës ndodhet Uka, por portieri Bekaj e pret edhe këtë gjuajtje.

55’ Tani kërcënon Gashi nga gjuajtja e lirë ballore, portieri Bekaj sërish intervenon dhe dëbon mbi tra.

62’ Mergim Neziri kalon nga e djathta dhe kroson ulët, në shtyllën e dytë i papenguar dhe i vetmuar shënon Basit Abduk Khalid - 0:2.

63’ Khalid pengohet brenda zonës nga portieri vendas dhe gjyqtari Shala gjykon në pikën e bardhë.

Basit Abdul Khalid

63’ Nga pika e bardhë tenton shënimin me “Panenka” Liridon Leci, portieri vendas u tregua i zgjuar e kap topin.

67’ Gashi bukur e qet Atrifajn vetëm me portierin Bekaj, i cili sërish u tregua i vëmendshëm dhe shpëton edhe njëherë skuadrën.

Liridon Kukaj

70’ Tahiri gjuan nga pozitë ballore, portieri Bekaj e kap topin të “gjallë”.

73’ Cakaj provon nga gjuajtja e lirë, e lartë.

Lorik Maxhuni

74’ Aksion i mirë i bardhekaltërve, Lorik Maxhuni harkon nga e djathta e në shtyllën e dytë dhe sikurse te goli i dytë shënon me lehtësi Gauthier Mankenda - 0:3.

78’ Xhaka hynë në vend të Khalid i cili u përshëndet nga publiku vendas, gjë e rrallë në fushat tona.

Blend Baftiu

82’ Baftiu bukur e shtyn topin përpara te Mergim Neziri që ishte më i shpejtë se kapiteni vendas dhe del me portier dhe gjuan drejt në të. Ishte aksion i bukur e mëkat që nuk u shënua.

87’ Nebiu gjuan ballore, e ndal portieri Bekaj.

89’ Aksion të mirë të vendase e mbyll me gjuajtje të fortë dhe përpak jo precize Osmani.

90+2’ Gjuan Tahiri, dëbon në këndore Bekaj.

90+2’ Prekje me dorë e dyshimtë e Maxhunit, ashtu sinjalizoi gjyqtari anësor Kelmendi dhe gjyqtari Shala jep penallti për vendasit.

90+3’ I saktë nga pika e bardhë, Sami Geci - 1:3.

Arsim Thaqi

Deklaruan:

Arsim Thaqi, kryetrajner i Prishtinës: Do të duhej të isha i kënaqur, sepse nga njëmbëdhjetë ndeshje sa kam te Prishtina, prej tyre i kam dhjetë fitore. Dhe kjo e fundit e zbukuron veprën dhe për mua ishte kënaqësi, kjo lojë dhe ky angazhim i lojtarëve pa marrë parasysh se kjo fitore nuk na u ka deshtë, por futbollistët u angazhuan për çka i falënderoj, edhe atë dy palët, sepse pa pretendime treguan lojë cilësore.

Fadil Rama, kryetrajner i Drenicës: Ka qenë lojë e hapur e dy ekipeve pa taktizime të shumta dhe e kënaqshme për dy ekipet. Prishtina i shfrytëzoi mundësitë e veta, ka qenë më agresive, duhet të jemi real. Patëm edhe ne raste, por nuk i shfrytëzuam. Duke mos pasur peshë ndeshja, ishte e atillë që nuk ka pasur edhe motivim të te gjithë lojtarët. Ishte fitore e merituar e Prishtinën për çka i përgëzoj.

Avni Durmishi