Lajme

Ju prezantojmë kundërshtarin e ardhshëm

Ju prezantojmë kundërshtarin e ardhshëm

Connah’s Quay , “The Nomads FC”

Prishtina të martën nga ora 18:00 në “Fadil Vokrri” në ndeshjen e parë në Conference League e pret rivalin, kampionët nga Uellsi, Connah’s Quay, “The Nomads”.

Skuadra profesionale e elitës së futbollit uellsian vije nga qyteti me të njëjtin emër, Connah’s Quay që ka afër 17.000 banorë në veri të shtetit të Uellsit rreth 30 kilometra larg qytet të Liverpulit.

Skuadra “Nomade” garon në elitën e futbollit uellsian, “Cumry Premier”, e themeluar në vitin 1991. Megjithatë, pesë skuadrat më të njohura të Uellsit, si Swansea, Cardiff dhe tre të tjera, kishin refuzuar të iu bashkoheshin ligës së vendit të tyre duke vazhduar në sistemin anglez të garimit.

Kurse, skuadra e Connah’s e themeluar në vitin 1946 dhe e cila garon me këtë emër nga viti 1951, është vetëm skuadra e 5-të për nga suksesi, duke i fituar dy tituj kampioni në dy edicionet e fundit, përkrah edhe dy nënkampionëve dhe një Kupe të Uellsit e dy finaleve të humbura.

Ndërsa në Evropë janë pjesëmarrëse par reshtur nga viti 2016. Kanë regjistruar 9 paraqitje duke kaluar dy herë tutje duke zhvilluar 16 ndeshje, të fituara 3 prej tyre, 2 barazime dhe 11 humbje.

Në debutimin në Evropë, më 2016 në Europa League kishin befasuar norvegjezët e Stabek duke e eliminuar në dy ndeshje, 0:0 dhe 1:0 në Norvegji.

Në vitin 2019 sërish kishin befasuar duke e eliminuar Kilmarnock-un skocez, duke pësuar humbje në shtëpi 1:2 dhe duke fituar si mysafir 2:0.

Ndërsa këtë vit u eliminuan nga kampionët e Armenisë duke pësuar gol në minutën e 118-të në Jerevan kundër Alashkertit. Skuadra kishte pasur probleme të mëdha për t’u udhëtuar në shtetin e largët të lindjes, duke u paraqitur në protokoll me vetëm 15 futbollistë për shkak infektimit me COVID-19, lëndime etj. Kurse, në ndeshjen e parë kishin mbyllur ndeshjen 2:2.

Conna's - Alashkert 2-2

Është interesant fakti se janë takuar tre herë me skuadra nga ish-Jugosllavia dhe në tre rastet janë eliminuar, si nga Vojvodina e Novi Sadit në raundin e dytë të UEL (2016), Partizanit nga Beogradi po në Europa League (2019) dhe nga Sarajeva në edicionin e kaluar në Ligën e kampionëve në një ndeshje të zhvilluar si vendase (0:2).

Skuadra e së cilës stadiumi ka kapacitet 1.500 vende, ndeshjet në kampionatin vendor i zhvillon në Flint, kurse ato ndërkombëtare në qytetin buzë Atlantikut në Aberystwyth apo rreth 130 kilometra në perëndim të Uellsit në stadiumin “Park Avenue” me kapacitet prej 5.000 vendesh dhe me fushë me bari sintetik.

Në koeficientin e skuadrave, Connah’s qëndron më mirë me 5.750 pikë, kurse Prishtina me 3.750 pikë.

Në transfermarkt Prishtina vlerësohet shumë më lart, me rreth 3.4 milion karshi 1.5 të uellsianëve.

Në transfermarkt nuk kanë futbollistë më të vlerësuar se 125.000 euro. Kurse te Prishtina vlerësohet Qendrim Zyba me 250.000 euro me intenca të ngritjes së mëtejme.

Trajneri i Connah’s është ish-qendërmbrojtësi i Manchester City, skocezi Andy Marrison (1998-2002, 27 paraqitje dhe 4 gola të shënuar). Marrison udhëheq skuadrën nga viti 2015 për të cilin është edhe skuadra e parë dhe e vetme në karrierë dhe konsiderohet më meritori për ngritjen e skuadrës në këto nivele që gëzon tani.

Në përbërje kanë futbollistë kryesisht nga kampionatet më të ulëta angleze, si në rangjet 4 apo 3, por edhe atyre kryesore skoceze, si Craig Curran, sulmues 31 vjeç (Dundee FC, Dundee United), mesfushori ofensiv anglez, Jamie Insall 29 vjeç (Hibernian FC, Skoci).

Përndryshe, skuadrat nga Kosova dhe Uellsi janë takuar edhe më parë. Më 2019 ish-kampioni i Kosovës, Feronikeli ishte përballur në raundin e parë kualifikues të Ligës së kampionëve me skuadrën më të njohur të Uellsit, The New Saints apo TNS. Feronikeli kishte shkëlqyer në ndeshjen e parë në Uells megjithëse kishte mbyllur ndeshjen baras, 2-2. Në “Fadil Vokrri”, përvoja e skuadrës së TNS ishte ardhur në pah duke eliminuar “industrialistët” nga Drenasi, 1:0 dhe duke u kualifikuar tutje.

Atëkohë Feronikelit i printe, tani trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, kurse paraqitej edhe futbollisti, Mendurim Hoti në ndeshjen kthyese në Prishtinë.

Prishtina dhe Connah’s ndeshjen e parë e zhvillojnë në Prishtinë në “Fadil Vokrri” të martën më 20 korrik nga ora 18:00.
Kurse ajo kthyese të enjten më 29 korrik në “Park Avenue” në Aberystwyth nga ora 19:00 lokale (18.00 të Kosovës).