Lajme

Ka ndërruar jetë Shinasi Berisha

Ka ndërruar jetë Shinasi Berisha

Berisha ka qenë drejtor gjeneral jetëgjatë i KF Prishtina

Prishtinë, 10 prill 2019 – Sot morëm lajm të hidhur, ka ndërruar jetë njëri prej legjendave të KF Prishtina, Shinasi Berisha.

Shinasi Berisha, i lindur më 1946 në Sadovinë të Vitisë, pothuajse një jetë ia kushtoi futbollit, gjyqtarëve dhe posaçërisht klubit që aq shumë e deshi, KF Prishtina.

KF Prishtina ishte projektuar me të, ishte pjesë e lavdishme e inkuadrimit të klubit në ish-Ligën e parë Federative. Drejtor gjeneral në edicionin 1982/83. Pas inkuadrimit në elitë, Shinasiu nuk kishte të drejt të drejtonte zyrtarisht klubin pasi që po ndante drejtësinë në nivelin më të lartë të ish-futbollit jugosllav. Por, ai vazhdoi të punonte indirekt për klub e posaçërisht në reformimin dhe prodhimin e kuadrove të gjyqtarëve, sidomos nga Rajoni i Prishtinës. Me të, Prishtina si qytet kishte plejadë të jashtëzakonshme të gjyqtarëve të prirë nga Remzi Kurshumliu, Fikri Krivaça, Abdurrahman Gjingji, Rushit Selimi, Shemsi Humolli, Njazi Shuleta etj, etj.

Shinasiu nuk iu nda Prishtinës as në vitet më të vështira të aparteidit, u vendos në krye të klubit, si drejtor nga viti i vështirë 1991 nëpër ara deri pas luftës në qershor të vitit 2000.

Prishtina, gjeneratat e asaj kohë të klubit, me Shinasiun kaluan shumë momente emocionale, gëzime e hidhërime, por duke i tejkaluar të gjithë së bashku.

Emri i Shinasiut do të jetë i shkruar gjithmonë me shkronja të arta të historisë së klubit më të madh në vend, FC Prishtina.

Qoftë kujtimi i paharruar për të!