Lajme

Koha Ditore: Prishtina e ka projektin për kompleksin stërvitor, por jo edhe parcelën

Koha Ditore: Prishtina e ka projektin për kompleksin stërvitor, por jo edhe parcelën

Klubi i futbollit është në pritje të Komunës së Prishtinës për t’ia ndarë parcelën për fusha stërvitore

Prishtinë, 10 maj, 2017 – Shkruan: Faton Polisi /Koha Ditore/

Projekti, që sipas zyrtarëve të klubeve ka edhe premtimet për mbështetje financiare, parasheh ndërtimin e katër fushave, dy me bari sintetik dhe dy me natyral. Njëra fushë, kryesorja, planifikohet të bëhet me tribuna dhe reflektorë. Është paraparë edhe vendqëndrimi për talentët e akademisë së klubit. Plani mund të vihet në jetë vetëm pasi të gjendet parcela. Klubi thotë se është në pritje të Komunës së Prishtinës. Kryetari i klubit, Remzi Ejupi, thotë se komunat përreth Prishtinës ia kanë ndarë atë, por, sipas tij, nuk është e arsyeshme që një klub i Prishtinës të shpërngulet jashtë saj

Klubi i futbollit Prishtina ka gjetur investitorët për ndërtimin e një kompleksi të madh stërvitor dhe atë të akademisë, por jo edhe parcelën se ku do të ndërtohet ky kompleks gjigant që aktualisht është vetëm në letër. Prishtina është duke pritur Komunën e Prishtinës për ndarjen e një parcele për të nisur ndërtimin e kompleksit që kap vlerën e rreth 3.5 milionë eurove. Në projektin që gazeta e ka siguruar janë paraparë katër fusha ndihmëse dhe një konvikt me rreth 7.000 metra katrorë.

Kryetari i klubit Prishtina, Remzi Ejupi, pret një zgjidhje të shpejtë nga Komuna, në të kundërtën thotë se mund të humbet.

“Fusha kryesore e kompleksit është me reflektorë dhe tribuna, e cila është paraparë të zërë rreth 3.000 shikues. Janë dy fusha me bari natyral dhe dy të tjera me bari sintetik dhe një objekt ku fëmijët mund të qëndrojnë në pushim, të hanë dhe të pinë. Objekti ka hapësirë diku 7.000 metra katrorë. Në total ky projekt do të kushtojë rreth 3.5 milionë euro. Është me standarde të UEFA-s dhe FIFA-s. Kjo mund t’u shërbejë edhe klubeve për ndeshje ndërkombëtare. Do t’i bëhej një zgjidhje kryeqytetit, si vend i vetëm që nuk ka asnjë fushë ndihmëse. Kemi marrë premtime nga Komuna se do të na gjejë një parcelë, në të kundërtën rrezikojmë ta humbim. Është një rast i mirë që duhet të shfrytëzohet”, ka thënë Ejupi për gazetën.

Investimet më të mëdha në këtë kompleks do të bëhen me fondet që ka siguruar Prishtina nëpërmjet kryetarit të klubit Greuther Furth, që njëherësh është edhe nënkryetar i Federatës Gjermane të Futbollit, Helmut Hack. Investime, siç tregon Ejupi, do të bëjnë edhe donatorë të ndryshëm.

“Edhe ne si klub me burimet tona do të participojmë. Mund të kemi mundësi të thithim fonde edhe nga UEFA nëpërmjet Federatës. Kemi premtime edhe nga shteti gjerman e po ashtu edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ne kemi pritur të marrim nga Komuna e Prishtinës një përgjigje deri më 28 shkurt, por si duket nuk janë të interesuar të na bëjnë zgjidhje”, ka theksuar Ejupi. “Kuvendi Komunal i Prishtinës ka mbledhje më 15 maj dhe na është thënë se do ta procedojnë në mbledhje për votim. Presim që Komuna e Prishtinës ta mbajë premtimin”.

Në fakt, klubi Prishtina ka mbetur pa shtëpi që nga korriku i vitit të kaluar, kur edhe nisi të rinovohet stadiumi i qytetit të Prishtinës. Nxënësit e Shkollës së Futbollit stërviten në ambiente të mbyllura e të vogla. Seniorët e Prishtinës ndeshjet deri tash i kanë zhvilluar në disa stadiume të qyteteve të tjera. Por edhe kur stadiumi i Prishtinës të përfundojë, Prishtina nuk do ta ketë nën menaxhim të plotë. Vetëm ekipi i parë do ta shfrytëzojë për lojë dhe një stërvitje para lojës. Klubi i Prishtinës, në bazë të kontratës me Komunën e Prishtinës, stadiumin në shfrytëzim e ka deri në vitin 2024. Por kjo kontratë do të shfuqizohet pas rinovimit të plotë. Prishtina nuk do të menaxhojë me të.

Prishtina aktualisht nuk e ka asnjë fushë me bari sintetik.

Gazeta ka dy ditë që provon të vërë kontakt me udhëheqësit e Komunës për të marrë një përgjigje nëse është e gatshme t’i ndajë parcelë, por nuk ia ka dalë. Por më herët kryetari i Komunës së Prishtinës, Ahmeti, në një takim me kryetarin e klubit Greuther Furth, Helmut Hack, dhe me kryetarin e klubit Prishtina, Remzi Ejupi, pati thënë se është i interesuar që t’i bëhet një zgjidhje klubit Prishtina.

“Kemi biseduar rreth identifikimit të hapësirave ku do të mundë të ndërtonim fusha ndihmëse dhe akademinë e klubit të Prishtinës, në mënyrë që aty t’i afrojmë fëmijët në moshë të hershme, t’i kemi trajnerët më të mirë dhe t’u japim mundësi ta zhvillojnë talentin atyre që kanë talente. Momentalisht kemi shumë pak stadiume, kemi shumë pak mundësi dhe ishte kënaqësi t’i dëgjoja iniciativat e Prishtinës dhe gatishmërinë për ndihmë të Helmut Hackut”, pati deklaruar Ahmeti, njofton klubi Prishtina.

E Ejupi thekson se atë që Komuna e Prishtinës nuk e ka bërë deri tash, e kanë ofruar Komuna e Graçanicës dhe ajo e Obiliqit.

“Parcelën na ka ofruar Graçanica, por nuk ka kuptim që ne të shkojmë të investojmë si një klub i Prishtinës në Graçanicë apo diku tjetër jashtë Prishtinës”, ka thënë Ejupi.