Lajme

Kosova pati shans të bëhet me stadium të mirë me 7 milionë euro

Kosova pati shans të bëhet me stadium të mirë me 7 milionë euro

Përkundër rinovimit të stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë, i cili buxhetit të Kosovës i ka kushtuar rreth 9 milionë euro, futbolli kosovar nuk është rehatuar në aspektin infrastrukturor.

Përveç stadiumeve në të cilat zhvillohen garat e brendshme kampionale që lënë ende shumë për të dëshiruar ende nuk është bërë një zgjedhje e përhershme për Kombëtaren e Kosovës, e cila po shënon rezultate pozitive në arenën ndërkombëtare, shkruan Gazeta Express.

Pasi u rinovua me rreth 9 milionë euro, në një proces të stërzgjatur e shumë të vonuar, stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë tashmë është bërë shtëpi e “Dardanëve”.

Por, kapaciteti i vogël i këtij stadiumi prej rreth 13 mijë ulëseve, e në anën tjetër kërkesa e madhe për bileta që po paraqet problem të jashtëzakonshëm, kanë bërë që Kosova ta vazhdojë nevojën për një stadium më adekuat.
Qysh më moti u pati marrë një vendim në Qeverinë e Kosovës për ndërtimin e një stadiumi të ri në Bërnicë të Prishtinës. Por, ky projekt ndërkohë filloi të përdoret me të madhe për qëllime politike, me ç’rast projekti ishte zhvendosur në Korreticë të Drenasit.

Mirëpo, tani kur pushtetin pritet ta marrin forca tjera politike nga to është deklaruar vendimi i tyre për kthimin e këtij projekti në kryeqytet. Ndërsa, pushteti në detyrë deri te formimi i Qeverisë së re thekson se projekti nuk duhet të ndërrojë lokacion sepse në të, në Drenas, tashmë janë investuar 1 milion euro.

Në anën tjetër, Federata e Futbollit e Kosovës ka dal me idenë e zgjerimit të stadiumit “Fadil Vokrri” me një projekt për shtimin edhe të 7 mijë ulëseve tjera për t’ia shtuar kapacitetin për 20 mijë shikues.

Express shkruan se krejt kjo situatë ka hapur debat të madh publik. Ka ngritur pakënaqësi e kënaqësi lokaliste dhe inate politike, të cilat më së paku i nevojiten Kombëtares së Kosovës, e cila me rezultatet pozitive po i shërben më së miri interesit nacional.

Kjo situatë nuk do të ndodhte sikur institucionet relevante të tregoheshin të matura në fillim, para se të fillonte rinovimi i stadiumit “Fadil Vokrri”.

Qysh në atë kohë, nënkryetari i Federatës së Futbollit të Gjermanisë, Helmut Hack, me një grup ekspertësh gjermanë, dhe me inicim të Remzi Ejupit, presidentit të FC Prishtinës që adresë ka stadiumin “Fadil Vokrri”, e kishin përpiluar një projekt për rinovimin e stadiumit “Fadil Vokrri”.

Sipas tij projekti, stadiumi i Prishtinës do të rinovohej në mënyrë drastike. Do të rrënoheshin tribunat lindore, veriore dhe jugore, të cilat edhe ashtu janë mjaft të vjetërsuara dhe të dëmtuara nga lagështia ndër vite. Në vend të tyre planifikohej të ndërtoheshin tribuna të reja, afër fushës, e po ashtu stadiumit do t’i shtohej kapaciteti në 20 mijë ulëse. Ai projekt kërkonte një kosto prej 5 deri 7 milionë eurosh.

Por, ishte refuzuar nga Prishtina zyrtare, ku institucionet planifikonin ta rinovonin me një çmim më të ulët, por që në fund doli shumë më shtrenjtë, thotë Remzi Ejupi, që insistonte në projektin gjerman, të cilin në vitin 2016 ishte i pranueshëm edhe për UEFA-n e FIFA-n.

“Ai projekt ka qenë ideal për Kosovën dhe gjendjen ekonomike të vendit. Ne po sillemi sikur me qenë ekonomikisht si Zvicra, shpenzojmë miliona euro në rinovonin e stadiumit në Prishtinë e Mitrovicë, planifikojmë miliona euro tjera për ndërtimin të stadiumit të ri. Unë nuk jam kundër ndërtimit të një stadiumi të ri. Por, do të ishte më mirë të rinovohej siç duhet stadiumi në Prishtinë, me pak para, e po ashtu stadiumi i Mitrovicës, dhe pastaj të ndërtohej stadiumi i ri”, deklaron Ejupi për Express.

“Ai projekt kishte kosoto prej 5 deri 7 milionë euro. Por do të ndërtoheshin tribuna të reja, të forta dhe të sigurta. Do të bëheshin 22 mijë ulëse. Kurse, rinovimi ka kushtuar shumë më shtrenjtë. Gati 10 milionë euro ka kushtuar arnimi i stadiumit, duke iu vendosur shtylla të hekurit tribunave me beton të stërvjetëruar, ndërsa kapaciteti i ulëseve ka mbetur shumë i vogël”, thekson ai. 

Sipas Ejupit, sikur stadiumi “Fadil Vokrri” të rinovohej sipas projektit gjerman gjërat do të shkonin ndryshe.
“Do ta bënim një stadium thuajse të ri, me 22 mijë ulëse dhe me pak para. Kurse, shteti këto para të planifikuara për ndërtimin e stadiumit të ri më mirë do të ishte të investonte në ndërtimin e fushave të futbollit në çdo cep të Kosovës për t’iu krijuar kushte talenteve. Pas një kohe do të vinin më shumë para nga UEFA e FIFA, donatorë, dhe do të bëheshin parat për ndërtimin e një stadiumi të ri, të madh, kudo në Kosovë, s’ka rëndësi se ku”, vazhdoi ai.

Ejupi mbetet me shpresë që institucionet të marrin mësim nga ky rast i humbur dhe në të ardhmen të mos vendosin zyrtarët e ministrive për projekte të tilla por profesionistët e fushës. /GazetaExpress/