Lajme

Kryeministri Haradinaj gëzon Prishtinën

Kryeministri Haradinaj gëzon Prishtinën

Fjalimin e Kryeministrit Ramush Haradinaj për FC Prishtinën mund ta shikoni nga minuta e 30-të e videos.

Qeveria do ta shqyrtoj kërkesën e klubit për hapësirën e kompleksit sportiv

Prishtinë, 29 janar, 2018 - Në mbledhjen mbajtur sot të Qeverisë së Kosovës, Kryeministri Haradinaj ka kërkuar nga kabineti qeveritar që të shqyrtohet kërkesa për gjetjen e zgjidhjes së kërkesës së klubit të “Prishtinës” për një hapësirë ku mund të ushtrojë veprimtarinë e vet sportive.

Toka në Bërnicë të Epërme të Prishtinës pritet t’i shërbej futbollit edhe pse projekti i ndërtimit të stadiumit nacional është bartur në një lokacion tjetër në Komunën e Drenasit, raporton “Zëri”.


Një parcelë e tokës që ishte paraparë për ndërtimin e stadiumit nacional në të ardhmen pritet t’i shërbejë klubit më të madh sportiv në vend, FC Prishtinës. Këtë e ka paralajmëruar kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Zëri” shkruan se shefi i Qeverisë së Kosovës u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve kompetente që t’i dalin në ndihmë klubit që po përjeton krizë të jashtëzakonshme infrastrukturore, duke ia dhënë një parcelë tokë për të ndërtuar kompleks sportiv për t’i kryer aktivitetet në kushte më normale.

Këtë kërkesë Haradinaj e ka bërë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, të mbajtur të hënën, në të cilën e ka njoftuar kabinetin qeveritar për ndihmë që e ka kërkuar FC Prishtina nga ekzekutivi i vendit.

“Klubi i futbollit Prishtina ka kërkuar një tokë për zhvillimin e aktiviteteve të veta që lidhen me funksionimin e klubit, për një kampus”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, FC Prishtina është simbol i kryeqytetit dhe i sportit kosovar, andaj meriton mbështetje institucionale në mënyrë që t’i lehtësohet funksionimi.

“Tanimë me zhvendosjen e lokacionit të stadiumit, dikur i identifikuar në lokacionin e ri, toka që ka mbetur dhe që ka qenë e paraparë të zhvillohet stadiumi. Ky klub është i Prishtinës dhe në njëfarë mënyre e simbolizon edhe kryeqytetin dhe sportin”, ka theksuar Haradinaj.

“Prishtina e ka bërë një kërkesë dhe i kisha lutur kolegët që janë të përfshirë në këtë proces dhe që kanë rol të ndërmarrin veprime që t’i ndahet një parcelë e kërkuar. Qëllimi pra në këtë rast është investimi në sport, në talentët e rinj, me mundësi të zhvillimit të sportit në Kosovë, duke qenë që është një gjendje jo e lehtë për të gjithë sportistët në vend”, ka potencuar Haradinaj, përcjell “Zëri”.

Siç dihet, infrastruktura sportive në kryeqytet është në gjendje të rëndë, por FC Prishtina është klubi me problemet më të mëdha. Tashmë ka kaluar një kohë e gjatë prejse FC Prishtina me të gjitha ekipet zinxhirore ka mbetur rrugëve të Kosovë në kërkim të fushave për të luajtur dhe për të ushtruar.

Kryeqyteti është ndër komunat e rralla ku ende nuk është ndërtuar asnjë fushë me bar sintetik, çfarë po i shijojnë shumë klube tjera kosovare, madje edhe ato të rangjeve më të ulëta. Ndërsa, nevoja e FC Prishtinës është ndoshta më e madhja në Kosovë për një fushë të tillë.

/Zëri/

.