Lajme

Kryeqytet pa fusha të futbollit!

Kryeqytet pa fusha të futbollit!

Pas fillimit të punimeve në stadiumin e kryeqytetit FC Prishtina ka mbetur për gjynah. Bardhekaltrit kanë mbetur në rrugë. Ata po enden “poshtë e lart” në kërkim të fushave të futbollit për të ushtruar dhe për të zhvilluar ndeshje kampionale me të gjitha ekipet zinxhirore të saj, pasi kryeqyteti nuk e ka asnjë të tillë. Pagesat e fushave tjera të largëta dhe transportit po i kushtojnë me mijëra euro klubit më me nam në vend, në një kohë kur futbolli kosovar është në kaos financiar. Nëse Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Sportit vazhdojnë të mos ia zgjatin dorën e ndihmës klubit të zemrës të “Plisave”, atëherë FC Prishtinës mund t’i zvogëlohet numri i sportistëve, prej rreth 150 sa i ka aktualisht, shkruan në numrin e sotëm Gazeta Zëri

Tashmë kanë kaluar disa muaj prejse kanë filluar punimet për rinovimin e stadiumit të kryeqytetit, gjë që është mirëpritur nga të gjithë. Madje, edhe nga FC Prishtina, përkundër faktit që u detyrua të largohet nga stadiumi për t’u hapur rrugë punimeve.

Mirëpo, punimet në këtë objekt po ecin me “hapa të breshkës”, ndërsa klubi më i madh në Kosovë po e heq të “zinjtë e ullirit”, pasi ka mbetur krejtësisht në rrugë. Klubi me të cilin dikur krenoheshin shqiptarët e Kosovës është kandidat potencial për të debutuar në garat evropiane në edicionin e ri, i cili po afrohet. Por, paraprakisht i duhet ta fitojë titullin e kampionit të Kosovës ose Kupën shtetërore për ta prerë biletën, shkruan Zëri.

Kjo ka bërë që drejtuesit e klubit kohëve të fundit ta fillojnë procesin e riorganizimit të përgjithshëm, ndërkohë gjatë sezonit vjeshtor e ruajti hapin për titull, ani pse të gjitha ndeshjet i zhvilloi si mysafire, duke u endur nëpër fusha tjera të largëta si për lojë ashtu edhe për stërvitje, në mungesë të një fushe në kryeqytet. Vështirësi të njëjta skuadrën më të trofeshme do ta përcjellin edhe gjatë gjithë stinorit pranveror, në një kohë vendimtare për të ardhmen e saj evropiane.

Por, mungesa e një fushe për ushtrime, e cila nuk u ndërtua tash e 17 vjet në kryeqytet po i kushton akoma më shtrenjtë FC Prishtinës, e cila kaherë ka pasur numër të madh të të rinjëve në të gjitha ekipet zingjirore të saj, duke u nisur prej Shkollës së Futbollit. Talentët kanë nisur të hezitojnë për ta nisur karrierën e futbollistëve në klubin më me nam, të vetëdijshëm se nuk kanë ku të ushtrojnë. Ndërsa, klubit i janë shtuar në masë të madhe shpenzimet, në një kohë kur futbolli kosovar gjendet në kaos financiar.

“Aktualisht klubi ynë numëron rreth 150 sportistë. Para fillimit të punimeve në stadium numri ka qenë më i madh. Normalisht, pasi kemi dalë nga stadiumi gjërat janë vështirësuar. Po i shfrytëzojmë fushat e ‘Princit’, të cilat me transport të fëmijëve na kushtojnë 1500 euro në muaj. Duke e ditur se edhe të gjitha ndeshjet i zhvillojmë në Obiliq me ekipet tona, edhe ato kushtojnë rreth 25 mijë euro brenda vitit. Plus, sallat e gardërobave i paguajmë”, thotë menaxheri i klubit, Arsim Thaçi.

“Kështu, pasi kemi dalë prej stadiumit, mesatarisht brenda vitit FC Prishtinës i janë shtuar për 50 mijë euro shpenzimet, pra kemi kosto shumë më të lartë të shpenzimeve sesa viteve të kaluara. Domethënë veç në qira të infrastrukturës, pa shpenzime tjera”,  deklaroi Thaçi për “Zërin”.

Komuna e Prishtinës, e vetmja pa fushë ndihmëse!

FC Prishtina ankohet se, në dallim prej saj, të gjitha klubet e futbollit në Kosovë janë në situatë më të mirë infrastrukturore.

“FC Prishtina është duke u ristrukturuar komplet dhe duke i marrë parasysh kushtet, procesi po ecën mjaft mirë. Shumica e klubeve tjera aktualisht kanë kushte shumë më të mira sesa FC Prishtina. Në të gjitha qendrat e Kosovës ka të paktën nga një fushë ndihmëse me bar sintetik. Si komunë, veç Prishtina nuk e ka një të tillë”, thekson menaxheri, Arsim Thaçi.

(Të rinjtë prishtinas luajn futboll edhe në këtë fushë në Kastriot, për të cilën madje edhe e paguan me para FC Prishtina, në mungesë të një fushe në kryeqytet)

FC Prishtina pret komunën

Menaxheri i klubit më të madh në vend, Arsim Thaçi, beson se Komuna e Prishtinës shumë shpejt do t’ia zgjatë dorën klubit më me nam të saj.

“Ne jemi takuar me drejtues të Komunës së Prishtinën. Kemi pasur bisedime korrekte, na kanë pritur shumë mirë, kanë shprehur keqardhje sepse e din gjendjen dhe kanë shprehur vullnet për të na dalë në ndihmë. Por, duhet t’i kuptojmë, sepse janë disa procedura të cilat ata nuk mund t’i kalojnë ‘shkel e shko’, por me rëndësi është vullneti i tyre pozitiv”, tha ai.

“Nëse komuna e kryen punën e saj deri në mars, për çka ka shprehur vullnet, atëherë deri në fund të vitit mund të bëhen dy fusha ndihmëse. Kushti i parë është toka. Nëse komuna bartë një parcelë toke në shfrytëzim të klubit, atëherë FC Prishtina ka partner komunën, Ministrinë e Sportit, Federatën, por edhe shumë partnerë tjerë, pastaj edhe vetë klubi ka gatishmëri për të investuar”, potencoi Thaçi.

Komuna premton hapësira për ndërtim të fushave

Në anën tjetër, Komuna e Prishtinës është e vetëdijshme për mungesën e jashtëzakonshme të kushteve infrastrukturore për t’u marrë të rinjtë prishtinas me futboll.

Zëdhënësi i saj, Adonis Tahiri, i jep shpresa futbollit kryeqytetas. “Komuna e Prishtinës është e interesuar që të sigurojë hapësira për fusha ndihmëse. Këto fusha që janë shumë të të nevojshme, do t’iu shërbenin të gjitha klubeve të kryeqytetit pa dallim. Mënyra e shfrytëzimit të tyre do të rregullohej sipas ligjeve dhe procedurave në fuqi”, ka thënë Tahiri për “Zërin”.

Ministria e Sportit, e gatshme që ta hapë kuletën

Në Ministrinë e Sportit janë të vetëdijshëm me gjendjen e mjerueshme të infrastrukturës në futbollin prishtinas dhe i kupton shqetësimet e klubit më të madh në vend. Këshilltari i ministrit Kujtim Shala, Muharrem Sahiti, thotë se ky dikaster qeveritar është i gatshëm t’i dalë në ndihmë FC Prishtinës, posa Komuna e Prishtinës ta bëjë hapin e parë.

“E kuptojmë drejt situatën dhe jemi të vetëdijshëm për gjendjen. Ne jemi takuar me drejtuesit e FC Prishtinës, të cilëve ua kemi premtuar ndihmën tonë posa komuna t’ua japë në shfrytëzim parcelën e tokës për ndërtimin e fushës. Ne jemi optimistë se në një të ardhme të afërt kjo do të ndodhë”, tha Sahiti për “Zërin”.

4 milionë euro

FC Prishtina udhëhiqet prej një shoqërie aksionare, e cila nga viti 2004 i ka shpenzuar rreth 4 milionë euro për ta mbajtur gjallë klubin dhe për t’i kontribuar futbollit kosovar, i cili deri më tani ishte i izoluar në katër anët. /Zëri/