Lajme

Kupa, 1/8: Liria – Prishtina

Kupa, 1/8: Liria – Prishtina

Në përballje të vështirë synohet mbyllja e vitit me sukses

Prishtinë, 7 dhjetor 2018 – Nesër zyrtarisht bie perdja e ndeshjeve për vitin 2018. Megjithëse kundër rivalëve të moçëm, Prishtina e ka vetëm një synim, të mbyll vitin me sukses, me kalimin në çerekfinale të Kupës. Por, aspak nuk do të jetë lehtë kundër një Lirie të mobilizuar dhe në një fushë aspak të përshtatshme.

Edhe pse tradita fletë në të mirë të Liriës, e cila pas luftës në dy përballje Kupe, të dyja në të tetën e finales, kishte eliminuar bardhekaltrit. Por, Prishtina nga katër udhëtimet e fundit në Prizren tre herë ka fituar, ndërsa dy ndeshjet e fundit të këtij vitit, të edicionit të kaluar dhe të këtij që sapo është mbyllur stinori, ka triumfuar me 1:0.

Skuadra përveç me Ahmet Halitin që po vuan prej një lëndimi aq të rëndë, skuadra nuk ka probleme tjera dhe të gjithë futbollistët janë të gatshëm.

Përndryshe zhvillohet vetëm një ndeshje eliminuese e cila në rast të barazimit luhen vazhdimet apo penalltitë.

Kupa, 1/8:

Liria – Prishtina

Stadiumi: “Përparim Thaqi”, Prizren

E shtunë, 8 dhjetor – ora 12:30

Gjyqtarë: Mervan Bejtullahu (Gjl), Edmond Zeqiri (Pd), Benon Këpuska (Vu) – Kreshnik Vula (Gjk)

M. Korenica: Duhet të japim maksimumin – ndeshje me shumë rëndësi për ne

“Pres ndeshje shumë interesante e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne. Prishtina lufton në dy frontet dhe për të mbet në garë duhet të japim maksimumin që të kualifikohemi edhe të jemi edhe më pranë trofeut. Po ashtu, përveç kualifikimit në çerekfinale duam që këtë stinor të suksesshëm të mbyllim me fitore, pra edhe me një sukses tjetër e që neve do të na jepte plot kuptim bashkëngjitur rezultateve në kampionat”, ka thënë Meriton Korenica.

Statistika:

Prishtina në 1/16 e finales ka mposhtur Drenicën në Skenderaj 0:0, 5:4 me penallti. Ndërsa Liria në fushën me bari sintetik të Pejës ka mposhtur anëtarin e kategorisë së tretë, Lugun e Baranit 11:0.
Përndryshe do të jetë ky dueli i 44-të pas luftës ndërmjet dy skuadrave. Prishtina ka bilanc absolutisht pozitiv prej 25 fitoreve, 8 barazime dhe 10 humbje me goldallim +32, 67:35. Nga viti 2015 kur Liria është rikthyer në Superligë, nga 10 përballje Prishtina i ka fituar 7, 1 barazim dhe 2 humbje.
Liria, një-herë kampion i Kosovës (1994/95) dhe dy-herë fitues i Kupës (2006/07, 2009/10) ka bilanc 100% pozitiv kundër Prishtinës në ndeshjet e Kupës. Dy skuadrat pas luftës dy herë janë ndesh për Kupë. Më 2000/01 në dy ndeshje po në 1/8 e finales, Liria kishte triumfuar në Prizren 2:1, ndërsa në Prishtinë i kishte mjaftuar barazimi 1:1 për të kaluar tutje në çerekfinale. Edhe më 2009/10, po në 1/8 e finales, në një ndeshje të luajtur në Prizren, Liria kishte kaluar tutje. Ndeshja e rregullt ishte mbyllur 2:2 dhe pas penalltive 8:7. Në fund Liria pati triumfuar për Kupë duke e mposhtur Vëllaznimin 2:1.
Pra, bardhekaltrit janë të përqendruar maksimalisht pa marrë parasysh se në këtë edicion ka triumfuar në kampionat 1:0 në Prizren dhe se Liria ndodhet e 10-ta në klasifikim me 19 pikë dhe ndodhet në zonën e rrezikshme të barazhit.