Lajme

Kupa: Flamurtari – Prishtina 2-3

Kupa: Flamurtari – Prishtina 2-3

Prishtina kualifikohet tutje – skuadra shkon në pushim

Prishtinë, 6 dhjetor, 2017 – Prishtina ka eliminuar nga Kupa rivalin nga kryeqendra, Flamurtarin, në fushën me baltë të kësaj të fundit.

Ndeshje cila shkonte në favor të Prishtinës pas dy golave të shënuar në pjesën e parë – ajo e dyta u mbyll pothuajse në mënyrë dramatike. Vendasit njëherë ngushtuan me penallti “të falur” nga gjyqtari, e pastaj bardhekaltrit në vend që të thellonin rezultatit, në fund u deshtë të mbronin epërsinë prej 3:2. Në fund fitore e merituar e bardhekaltërve dhe kualifikim tutje në garat e Digitalb Kupës së Kosovës.

Skuadra nga sot do të jetë në pushim deri të hënën e pastaj i rikthehet seancave stërvitore deri më 21 dhjetor kur skuadra pushon për festat e fundvitit deri më 5 janar për të nisur fazën përgatitore për pranverë.

Rrethi i tretë i Kupës:

Flamurtari – Prishtina 2-3 (0-2)

Golat: Hasip Hajdari 48’ (p), Pleurat Hajdini 83’ – Drashko Bozhoviç 6’, 22’, Ahmed Januzi 78’

Shikues: 200

Gjyqtarë: Kreshnik Vula (Gjk), Benon Këpuska (Gjk), Florim Jakupi (Pz)

KV: G. Ahmeti, D. Lladrovci, J. Gjini – A. Bashiru, D. Miftaraj

Pozita jashtë lojës: Fla 2-2 Pri

Kornerët: Fla 5-7 Pri

Gjuajtjet totale: Fla 9-14 Pri

Gjuajtjet në portë: Fla 7-7 Pri

Flamurtari: 1. Vullnet Zhushi – 3. Flakron Hasani (22. Bashkim Selimi – 46’), 5. Granit Ahmeti /c/, 6. Drilon Lladrovci, 19. Pleurat Hajdini, 16. Ardi Shala, 7. Mergim Boshnjaku, 10. Emir Rama, 20. Egzon Krasniqi (23. Blend Hiseni – 43’), 9. Jurgen Gjini, 21. Hasip Hajdari (15. Adi Muqolli – 81’). Kryetrajner: Gajur Rexhepi.
Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 88. Përparim Osmani, 4. Armend Dallku /c/, 6. Debatik Curri, 13. Abdul Bashiru – 5. Diar Miftaraj, 66. Ergyn Ahmeti, 29. Drashko Bozhoviç – 77. Mergim Pefqeli (10. Mentor Mazrekaj – 68’), 15. Gauthier Mankenda (22. Lorik Maxhuni – 90’), 27. Ahmed Januzi. Zëvendësues: Alban Muqiqi, Agon Xhaka, Ben Nash Quansah, Gentrit Dumani, Kastriot Selmani. Kryetrajner: Mirel Josa.

Komenti:

Derbi i kryeqendrës u zhvillua në mot me diell, por me fushë me baltë dhe vetëm para 200 shikuesve. Por, epiteti i derbit e arsyetoi vetën edhe në këto kushte. Megjithëse Flamurtari kurrë më keç, jo vetëm që i rezistoi Prishtinës, por bëri që ndeshja të fitoj dramacitet dhe të mbahet fryma deri në sekondat e fundit. Prishtina krijoi herët dy gola epërsi me shumë meritë dhe kur duhej vetëm të mbyllej me lehtësi pjesa e dytë, gjyqtarët i dhuruan një penallti vendasve dhe ndeshja mori kah dramatik. Prishtina vazhdoi të sulmonte thua se nuk e kishte rezultatin e favorshëm, e krijoi raste dhe e shënoi golin e tretë. Por, nuk vonoi shumë, vendasit me ndihmën e fatit ngushtuan sërish rezultatin dhe me ndihmën e lloçit gati përfituan në disa situata që të rrezikonin dhe të qonin në shtesa ndeshjen që megjithatë nuk ndodhi.

Sot për Prishtinën ka shkëlqyer Drashko Bozhoviç duke shënuar dy gola dhe asistuar te goli i tretë, kurse me lehtësi ka mundur të shënonte edhe një gol tjetër.

Minutë pas minute:

1’ Prishtina nis furishëm ndeshjen, Mankenda harkon nga e majta, Bozhoviç gjuan nga brenda zona me kokë mbi tra.

6’ Curri nga mesfusha e vazhdon majtë te Mankenda i cili pas depërtimit e vazhdon te Bozhoviç brenda zonës, pak nga e majta, dhe shenjëstron këndin e djathtë duke shënuar për epërsinë – 0:1.

8’ Januzi në pozitë ideale nga e djathta jo larg portës, i bllokohet gjuajtja, këndore.

16’ Pefqeli gjuan nga distanca ballore, pret portieri vendas.

17’ Pasim i rrezikshëm nga e djathta, bardhekaltrit nuk ia dolën të largonin topin i cili vije te Rama dhe rrezikshëm gjuan diku nga 16 metra, portieri Bekaj pret.

22’ Pefqeli para zonës kërkon hapësirë, ia del të gjej Bashirun majtë që del mbrapa shpinës se vendasve dhe ulët e dërgon topin para portës ku intervenon portieri e topi ndalet në lloç ku Bozhoviç e shtyn në rrjetë – 0:2.

26’ Edhe një pasim i mirë i vendasve, Gjini ikën pak nga e djathta dhe gjuan në këndin e afërt, Bekaj intervenon.

33’ Gjini super pasim për Krasniqin që gjuan rrezikshëm me kokë, pak i pasaktë, jashtë pingules së majtë.

39’ Tani Krasniqi bukur shërben, Gjini gjuan pak nga e majta, devijohet dhe kalon jashtë pingules së djathtë.

42’ Pefqeli gjuan rrëmbyeshëm ballore, pak jashtë pingules së majtë.

45’ Curri pozitë ideale nga gjuajtja e lirë rreth 18 metra, pak mbi tra.

47’ Hiseni del përball Bekajt në këndin e djathtë, ia bllokon Bekaj, këndore.

48’ Gjyqtari Vula jep penallti me motivacion që Miftaraj ka prekur topin me dorë!?

48’ Hasip Hajdari i saktë nga pika e bardhë – 1:2.

52’ Bozhoviç e Pefqeli ia vazhdon Mankendës i cili kalon vertikalisht nëpërmjet dy futbollistëve dhe sapo futet në zonë gjuan me të majtën, pak lartë mbi traversë.

56’ Bozhoviç nga e majta e nis faullin te Ahmeti para zonës që gjuan me të parën nga 22 metra, intervenim bravuroz afër pingules nga portieri Zhushi që shpëton skuadrën.

62’ Bozhoviç ndërprenë aksionin në mesfushë dhe ia vazhdon Januzit i cili pas vrapimit del me portier, e pabesueshme se si gjuan jashtë portës.

66’ Pefqeli nga gjuajtja e lirë ballore, 22 metra, devijohet nga muri dhe intervenon portieri e dërgon mbi tra.

78’ Miftaraj ndërprenë në mesfushë e ia vazhdon majtë Bozhoviçit i cili si me dorë ia pason Januzit para portës i cili megjithëse i mbuluar ia del të shtyej topin në rrjetë – 1:3.

81’ Mankenda mund të pasonte për Januzin në krah, por gjuan nga 16 metra jashtë pingules.

82’ Miftaraj e pason te Mankenda e ky e shtyn djathtë për Bozhoviç i cili del me portier dhe i cili e bllokon gjuajtjen e shpëton portën.

83’ Hajdini gjuan nga e majta, devijohet topi dhe e parabolën portierin Bekaj – 2:3.

44’ Gjini e ndal pasimin me gjoks në zonë dhe gjuan ulët, portieri Bekaj pret.

Deklaruan:

Mirel Josa, kryetrajner i Prishtinës: Nuk kishim menduar kurrë që sot do të humbnim ndeshjen. Në pjesën e parë në përgjithësi isha i kënaqur, por duhet të bënim shumë më tepër në pjesën e dytë. Do të duhej të qonim më shpejtë rezultatin në 3:0. Pastaj erdhi momenti i penalltisë që vetëm pas pamjeve televizive mund të pasqyrohet më mirë dhe skuadra disi hyri pastaj në presion, sepse duke qenë dy herë me dy gola në avantazh, erdhëm në situatat 1:2 e 2:3 e ku do të duhej të ishim shumë më të qetë e duhej të punonim shumë më mirë me dy krahët duke i përshtatur edhe terrenit në ato pjesë që ishte më i mirë e pa baltë, se sa në qendër dhe nga andej të godisnim kundërshtarin.

Drashko Bozhoviç: Drashko Bozhoviç:
Me rëndësi që kaluam tutje, sepse ndeshjet për Kupë janë specifike dhe tani jemi të qetë në pauzën që tani e kemi. Ndërsa, besoj se mund të jemi të kënaqur me gjysmën e sezonit, jemi të dytët me dy pikë më pak se vendi i parë sidomos duke e marrë parasysh se të gjitha ndeshjet i kemi zhvilluar si mysafir. Ndërsa edhe unë dalëngadalë jam përshtatur me kushtet dhe futbollin që zhvillohet në Kosovë dhe shpresoj shumë që gjatë fazës përgatitore do të jem maksimalisht i përgatitur, sepse kur kisha ardhur verës kisha qenë gjatë i papërgatitur. Shpresoj të ketë edhe disa përforcime të duhura dhe në pranverë të jemi edhe më të mirë. 

Gajur Rexhepi, kryetrajner i Flamurtarit:
Ne në tërë kampionatin kemi pasur problem me fatin. Kemi pasur shumë raste e kemi mundur të shënonim ende gola. Unë sot jam i kënaqur me lojtarët, sepse nga ta luajnë me junior tre-katër dhe pati debutues. Por, Prishtina është Prishtinë, s’është problem edhe me të mund. Si sot, edhe për pikë (në Drenas) kemi mundur edhe të fitonim, por siç thash na ka munguar fati. Prishtinës i dëshiroj sukses.