Lajme

Lutz Lindemann – drejtor sportiv, Kushtrim Munishi – kryetrajner

Lutz Lindemann – drejtor sportiv, Kushtrim Munishi – kryetrajner

Trajner kondicional – Arben Asllani, zëdhënes i klubit – Avni Durmishi, sekretari i klubit do të emërohet ditëve në vijim, ndërsa trajnerët ndihmës do të caktohen ndërkohë nga kryetrajneri i ri në bashkëpunim me drejtorin sportiv. I autorizuar në emër të klubit për organizim të FC Prishtina, është emëruar përfaqësuesi i FC Greuther Furth, Christian Hack.

2016

Prishtinë, 2 korrik 2016 – Në kuadër të ndryshimeve në të gjitha strukturat e klubit, tani pas pranimit në UEFA, Bordi i FC Prishtina ka marr një sërë vendimesh, të cilat e profesionalizojnë klubin me synimin final që të jetë plotësisht e gatshme për garat ndërkombëtare për vitin e ardhshëm.

Sot, në kënforencë për shtyp, kryetari, Remzi Ejupi, sëbashku me anëtarin e bordit, Ismet Begolli, bën prezantimin e plotësimit të shtabit teknik.

2016-17

R. Ejupi: Prishtina po organizohet profesionalisht

“Tani e tutje do të kemi drejtor sportiv, sekretar, trajnerë kondicional, të autorizuar për punë profesionale si dhe zëdhënës të klubit. Shpesh, ne anëtarët e klubit, vend e pavend kemi qenë të detyruar të merremi edhe me punët që nuk na kanë takuar, por kemi qenë të detyruar. Por, tani e tutje duhet të iu drejtoheni të gjithë atyre të cilët i kanë të ndara punët profesionale dhe ata të komunikojnë sidomos me mediet”, ka thënë në hyrje të konferencës, kryetari i FC Prishtina, Remzi Ejupi.

R. Ejupi: Pres ndihmë nga institucionet – nëse jo, investojmë vetë!

“Vetë prezenca e drejtorit të ri sportiv, angazhimi maksimal i aksionarëve dhe të gjithë tjerët, jemi të përkushtuar që profesionalisht të organizohemi. Prurja e lojtarëve me eksperiencë thotë gjithçka. Ndërsa, në biseda me FFK-n, Ministrinë e Sportit shpresojë që ndeshjet do t’i zhvillojmë në fushën e KEK-ut, ndërsa Akademia jonë, e cila pasi që është shumë e madhe, të na ndihmohet me disa fusha stërvitore. Por, është mëkat i madh, që Prishtina si qyteti më i madhi në vend, ende nuk ka fushë stërvitore. Por, besoj shumë, se edhe Komuna e Prishtinës, do të na dal në ndihmë të na siguroj vend për ndërtimin e fushës ndihmëse, e lokacioni dihet, aty ku është parkingu i qytetit tek pallati i sporteve. Por, nëse jo, ne do të jemi të detyruar të gjejmë tokë dhe ta blejmë vetë dhe ta ndërtojmë Akademinë me objektet përcjellëse dhe me këtë rast shpresoj se të gjithë ata që duan t’i ndihmojë klubit mund të na ndihmojnë”, ka thënë kryetari Ejupi.

R. Ejupi: Falenderim ish-kryetrajnerit Fadil Berisha

“E falënderoj përzemërsisht kryetrajnerin e deritashëm, Fadil Berisha, i cili kishte pranuar të merrte skuadrën që qastet e vështira të saj dhe ia doli të kishte sukses të fitonte edhe Kupën e Kosovës. Në emër të gjithë klubit, futbollistëve, tifozëve, e falënderojmë Berishën. Fadili mesiguri se do të mbesë pjesë e klubit, ndërsa se në çfarë detyre dhe për ndihmësit e kryetrajnerit do të vendos drejtori sportiv dhe shtabi teknik”, ka thënë kryetari Ejupi. 

Lutz Lindemann – 21 herë reprezentues i Gjermanisë lindore

Drejtor sportiv, është emëruar gjermani 66 vjeçari, Lutz Lindemann. Ish-reprezentuesi i Gjermanisë lindore me 21 paraqitje nga viti 1977 deri 1980. Ish-mesfushori defansiv,  ka luajtur për klubet gjermanolindore të FC Rot-Weis Erfurt dhe FC Carl Zeiss Jena. Ndërsa, si trajner ka udhëhequr në vitet 90-ta, skuadrat e Erzgebirge Aue dhe Hallescher. Ka qenë edhe kryetar i klubit të Carl Zeiss Jena.

Lindemann: Vështirë, sikurse Gjermania lindore në vitin 1989 – por do t’ia dalim

“Është kënaqësi e madhe që tani e tutje jam e një klubi kaq të madh. Bashkërisht do të arrijmë atje ku duam. Keni pasur punë të vështirë që të dilnit nga izolimi, por do të punojmë natë e ditë që të arrijmë rezultatet e kërkuara. Por, vetëm nëse të gjithë e marrim seriozisht punën. Asgjë nuk ka qenë më mirë në Gjermaninë lindore deri në vitin 1989 kur jemi bashkuar. Është dashur të nisim gjithçka nga e para. Pra, është situatë e njëjtë sikurse tek ne ato vite, por jamë shumë i bindur, sepse asgjë s’është e pamundur dhe me punë profesionale dhe serioze do t’ia dalim. Përndryshe, kam pasur fatin e mirë të njohë personalisht futbollistë shqiptar, si Ervin Skela e Mentor Miftarin, çka nëpërmjet tyre çmoj shumë karakterin që kanë futbollistët shqiptar”, ka thënë drejtori i ri sportiv i FC Prishtina, Lindemann.


Lindemann - Munishi


Kushtrim Munishi – një jetë të tërë në Prishtinë

Kryetrajner është zgjedhur, Kushtrim Munishi – deri tani trajner i juniorëve (U-19) të Prishtinës. Munishi. I lindur në Prishtinë më 17. 03. 1973, Munishi është i fëmijë i Prishtinës, duke u rritur në klubin bardh e kaltër dhe duke pasur shumë suksese në karrierën e tij sëbashku me klubin e tij të zemrës. Është i licencuar me UEFA Pro-Licencë. Ka të përfunduar Fakultetin e Shkencave të Sportit në Universitetin e Prishtinës. Me Prishtinën, si futbollist, ish-sulmuesi ka fituar pesë tituj kampioni (2007/08, 1999/00, 1996/97, 1995/96, 1992/93), ndërsa një titull edhe me ish-Besianën (2001/02). Fitues i Kupës tre herë, me Prishtinën një herë (1994/95) dhe dy herë Superkupën, me Prishtinën një herë (1994/95). Futbollist i vitit i shpallur nga FFK-ja në vitin 2000, kurse tre herë golashënuesi i Superligës së Kosovës (2006/07, 2001/02 dhe 2000/01). Në karrierën e tij të gjatë llogaritet t’i ketë shënuar 215 gola nga viti 1990 deri më 2008 kur si futbollist i Prishtinës i jep fund karrierës së gjatë e kur ndër skuadrat e shumta kosovare që ka luajtur, ka pasur edhe karrierë ndërkombëtare me skuadrat e Leoben Austri, Partizani Tiranë, Lokomotiva Bullgari dhe Zaglebie Poloni. Munishi po ashtu ka qenë edhe drejtor i shkollës së futbollit të FC Prishtina (2009/10) dhe ndihmës trajner i kryetrajnerit gjerman, Wolfgang Jerat (2011/12).


Munishi: Kam besim – sëbashku do t’ia arrijmë të gjitha qëllimet

“E falënderoj udhëheqjen e klubit që ka besuar në punën time, po ashtu të gjithë zyrtarët e ardhur nga Gjermania dhe tani e tutje do të kemi një përvojë të re. Ne ka kohë që kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm dhe ardhja e tyre do të rregulloj shumë gjëra brenda klubit”.

“Unë jam fëmijë i Prishtinës. E njoh çdo gjë brenda klubit, se si frymon klubi dhe çdo gjë tjetër brenda klubit. Por, me punë të përbashkët, me forcimin e talenteve të reja e që pastaj t’i plasojmë jashtë, për të gjitha këto jam i vetëdijshëm që më pret punë e vështirë, por unë jam i gatshëm dhe nuk kisha ardhur sikur mos të kisha besuar në këto objektiva afatgjate dhe atë afatshkurtër – të titullit të kampionit. Është e vërtetë ka munguar titulli në dy vitet e fundit, por çdo trajner i ri që vjen, kuptohet që nga ai kërkohet ta ndjek titullin e kampionit”, ka thënë kryetrajneri i ri i FC Prishtina, Kushtrim Munishi. 

Hack: Me Prishtinën njihemi nga transferimi i Shqipron Skerajt

I autorizuar në organizim të klubit, është emëruar, Christian Hack. Hack, është djali i presidentit të FC Greuther Furth, anëtare e Bundesliga II dhe si përfaqësues i skuadrës gjermane do t’i qendroj skuadrës së Prishtinës afër në të gjitha organizimet e saj jashtë vendit, e sidomos në përkujdesin e talenteve të reja të klubit tonë.
“Christian Hack do të përkujdeset për organizimin e ndeshjeve jashtë vendit, për punën profesionale dhe përkujdesit të talenteve tona të reja”, ka prezantuar, kryetari Ejupi, zotin Hack duke theksuar se skuadra e Prishtinës do të ndryshojë në tërësi.

Hack: T’i përgatisim talentet për treg të jashtëm perëndimor

“Me z. Ejupi jemi takuar së pari te transferimi i Shqipron Skerajt në Greuther Furth. Pastaj kam vizituar shumë herë Prishtinën duke e parë fuqinë e FC Prishtina dhe traditën që ka në Ballkan. Por, po ashtu kam vërejtur mungesën në organizim dhe pamundësinë, e sidomos, mbrojtjes së talenteve të saj. Por, pas pranimit në UEFA, gjithçka ndryshon dhe është një shans e mirë që Prishtina të grumbulloj të gjitha talentet e vendit, që ata të trajtohen me profesionalizëm dhe pastaj tutje të përgatiten për sfida të mëdha ndërkombëtare. Pra, e kemi një qëllim, të shpallemi kampion, kurse talentët të kenë prioritet. T’i zhvillojmë ata, t’i përgatisim për tregun e jashtëm perëndimor. Dhe, nëse ia arrijmë të kemi sukses, ne do të fitojmë vëmendjen e të gjithëve”, ka thënë, Christian Hack.

Arben Asllani, është zgjedhur trajner kondicional. Asllani ka lindur më 24. 01. 1989 në Ferizaj, ndërsa ka jetuar në Londër të Anglisë në 18 vitet e fundit. Është i pajisur me licencën “B” të UEFA-s, kurse ka përfunduar Fakultetin e Shkencave të Sportit në Universitetin e Greenwich të Britanisë së madhe. Është magjister i “Kondicionit atletik dhe ushqimit”. Ka punuar pak te skuadra e madhe angleze, Arsenall, kurse në shtatë muajt e fundit ka ushtruar rolin e trajnerit kondicional te Skenderbeu u Korçës.

Asllani: Prishtinë të fortë fizike dhe mentale

“Jam shumë i kënaqur me besimin që më kanë dhënë FC Prishtina. Tani na është dhënë mundësia të tregojmë se kush jemi. Pretendoj të fuqizoj skuadrën fizikisht dhe mentalisht, sepse të talentin e kemi, kemi shumë të rinj, por vetëm duhet punuar me ta sa më profesionalisht. Dhe, ne e kemi atë mundësi dhe besoj shumë se do t’ia arrijmë qëllimit”, ka thënë Asllani i cili paraprakisht ka bindur me seancën stervitore që ka pasur me skuadrën bardhekaltër.

Begolli: Prishtina ende ka trofe më shumë se të gjitha skuadrat tjera sëbashku

“Prishtina gjithmonë ka fituar trofe, edhe nëse se kemi fituar titullin qe dy vite, ne sërish kemi fituar Kupën. Prishtina edhe pse nuk ka fituar dy vitet titullin e kampionit, sërish ka të fituar trofe më shumë se të gjitha skuadrat tjera sëbashku. Pra, edhe këtë edicion, besoj shumë se do të kthejmë titullin e kampionit dhe do t’i fitojmë edhe dy trofetë tjerë, Kupën dhe Superkupën”, ka thënë anëtari i bordit, Ismet Begolli.

Avni Durmishi