Lajme

Më në fund: Sporti në Kosovë do të sponsorizohet si në Gjermani

Më në fund: Sporti në Kosovë do të sponsorizohet si në Gjermani

Mos të harrojmë, ishte kryetari Ejupi i pari si iniciator i këtij projekti madhor

Remzi Ejupi

Prishtinë, 27 qershor 2019 - Kosovës i janë dashur tri vjet për t’u bërë me ligj gjerman. Qysh në vitin 2016 Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, i përbërë nga Nait Hasani, pastaj Bekim Haxhiu, Shpejtim Bulliqi, Ismajl Kurteshi, Teuta Haxhiu, Shukrije Bytyqi dhe Mufera Sinik, bashkë me FC Prishtinën dhe kryetarin e saj, Remzi Ejupi, kishin shkuar në Frankfurt ku kishin zhvilluar takime me deputetë, udhëheqës të sportit gjerman, biznese gjermane dhe zyrtarë të ministrisë së financave gjermane prej të cilëve kishin marrë këshilla, modalitete dhe përvoja se si ta bëjnë edhe Kosovën me një ligjin të mirë dhe në interes të shpëtimit dhe zhvillimit të sportit.

Kuvendi i Kosovës sot votoi PRO Ligjit për tatim mbi të ardhurat në Korporata, i cili e kompleton dhe e mundëson implementimin e Ligjit për Sponsorizim, me të cilin shpresohet se sporti kosovar do ta tejkalojë krizën e madhe financiare e infrastrukturore dhe se do t’i hapen rrugë zhvillimore.

Ligji për Sponsorizim, i miratuar në Kuvendin e Kosovës, jep shpresë për zhvillim të hovshëm të sportit kosovar. Kjo pasi sponsorizuesit në sport do të kenë 30 për qind zbritjeje nga tatimi në fitim. Në këtë mënyrë, Kosova vendosi të ndjekë praktikën e njërës prej shteteve me sportin më të zhvilluar – Gjermanisë.

Gjermania është njëra prej shteteve me sportin më të zhvilluar në botë. Dhe, këtë e ka arritur falë Ligjit për Sponsorizime, i cili i ndihmoi jashtëzakonisht shumë zhvillimit të sportit gjerman, natyrisht falë edhe ekonomisë së fuqishme gjermane.

Ndërkohë, kjo metodë gjermane tashmë është përcjellë edhe në sportin kosovar, i cili pas shumë vitesh zvarritjesh e pritjesh, më në fund u bë me Ligj për Sponsorizime.

Sipas ligjit, sponsorizuesve në sport do t’u njihen zbritjet prej 30 për qind të tatimit në fitim. Këso lehtësirash gëzojnë edhe sponsorizuesit në sportin gjerman.

Ky ligj i ka dhënë shpresë të madhe për avancimin e sportit kosovar, i cili edhe ashtu është promovuesi kryesor i Kosovës në arenën ndërkombëtare, ani pse ballafaqohet me probleme nga më të ndryshmet, të cilat zanafillën e kanë pikërisht te kriza financiare dhe mungesa e madhe e donatorëve, të cilët nuk kishin pse të sponsorizonin në sport pa kurrfarë kompensimi.

/Gazeta Express/