Lajme

Ministria siguron se stadiumi do të rregullohet sipas planifikimeve

Ministria siguron se stadiumi do të rregullohet sipas planifikimeve

Këtë premtim ia bënë nënkryetarit të Federatës gjermane të futbollit dhe Bundesligës, Helmut Hack

Prishtinë, 15/16 shkurt, 2017 - Pas vizitës që ia bëri stadiumit të Prishtinës që po rinovohet, e po ashtu Komunës së Prishtinës, ku është pritur nga kryetari Shpend Ahmeti, Helmut Hack dje ishte mysafir i Ministrisë së Sportit.

Nënkryetari i Federatës së Futbollit të Gjermanisë dhe Bundesligës, i cili është president edhe i klubit të njohur gjerman, Greuther Furth, është pritur nga drejtori i Departamentit të Sportit pranë MKRS-së, Ibër Alaj, dhe Muharrem Sahiti, këshilltar i ministrit.

Hack, shoqërohej nga kryetari i FC Prishtina, Remzi Ejupi. Njeriu me ndikim në futbollin gjerman është njoftuar nga Alaj rreth procesit të punimeve në stadiumin e kryeqytetit.

Alaj, bartësi i këtij procesi në takim me Hack, ka theksuar se stadiumi do të rregullohet konform standardeve dhe rekomandimeve të UEFA-s në mënyrë që t’i plotësojë kriteret e kategorisë së katërt.