Lajme

Miqësore: Besa - Prishtina 1-1

Miqësore: Besa - Prishtina 1-1

Prishtina ka shënuar gol nga i vetmi rast dhe gjuajtje në portë

Leotrim Bekteshi

Pejë, 9 gusht 2019 - Sot në Pejë u ndeshen në miqësore Besa, tani më anëtar e Ligës së parë dhe Prishtina. Dy rivalët e moçëm,  e veçmas Prishtina dëshpëroi me paraqitje. Nëpër vapë ekstreme në 45-minutat e parë, edhe pse pa skuadrën që konsiderohet titullare, futbollistët e Prishtinës ishin të indisponuar për lojë dhe gjatë pjesës së parë  patën vetëm një gjuajtje në portë nga dhe u shënua goli, por që në fakt ishte aksion mjaft i mirë.
Në pjesën e dytë u aktivizuan edhe futbollistë titullar, por edhe të rinj, por skuadra nuk ia doli asnjë herë të vetme të krijonte rast apo gjuante në drejtim të portës.

Pra, padyshim se skuadra pejane e prirë nga prishtinasi Ismet Munishi u ndan të kënaqur me lojën e tyre e me pak përqendrim edhe mund të ndëshkonin pavëmendëshmërinë e mysafirëve të cilët vëmendjen, kuptueshëm, e kanë vetëm te ndeshja e Superkupës. Sidoqoftë, pa dyshim se te Prishtina pati individ të mirë që i shërbyen për të parë formën aktuale nga kryetrajneri Josa.

Liridon Fetahaj

Goli i vetëm për Prishtinën u shënua në minutën e 13-të kur Boshnjaku bukur pason djathtë te Osmani e harkimi i tij i ulët u dëbua deri para zonës ku Fetahaj me ngulmësi luftoi për top e pastaj nuk u tregua vetjak, por pasoi në krahun e majtë te Hoxha që ishte i vetëm dhe sulmuesi gjuajti përfundi këmbëve të portierit vendas.

Mysafirët barazuan 7 minuta më vonë kur harkimin e bukur nga e majta të Festim Krasniqit me kokë e shfrytëzoi Sheqerolli duke barazuar rezultatin.

Vendasit patën edhe dy raste të mira e ku në pjesën e parë Muqiqi priti gjuajtjen e rrezikshme të Muratit e në pjesën e dytë njëri nga zëvendësuesit gjuajti me kokë, por edhe pse porta e zbrazët, topi skaj pingules.

Diar Miftaraj

Miqësore:

Besa - Prishtina 1-1 (1-1)

Golat: Sheqerolli 20’ - Hoxha 13’

Besa: Haxhijaj - Morina, Turku, Fl. Papuqi, Sahiti - Gashi, Sheqerolli, Ismailaj, Hysenaj - Murati, Krasniqi. Ne pjesen e dyte luajten edhe futbollistë tjere. Kryetrajner: Munishi.

Prishtina (4-3-3): Muqiqi (Nika - 46’) - Osmani, Bekteshi (Ramush Ramadani - 74’), Xhaka, Bashiru (Sekiraqa - 66’) - Miftaraj, Hasanaj (Korenica - 60’), Boshnjaku (Mustafa - 70’) - Fetahaj (Mankenda - 64’), Hoxha (Selmani - 57’), Khalid. Kryetrajner: Josa.