Lajme

Miqësore: Onix - Prishtina 0-5

Miqësore: Onix - Prishtina 0-5

Nga dy gola kanë shënuar Mërgim Pefqeli e Kastriot Selmani dhe një gol Ergyn Ahmeti

Istog, 26 korrik, 2017 - Prishtina sot ka zhvilluar ndeshjen e parë kontrolluese në fazën e dytë përgatitore. Rival ishte skuadra nga Banja, Onix, skuadër me të cilën ishte ndeshur edhe në përgatitjet për Evropa Ligë dhe krahasuar me atë ndeshje të muajit qershor të zhvilluar në Gjakovë, dallimi është si nata me ditë. Prishtina ka ndryshuar shumë çka dhe nëse e përdorim proverbin e vjetër se “dita e mirë shihet në mëngjes”, atëherë loja e sotme jep shumë shenja të mira.

Skuadra sot ka aktivuar të gjithë futbollistët në dispozicion, përveç portierit Bekaj që pardje iu është bashkëngjitur stërvitjeve, lehtë të lënduarit Boshnjaku, Khalid dhe Baftiu, ndërsa Mankenda bashkohet ndërkohë.

Ndërsa, përveç faktit që skuadra luajti mirë, edhe më shumë ka sjell kënaqësi paraqitja e futbollistëve të rinj të cilët luajtën mbi gjysmë ore duke mbajtur lartë tempin e lojës.

Sidoqoftë është kjo vetëm ndeshja e parë dhe forma e futbollistëve mbetët të shihet sidomos pas përfundimit të qëndrimit në Banjë.

Skuadra parasheh të zhvilloj të shtunën ndeshje me Dukagjinin e Klinës - ndeshje kjo ende e pakonfirumar, ndërsa nëse nuk ndryshon diçka të dielën më 6 gusht udhëton drejt Shkupit për t’u ndeshur me skuadrën vendase homonime.

Miqësore:

Onix - Prishtina 0:5 (0:2)

Golat: Mërgim Pefqeli 31’, 45+1’, Kastriot Selmani 60’, 65’, Ergyn Ahmeti 83’

Onix (4-2-3-1): Valmir Hajrizaj - Granit Ademaj, Besnik Morina, Arian Metaj, Ragip Mazrekaj - Alban Dreshaj, Qëndrim Jahaj, Erblin Mulaj - Enis Mirani, Besmir Fetahaj - Jusuf Shabotiq. Në pjesën e dytë luajtën edhe futbollistë tjerë. Kryetrajner: Arton Bajra.

Prishtina (4-3-3): Alban Muqiqi (Ardit Nika - 46’) - Lorik Maxhuni (Përparim Osmani - 57’), Armend Dallku, Debatik Curri (Agon Xhaka - 57’), Abdul Bashiru (Gentrit Dumani - 57’) - Diar Miftaraj (Donat Hasanaj - 57’), Mërgim Pefqeli (Granit Jashari - 57’), Drashko Bozhoviç (Ergyn Ahmeti - 57’) - Liridon Fetahaj (Bleon Sekiraqa - 53’), Mentor Mazrekaj (Kastriot Selmani - 57’), Ahmed Januzi (Arbër Hoxha - 57’). Kryetrajner: Arsim Thaqi.

Mentor Mazrekaj

Komenti/golat:

Prishtina sot e ka dominuar plotësisht kundërshtarit i cili vetëm dy herë ishte pranë shënimit të golit - të dyja rastet në përfundim të pjesëve. Ndërsa, Prishtina përveç që ka shënuar pesë gola, ka qëlluar edhe pingulen e ka humbur penalltinë.

Zhvillohet minuta e 20-të kur për disatën herë Mazrekaj depërton nga e majta, por kësaj herë tentimi i tij u ndal me dorë. Nga pika e bardh gjuajti Januzi, por që portieri Hajrizaj e priti dhe pastaj topi u dëbua në këndore nga ekzekutimi i cilës Januzi qëlloi traversën, por sot fati s’ishte me të.

Nuk vonoi shumë dhe nga sulmet e parreshtura arrihet goli. Mazrekaj nuk ndalet nga e majta vije deri para qendrës së zonës, e fut topin te Fetahaj që e përcjell edhe më mirë te Pefqeli aty rreth 12-14 metra dhe pas tentimit të dytë dhe këmbëngulësisë e qëllon rrjetën (31’).

Në minutën e parë shtesë pas harkimit të këndores nga rrëmuja e krijuar më i gjindshmi edhe njëherë Pefqeli nga distanca pothuajse si te goli i parë sërish e gjen rrjetën - 0:2.

Nga minuta e 57-të u inkuadruan të gjithë futbollistët e rinj dhe në fushë mbeti deri në fund vetëm kapiteni Dallku. Të rinjtë e Prishtinës me vetëm Dallkun dhe Osmanin në krah, zhvilluan pothuajse simultankë duke shënuar tre herë e duke pasur edhe po aq raste.

Dy golat e shënuar nga Kastriot Selmani (60’, 65’) e Ergyn Ahmeti (83’) ranë nga aksione me shumë pasime duke filluar nga Bleon Sekiraqa e asistuar nga Ergyn Ahmeti.