Lajme

Miqësore: Prishtina - Dinamo Brest Bjellorusi 1:2

Miqësore: Prishtina - Dinamo Brest Bjellorusi 1:2

Golin e vetëm kundër skuadrës shumë cilësore bjelloruse, ka shënuar Januzi 64’

Antalya, 7 shkurt, 2017 - Prishtina ka zhvilluar edhe duelin e dytë kontrollues gjatë qëndrimit në Antalya.

Kundërshtari i sotëm, Dinamo Brest, ashtu siç e kishim vlerësuar para ndeshjes, ishte më një rang tjetër më larg se ne. Por, përkundër cilësisë së kundërshtarit, ishte Prishtina që pati raste më të pastra, por u ndëshkua dy herë, si pasojë e presionit të bjellorusëve dhe mospërqendrimit të duhur të futbollistëve tanë. Më rëndësi, skuadra është duke u përmirësuar pas çdo ndeshje, për atë edhe zhvillohet faza përgatitore.

Ndërsa, në pjesën e dytë, dy skuadrat zëvendësuan shumicën e futbollistëve dhe edhe njëherë u pa se Prishtina ka futbollistë të rinj jashtëzakonisht të talentuar.

Miqësore:

Prishtina - Dinano Brest (Bjellorusi) 1:2 (0:2)

Golat: Ahmed Januzi 64’ - 33’, 44’ (pen)

Prishtina (4-3-3): Alban Muqiqi (Ardit Nika - 46’) - Lorik Maxhuni (Kastriot Selmani - 74’), Armend Dallku (Liridon Kukaj - 46’), Liridon Leci (Agon Xhaka - 46’), Mergim Neziri (Gentrit Dumani - 64’) - Debatik Curri (Genc Hamiti - 46’), Lorik Boshnjaku (Donat Hasanaj - 46’), Blend Baftiu (Endrit Krasniqi - 46’) - Gentrit Begolli (Arbër Hoxha - 46’), Shend Kelmendi (Bleon Sekiraqa - 46’), Ahmed Januzi.

Komenti/rastet:

Deri te minuta e 20-të ishte dominim i plotë i skuadrës bjelloruse, por që rrezikuan vetëm njëherë (7’) e nuk ditën të shfrytëzonin jovendosjen e mirë të futbollistëve tanë. Pastaj, Prishtina sikur u lirua nga presioni dhe dyherë doli prapa shpinës së kundërshtarit, u vlerësuan pozita jashtë loje e që nga njëri rast edhe shënoi Curri.

Pastaj, moment shpërqendrimi, një aksion nga e majta, harkim para portës, zbrazëtira dhe pësim (33’)

Prishtina nuk u ndal dhe rrezikoi dy herë. Januzi bukur del përpara i ikën mbrojtjes, por gjuajtja përfundoi skaj pingules. Kurse, edhe Boshnjaku pati një gjuajtje të ulët para zonës, por që u ndal nga portieri (39’).

Dhe sërish aksion, depërtim në zonë dhe Maxhuni ndali kundërshtarin në mënyrë të palejueshme dhe nga pika e bardh 0:2 (45’).

Pjesa e dytë ishte më e mirë për Prishtinën, kurse Ahmed Januzi ngushtoi me kokë pas harkimit nga e djathta nga Maxhuni (64’). Prishtina pati edhe disa gjysmëtentime tjera, por në përgjithësi ndeshja u zhvillua në mesfushë.

Skuadra të premten më 10 shkurt nga ora 15.00 (me orë të Kosovës) zhvillon ndeshjen e fundit me Septemvri të Sofjes nga Bullgaria, anëtare e kategorisë së dytë.

Deklaruan:

Lutz Lindemann, kryetrajner i Prishtinës: Sot kemi luajtur kundër një kundërshtari shumë të organizuar dhe shumë të fortë dhe e kemi parë se ky ekip është një kategori më ndryshe, më lart se sa ne. Megjithatë, para se të shkaktonim penalltinë, ne kemi pasur dy raste shumë të mira dhe pastaj sikur që kundërshtari e ndryshoi ekipin, ashtu bëmë edhe ne duke realizuar edhe një gol të mirë. Në përgjithësi ka qenë ndeshje e mirë testuese, ku kemi parë se çka duhet mësuar nga kjo përballje. Fizikisht besoj jemi mirë të përgatitur deri këtu në këtë kohë, kurse futbollistët e rinj edhe njëherë kanë treguar se janë përspektivë dhe kanë punuar mirë në këtë lojë. 

Debatik Curri: Normalisht, ne paraprakisht e kemi ditur që kemi të bëjmë me skuadër shumë të mirë, edhe pse jo aq shumë, sidoqoftë kemi pasur informacione për ta dhe është ndër ekipet më të mira që jemi ndeshur së fundi. U angazhuam maksimalisht, por këso ekipe cilësore, përfitojnë nga gabimet më të vogla që i lëshon dhe pëson, por ne duhet mësuar nga këto gabime. Ne duhet të vazhdojmë punën të përgatitemi sa më mirë për kampionat, por edhe për të ardhmen në Evropë. Ndërsa, përgatitet po shkojnë shumë mirë, po punojmë intensivisht dy herë në ditë, e kemi kapur ritmin, dita ditës po forcohemi dhe deri në fillim të kampionatit do të jemi plotësisht, qindpërqindtë të formës. 

Dinamo Brest

Avni Durmishi