Lajme

Miqësore: Prishtina - Septemvri 2:2

Miqësore: Prishtina - Septemvri 2:2

Shend Kelmendi ka shkëlqyer si me lojë po ashtu edhe me dy gola

Shend Kelmendi

Lara/Antalya, 10 shkurt, 2017 - Prishtina ka zhvilluar ndeshjen e fundit përgatitore gjatë qëndrimit në Antalya. Me skuadrën e vendit të dytë të kategorisë së dytë bullgare, në fakt ka zhvilluar ndeshjen më të dobët nga tre ndeshjet e zhvilluara në Turqi.

Prishtina mirë nisi me presing të lartë, por nuk e konkretizoi lojën e saj, dhe, serish me dy gabime në mbrojtje, nga penalltia (5’) dhe nga një kurth e dështuar ofsajdi (33’) u ndodh befasisht në disavantazh.

Arber Hoxha

Vërehej cilësia shumë më e madhe te futbollistët tanë, por nervozizmi i tepruar në ndeshje dhe kundërshtimet verbale me gjyqtarët rus ndikuan që aspak të mos gjenim qetësinë.

Sidoqoftë, pas një aksioni të përkryer, Armend Dallku harkoi nga e djathta, kurse Shend Kelmendi nga e dyta gjen portën dhe kurorëzon me gol lojën e tij të përkryer (36’).

Në pjesën e dytë skuadra ndërroi edhe formacion edhe mënyrë loje dhe ishte efikase. Zhvillohej minuta e 85-të, kur Bleon Sekiraqa asistohet përpara e ky si me dorë ia vazhdon Shend Kelmendit gjysmëmajtë i cili me shpejtësi i ikën dy futbollistëve dhe posa futet në zonë gjuan rrëmbyeshëm me të majtën e drejt e në kahun e kundërt të portës, duke shënuar gol që moti nuk kemi parë jo vetëm nga skuadra jonë.

Bleon Sekiraqa

Përndryshe, loja ishte shumë më e fortë se sa ndeshjet tona kampionale, me shumë ndërprerje e faullime dhe me dy karton të kuq, për dy skuadrat nga një (Leci i dyti i verdhi - bullgarët pas ndërhyrjes së ashpër nga mbrapa ndaj Hasanajt - karton direkt i kuq).

Liridon Leci

Me këtë ndeshje skuadra bardhekaltër ka mbyllur ndeshjet miqësore. Nesër mban seancën e fundit stërvitore, atë të mëngjesit, kurse pasdite fluturon për në Prishtinë.

Prishtina - Septemvri 2-2

Miqësore:

Prishtina - PFC Septemvri Sofje BLG 2:2 (1:2)

Golat: Shend Kelmendi 36’, 85’ - 5’ (pen), 33’

Prishtina (4-3-3): Visar Bekaj - Lorik Maxhuni (Donat Hasanaj - 46’), Armend Dallku, Liridon Leci (Agon Xhaka - 62’), Mergim Neziri (Gentrit Dumani - 46’) - Debatik Curri (Liridon Kukaj - 46’), Lorik Boshnjaku (Genc Hamiti - 46’), Endrit Krasniqi - Gentrit Begolli (Kastriot Selmani - 64’), Arbër Hoxha (Bleon Sekiraqa - 46’), Shend Kelmendi.

FC Prishtina

Deklaruan:

Lutz Lindemann:
Ishte kjo ndeshja e tretë dhe më e dobëta e jona nga tre sa kemi zhvilluar këtu në Turqi. Ne nuk ishim përgatitur në mënyrë speciale për këtë ndeshje, pasi që dje kishim seancë të rëndë stërvitore dhe vërehej lodhja e futbollistëve tanë. Ndërsa, përgatitjet në përgjithësi kanë shkuar mirë, sepse kemi pasur kushte optimale për punë dhe çdo futbollistë kanë pasur përqendrim maksimal dhe kanë punuar maksimalisht. Po ashtu, kemi provuar të ndryshojmë disa gjëra taktike dhe në përgjithësi përgatitjet këtu në Turqi na kanë dhënë shumë optimizëm. 

Shend Kelmendi: E vërtet, jam lodhur shumë sot, sepse luajta në qendër të sulmit - pozitë kjo që kërkon shumë angazhim dhe shumë luftë e shumë vrapim dhe unë besoj se dhashë atomin e fundit çka edhe m’u kurorëzuan me dy gola të shënuar. Jam i kënaqur me ekipin ton sot, edhe pse morën dy gola në mënyrë shumë naive dhe noshalante, por ia dolëm me këmbëngulësi të barazojmë. Ndërsa vlerësoj se kemi bërë përgatitje të mirë, kemi punuar mirë dhe posaçërisht në aspektin personal jam shumë i kënaqur dhe duhet të them lirisht se jam në formën time maksimale dhe e kam harruar gjashtë muajt e fundit që nuk isha as i përgatitur e as në formën time të duhur.

Avni Durmishi