Lajme

Miqësore: Shkupi - Prishtina 1:2

Miqësore: Shkupi - Prishtina 1:2

Prishtina e fitoi testin “Shkup”, por që megjithatë nuk bindi aq

Shkup, 6 gusht, 2017 - Sot në Çair të Shkupit u zhvillua miqësorja vëllazërore ndërmjet Shkupit dhe Prishtinës të cilën ndeshje e fituan djelmoshat nga Prishtina.

Vapa ishte jashtëzakonisht e madhe qe detyroi te nisej ndeshja ne ora 18:00. Ndërsa e përcollën numër i madh shikuesish në këso raste, afër 500.

U zhvillua duel i fortë dhe pengesë ishte edhe moti përvëlues, megjithatë shikuesit e pranishëm mund të jenë ndarë të kënaqur, sidomos me skuadrën e tyre të re, e cila jo që u mbajt mirë, por edhe ishte dominuese në pjesën e parë kur edhe shënuan të parët pas një kontra-kundërzbritje që u shndërrua në aksion të mirë dhe nga 13-14 metra me gjuajtje precize mbi duart e Bekajt shënoi Shpend Asani (28’).

Sërish vendasit rrezikuan nga gjuajtja e lirë me anë të Muharem Bajramit (30’).

Tre minuta më vonë Prishtina rrezikoi për herë të parë me Mazrekajn nga gjuajtja e lirë.

Edhe pas dy minutave (35’) sërish ishte Mazrekaj që depërtoi nga e majta drejt qendrës, por që pastaj gjuajti lartë.

Ndërsa pjesa e dytë ishte e dominuar plotësisht nga mysafirët duke iu lejuar vendasve dy gjuajtje nga distanca shumë të rrezikshme.

(54’) Mankenda gjuajti nga e majta dhe përpak nuk ishte i saktë. Po në këtë minutë Khalid përpak ia vodhi topin portierit me përvojë, Suad Zendeli.

57’ - Emanuel Mpeba nga 16-17 metra qëlloi pjesën e jashtme të pingules së majtë.

Në minutën e 63-të Gauthier Mankenda nga e majta gjuajti aq rrëmbyeshëm e saktë sa që as portieri më përvojë Zendeli nuk kishte gjasa, ndërsa publiku vendas mjaft gjatë e përshendeti këtë gol të bukur.

80’ Blend Baftiu bukur e shërben në anën e majtë në hapësirë Khalid që i ikën edhe portierit, por nuk ia doli të qëllonte portën e zbrazët.

85’ Altin Sefo me gjuajtje befasuese pothuajse nga 35 metra e qëllon traversën e portierit Muqiqi.

Një minutë para se të mbyllet ndeshja, Fetahaj asiston Khalid nga e djathta i cili me gjuajtje të lehtë, por precize, e qëllon këndin e kundërt për fitoren e bardhekaltërve.

Përndryshe skuadra pati mjaft mungesa.

Skuadra darkoi pas ndeshjes me skuadrën vendase, ndërsa të enjten zhvillon tjetër miqësore me Gjilanin në Gjilan.

Miqësore:

Shkupi - Prishtina 1:2 (1:0)

Golat: Shpend Asani 28’ - Gauthier Mankenda 63’, Basit Khalid 89’

Shikues: afër 500

Gjyqtarë: Nikola Kostençev, Dejan Dimitrieviç, Bojan Ivanovski - Kristijan Bozhinovski (Shkup)

Shkupi: Suad Zendeli (Burhan Mustafa) - Edis Maliqi (Besir Ramadani), Adem Ermadin, Fisnik Zuka, Besart Krivanjeva, Muharrem Bajrami (Xhavid Bushi), Shqiprim Taipi (Sefo Altini), Fati Ismaili (Omar Imeri), Shpend Asani (Hysein Demiri),  Bunjamin Shabani (Muharem Suzel), Alen Jasharevski (Emanuel Mpeba). Kryetrajner: Bobi Smojkoski.

Prishtina (4-3-3): Visar Bekaj (Alban Muqiqi - 46’) - Përparim Osmani, Armend Dallku, Debatik Curri (Agon Xhaka), Gentrit Dumani - Diar Miftaraj, Mërgim Pefqeli (Ergyn Ahmeti), Drashko Bozhoviç (Blend Baftiu) - Gauthier Mankenda (Kastriot Selmani), Mentor Mazrekaj (Liridon Fetahaj), Ahmed Januzi (Basit Abdul Khalid). Kryetrajner: Arsim Thaqi.

FC Prishtina