Lajme

Miqësore: Tirana – Prishtina 1-3

Miqësore: Tirana – Prishtina 1-3

Për Prishtinën het-trik ka shënuar Korenica

Tirana - Prishtina 1-3

Prishtinë, 6 gusht 2018 – Mbrëmë Prishtina ka shkëlqyer në miqësoren e parë kundër klubit më të trofeshëm në Shqipëri, Tiranën – ndeshje kjo e para si e tillë e transmetuar nga ndonjë medium.

Prishtina fare nuk u frikësua as nga mungesa e kapitenit Dallku dhe e dy-tre lojtarëve të munguar nga lëndimet, por nuk u frikësua as nga largimi i sulmuesit Januzi.

Ergyn Ahmeti

Mbrëmë Prishtina tregoi që është klub i madh dhe para 4-5 vitesh as s’mund të mendoje një fitore me këso paraqitje kundër ndonjë skuadre shqiptare, e lëre më një Tirane dhe atë në fushën e saj para 2.000 tifozëve vendas fanatik, por shumë respektues ndaj nesh.

Pra, edhe pse u ndryshua rreshtimi vetëm dy ditë para ndeshjes, tani duket se skuadra ka kapur ritmin e saj dhe rotacionet si në rreshtim si në formacion, nuk janë më problem që futbollistët t’i zbatojnë detyrat në fushë. Normalisht që skuadra pati edhe problemet e saj, por e mira e saj është se janë të evidentuara dhe për këtë shërbejnë miqësoret, sidomos të forta sikurse kjo mbrëmë dhe skuadra ka kohë deri më 18 gusht që eventualisht të ndërhyjë në merkato.

Lorik Boshnjaku

Skuadra pas një nate qëndrimi në Tiranë, mbrëmë vonë është rikthyer në Prishtinë dhe sot ka ditë të lirë. Nesër fillojnë përgatitjet për kampionat dhe ndeshjen e së hënës për Superkupë. Nga nesër pritet t’i bashkohet skuadrës edhe kapiteni Dallku, kurse deri të hënën mund të rikuperohen edhe Khalid e Pefqeli.

Por, para ndeshjes me Dritën, Prishtina e zhvillon edhe një miqësore me 9 gusht në Pejë kundër Besës.

Refik Halili - Remzi Ejupi

Miqësore:

Tirana – Prishtina 1-3 (0-3)

Golat: Albi Doka 50’ - Meriton Korenica 10’, 21’, 25’

Stadiumi: “Selman Stërmasi”, Tiranë

Shikues: 2.000

Gjyqtarë: Kridens Meta, Rejdi Avdo, Ermal Barushi

Pozita jashtë lojës: Tir 0-2 Pri

Kornerët: Tir 3-2 Pri

Gjuajtje totale: Tir 7-6 Pri

Gjuajtje në portë: Tir 5-4 Pri

Tirana: 81. Alesio Abibi – 45. Sedat Berisha, 21. Vincent Atingah, 18. Dorian Kërçiku, 28. Erion Hoxhallari, 6. Tony Maveje, 13. Erando Karabeci, 16. Edon Hasani, 8. Winnful Cobbina, 11. Yunus Sentamu, 77. Dejan Blazhevski.
Në pjesën e dytë luajtën edhe: 5. Marvin Turtulli (46’), 22. Ernest Muçi (46’), 14. Asion Daja (46’), 17. Albi Doka (46’), 2. Marsel Ismailgeci (81’), 25. Andri Stafa (86’), 3. Klisman Cake (66’), 7. Bedri Greca (46’), 19. Eni Imami (70’), 9. Grent Halili (63’).
Kryetrajner: Jose Marcelo Ferreira.

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj /c/ (1. Alban Muqiqi /zc/ - 61’) - 2. Armend Thaqi, 28. Leotrim Bekteshi, 8. Ahmet Haliti (6. Agon Xhaka – 81’), 13. Abdul Bashiru (17. Arbër Hoxha – 58’) – 21. Argjend Mustafa (7. Lorik Boshnjaku – 58’), 66. Ergyn Ahmeti (20. Donat Hasanaj – 75’), 10. Meriton Korenica (77. Diar Miaftaraj – 66’) – 3. Jamal Arago (22. Kastriot Selmani – 75’), 15. Gauthier Mankenda (88. Përparim Osmani – 74’), 19. Alen Jasharoski.

FC Prishtina

Minutë pas minute:

5’ Gabon Prishtina, kombinime të Sentamu dhe Karabecit e ky i fundit gjuan ballore, por pret Bekaj.

7’ Prishtina rikthehet n ndeshje shumë shpejt me disa aksione dhe tani më konkret ishte kur nga topi i bllokuar provon gjuajtjen Mustafa nga distanca, por e lartë.

Gauthier Mankenda

9’ Jasharoski ndalet në zonë nga mbrapa dhe gjyqtari i kategorisë superiore, Meta jep penallti.

10’ Korenica shënon nga pika e bardhë – 0:1.

Meriton Korenica

21’ Aksion tjetër i përkryer, e udhëheq Korenica, para zonës me top të lartë e kalon mbrojtën e Jasharoski vetëm ia vazhdon, deri sa vendasit kujtuan që ishte pozitë jashtë lojës, por u gabuan, e Korenica i vetëm me portierin Abibi, e mposhtë me gjuajtje me të djathtën – 0:2.

Meriton Korenica

25’ Bekteshi si me dorë e gjen me pasim vertikal te Korenica djathtë që kalon bri zonës dhe sikur u duk që e humbi topin, por me luftën e rifiton sërish dhe nga pozita ballore prej rreth 20 metrave, tani gjuan me të majtën e në këndin e djathtë – 0:3. Het-trik i Korenicës. Korenica-show! Pothuajse i tërë stadiumi e përshendet me duartrokitje.

Meriton Korenica

31’ Tirana e shokuar tenton rikthimin dhe pas disa pasimeve të sakta gjuajtjen provon Cobbina, por Bekaj në vend.

41’ Mustafa gabon në mesfushë dhe me shpejtësi Maveje afrohet te zona e pasta me gjuajtje të rrëmbyeshme që Bekaj e vështroi vetëm me sy, godet dhe dridh traversën.

Yunus Sentamu

42’ Nga e majta Sentamu bukur e gjen Hoxhallarin që së pari e ndal e pastaj pa e lënë topin të bije në tokë, nga pozitë e vështirë gjuan rrëmbyeshëm e topi së pari qëllon traversën e pastaj shtyllën e djathtë dhe topi nuk hyn në portë.

Argjend Mustafa

50’ Tirana e nis edhe më furishëm pjesën e dytë, kishte kryer disa zëvendësime dhe me këmbëngulësi kërkonte golin çka edhe ia arriti. Pas aksionit bukur të ndërtuar nga e djathta depërton deri në zonë dhe pas krosimit nga Doka, Mustafa s’ia doli të largonte duke u zënë në befasi dhe nga topi i kthyer përfiton Doka dhe e drejton topin në rrjetë – 1:3.

Jamal Arago

75’ Edhe Prishtina kishte reaguar duke bërë disa zëvendësime dhe sërish kishte marrë iniciativën duke i mbuluar korridoret nga mbrapa e duke mos lejuar më të rrezikohej. Mankenda nga e majta e sherbeu Jasharoskin që nuk u vonua shumë dhe nga jashtëzona gjuan, por e lartë.

83’ Cobbina e harkon ndërprerjen nga e djathta e brenda zonës me kokë gjuan Turtulli, por e lartë.

Alen Jasharoski

87’ Osmani bukur nga e djathta e shërben në krahun tjetër brenda zonës Jasharoskin i cili provoi parabolë, por portieri nuk befasohet kap topin.

89’ Cake provon gjuajtjen nga distanca, por e lartë.

Mirel Josa

Deklaruan:

Mirel Josa: Ndjenjë shumë e keqe rikthimi në “Selman Stërmasi” dhe mund të ju them se është hera e parë që e kam shkel që nga stërvitja e fundit që kishim bërë para finales së Kupës me Skënderbeun. Por, s’ka rëndësi kjo, me rëndësi ishte që u bë një ndeshje e cila u shërbeu dy skuadrave për të parë gjendjen aktuale që kanë. Normal nuk ishte gjendja aktuale as,...s’mund të them të Tiranës, sepse atë e din më mirë drejtuesit e Tiranës, por nuk ishte gjendja aktuale se nuk mund të thuash gjendja aktuale kur kemi të bëjmë me shumë ndërrime. Unë në përgjithësi jam i kënaqur nga mënyra se si skuadra interpretoi lojën në pjesën e parë. Jemi rrezikuar vetëm kur ne kishim topin në këmbë dhe Tirana na e vodhi topin nga besimi i tepruar që patëm ne. Megjithatë janë gjëra që mund të rregullohen. Por, nuk do të thotë që u fitua sot kundër Tiranës, sepse kampionati në Kosovë është shumë i vështirë, luhet në kushte shumë më të vështira. Ne, normalisht që kemi qenë shumë përpara me përgatitje për faktin, sepse ne kemi filluar që më 11 qershor për të luajtur në Evropë. Ndeshje miqësore nuk kemi pasur dhe si ndeshje miqësore na kanë shërbyer vetëm ndeshjet e Evropës. Kështu që jam i kënaqur deri tash me skuadrën. Problemi është se çfarë do të bëjmë të ardhmen. Dhe duke u bazuar se çfarë bëri skuadra sot, do të shohim deri me 18 gusht se çfarë lojtarësh do të afrojmë te skuadra.   

Meriton Korenica: Loja shkoi mjaft mirë dhe ishte test i shkëlqyer për Superkupën që e kemi javën tjetër e ku shpresojmë të fitojmë edhe atë trofe, sepse të gjitha këto ndeshje na ndihmojnë shumë për të ngrit motivin që të jemi sa më të gatshëm për fillimin e kampionatit. Unë edhe më parë kam luajtur prapa sulmuesit, por unë jam i gatshëm të luaj kudo që më thotë trajneri. 

Jose Marcelo Ferreira, kryetrajner i Tiranës: Ishte natë e ankthshme për ne, sepse Prishtina filloi me shumë forcë dhe vrullshëm. Dhe ishte e vështirë të luftonim të arrinim te qëllimi apo të balanconim lojën. Dhe për këtë e paguam shtrenjtë, sidomos në pjesën e parë. Por, kjo ishte normale, sepse tani edhe mund të ndodh, por pas dy javësh nuk guxon të ndodh. I kemi edhe dy javë tjera për të punuar dhe për të organizuar gjithçka.