Lajme

Mirel Josa në Prishtinë

Mirel Josa në Prishtinë

Tekniku shqiptar është rekorder i titujve të kampionit në Shqipëri

Prishtinë, 11 shtator, 2017 – FC Prishtina dhe tekniku i lindur në Tiranë, Mirel Josa, janë marrë vesh për bashkëpunim njëvjeçar me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Josa, 54 vjeç, i lindur më 1 qershor të vitit 1963 në Tiranë, nga sot është emëruar në vendin vakant të drejtorit sportiv.

M. Josa: Kam ardhur të bëjë ndryshe nga kam ardhur

“Normalisht, kur më është bërë propozimi nga kryetari Ejupi për të ardhur për ta ndihmuar situatën në klubin e Prishtinës dhe për të sjellë një situatë më të mirë për klubin, unë tregova i gatshëm dhe jo për faktin se unë isha i lirë, por sepse dua të bëjë një gjë më ndryshe jashtë vendit tim, pavarësisht se brendapërbrenda Shqipërisë jemi. Do të mundohem që me të gjitha mundësitë e mija të ndihmoj komplet klubin në plotësimin e objektivave që ka. Dhe, objektivet m’i bëri të qarta kryetari dhe uroj që punën time të bazoj në sinqeritetin që kemi ndërmjet palëve që gjithçka të ecën sa më mirë duke futur këtu edhe futbollistët dhe stafin teknik, qoftë edhe stafin drejtues të klubit. Besoj që çdo gjë do të shkoj mirë dhe më vonë vazhdimësia e gjithsecilit do të shihet në bazë të rezultateve dhe sinqeritetit në mes palëve, unë me klubin. Gjithçka të jetë reciproke, sepse unë kështu jam mësuar të punoj në çdo klub që kam qenë dhe në këtë mënyrë të bëjë punën në vazhdimësi.

M. Josa: Skuadra ka cilësi – të bëjmë sëbashku më të mirën për klubin

“E kam përcjell skuadrën e cila ka lojtarë cilësor brenda. Unë njihem edhe me trajnerin Thaqi, sepse e kemi kryer sëbashku kursin e UEFA Pro dhe kam mendim shumë të mirë për Arsimin. Nuk do t’i ndërhyj në punën e tij si trajner. Në qoftëse do të kërkoj ndonjë sugjerim do ta ndihmoj, sepse ai e njeh më mirë situatën për brenda grupit dhe e njeh gjendjen më të mirë aktuale dhe duke e njohur se çfarë të më sugjeroj për ta ndihmuar , sepse çdo trajner merr përsipër të gjitha duke i bërë planet stërvitore dhe e merr përsipër vetë. Por, duke e pasur një konsensus bashkë në këtë drejtim, atëherë gjithçka do të bëhet në të mirë të klubit”, ka thene Josa.

Ish-mesfushori i Tiranës, si trajner ka të fituar rekord pesë tituj kampioni; me Tiranën njëherë (2003/04) dhe me Skënderbeun katër herë rresht (2012/13, 2013/14, 2014/15 dhe 2015/16). Me Skënderbeun ka luajtur në UEFA Evropa Ligë në grupe në edicionin 2015/16.

R. Ejupi: Me Josën do ta forcojmë organizimin

“Me ardhjen e Josës ne besojmë që do të forcojmë organizimin tonë, duke e marrë parasysh që Mireli është prej trajnerëve të dëshmuar dhe besoj që eksperienca e tij në kampionatin shqiptar dhe gjithashtu paraqitjet në arenën ndërkombëtare me Skënderbeun do të na ndihmojë shumë në të ardhmen që Prishtina të arrijë aty ku e ka vendin”.