Lajme

Nënkryetari i Federatës gjermane të futbollit dhe Bundesligës viziton stadiumin e qytetit

Nënkryetari i Federatës gjermane të futbollit dhe Bundesligës viziton stadiumin e qytetit

Helmut Hack: Jam i befasuar dhe i irrituar, kam menduar se kanë ecur punimet më shpejtë

Prishtinë, 13 shkurt, 2017 - Helmut Hack, pronar i Greuther Furth dhe nënkryetar i Bundesligës dhe Federatës gjermane të futbollit, ndodhet për vizitë në kryeqendrën tonë dhe ka vizituar enkas stadiumin e qytetit i cili po rinovohet.

Ju sjellim deklaratën e plotë të tij pas vizitës së stadiumit të qytetit.

“Posa erdha nga Gjermania direkt erdha në stadium për t’i parë punimet. Kam ardhur disa herë në Kosovë dhe kam krijuar miqësi me futbollin tuaj. Jam këtu për të parë se si po shkojnë punimet dhe për të ndihmuar aty ku kërkohet nga ju ndihma ime”.

“Pas pranimit të Kosovës në UEFA, aspak nuk jam i kënaqur me atë që e ofron infrastruktura e Kosovës. Kemi pritur që ky stadium të bëhet sa më shpejt, t’i plotësojë kushtet për lojë ndërkombëtare, por jam i befasuar dhe i irrituar, sepse kam menduar se kanë ecur punimet më shpejtë.

“Duhet të kuptojnë edhe institucionet se me një burokraci që kanë, të jenë të vetëdijshëm që në verën e ardhshme ndeshjet ndërkombëtare duhet të zhvillohen këtu. Prandaj, nesër do të jem edhe në Komunën e Prishtinës dhe në Ministri të Sportit dhe do t’u tregojë se çdo vonesë do ta kthejë Kosovën prapa. Stadiumi duhet të jetë i gatshëm në korrik”.

“Duhet të reagojmë shumë më shpejtë, shumë më shpejtë. E di sa e duan kosovarët futbollin dhe sa kanë sakrifikuar dhe sa vite e kanë pritur daljen në Evropë. Dhe, tash nuk duhet humbur shansi. Krejt njerëzit përgjegjës duhet ta marrin seriozisht këtë punë. Do të jetë dëm i madh nëse humbni përsëri shansin”