Lajme

Nesër nga ora 17.00, Prishtina e pret kampionin e ri

Nesër nga ora 17.00, Prishtina e pret kampionin e ri

Prishtina në 9-ndeshjet e fundit përball Trepçës ’89 ka vetëm një fitore

Prishtinë, 19 maj, 2017 – Të shtunën, nesër më 20 maj nga ora 17.00, në stadiumin “Agron Rama” të Kastriotit, Prishtina e pret kampionin e ri të këtij edicioni, Trepça ’89.

Prishtinës nga dy ndeshjet e fundit, me “minatorët” dhe “kuqezinjtë” e Drenicës në Skenderaj, i duhen dy pikë ose një fitore eventuale për ta siguruar vendin e dytë, gjegjësisht nënkampionin.

Prishtina dhe Trepça ’89, pas luftës kanë zhvilluar 45 ndeshje zyrtare në tri garat. “T89” ka siguruar titullin e parë në histori të klubit, pasi që më parë kishte fituar Kupën dhe Superkupën e Kosovës.

Në 9-të ndeshjet e fundit, Prishtina ka bilanc katastrofal me “minatorët”, ka fituar vetëm një ndeshje duke barazuar tre herë dhe duke humbur 5 prej tyre, 3 rresht.

Në 45 ndeshjet zyrtare, Prishtina ka bilanc më të mirë prej 20 fitoreve, 8 barazime dhe 17 humbjeve me goldallim shumë më të mirë, +17, 59:42.

59 golat e bardhekaltërve kanë shënuar 37-futbollistë, prej tyre katër më shumë se 2-gola. Prin ish-kapiteni, Azem Ahmeti me 7 gola, i ndjekur nga Sheremet Isufi me 5 gola (2x2), Enis Fetahu 4 dhe ish-kapiteni Driton Krasniqi 3 gola.

42 golat e minatorëve i kanë shënuar 23 futbollistë dhe prinë bindshëm kapiteni i tanishëm i cili shumicën e realizimeve i ka nga ndërprerja, penallti apo gjuajtje e lirë, 9 (1x2). Ndërsa vetëm katër futbollistë kanë shënuar mbi 2 gola. Blerant Kurtishaj 4, dhe nga 3 kanë tre futbollistë, John John (1x2), Enver Jashari (1x2) dhe Elvis Osmani.

Në 45 përballje, Prishtinën e kanë udhëhequr 14 trajnerë dhe vetëm tre prej tyre me më shumë se 4 ndeshje. Prin Ajet Shosholli me 10 ndeshje (7-1-2, 21:6), Afrim Tovërlani ka po aq, por me bilanc më negativ se Shosholli (5-4-1, 17:8) dhe Ramiz Krasniqi me 6 ndeshje (2-1-3, 4:5).

“89”-n e kanë udhëhequr përgjysmë më pak trajnerë, tetë. Prej tyre vetëm tre më shumë se 4-ndeshje. Prin Rafet Prekazi me 12-ndeshje (3-3-6, 10:24), i ndjekur nga Gani Sejdiu me 13 (4-1-8, 8:16) dhe Fahredin Duraku më i suksesshmi me 9 ndeshje, 4 fitore, 3 barazime e vetëm 2 humbje me golldallim plus, 12:10.

Nga trajnerët më së shumti kanë Ajet Shosholli (Prishtina) e Rafet Prekazi (Trepça ’89), 5-ndeshje. Shosholli ka 4 fitore dhe vetëm 1 barazim me goldallim 16:3.

Në 45-ndeshje, Prishtina dhe Trepça ’89 sëbashku kanë shënuar 101-gola, me mesatare prej 2.2 golave për ndeshje duke e theksuar faktin se vetëm tre herë kanë luajtur pa gola (2 në Prishtinë dhe 1 në Mitrovicë).

Rezultati më i shpeshtë është 1:0 – 14 herë (89-shi i ka 9 të tilla, 8 si vendase). Kurse 8-herë kanë luajtur 2:0 (5 herë Prishtina, 2 si mysafire).

Deri sa Trepça ’89 nuk ka fitore më të lartë se 3:1 në një ndeshje si vendase, Prishtina e ka një të tillë, por ka edhe 4:0 dy herë si vendase, dhe nga një tjetër prej 3:0 e 4:1, si vendase.