Lajme

Nga fushat e përkryera të Antalisë në lloçin e Kosovës

Nga fushat e përkryera të Antalisë në lloçin e Kosovës

Prishtina megjithatë do të nis stërvitjet në palestër të mbyllur dhe jo në Kastriot

Prishtinë, 12 shkurt, 2017 - Shkruan Zëri.info

FC Prishtina është kthyer në Kosovë prej Turqisë, ku në kushte shumë të mira për tetë ditë zhvilloi fazën më të rëndësishme përgatitore për sezonin pranveror, të cilës i kishin parapri me përgatitje në Shqipëri, raporton “Zëri.info”. 

Bardhekaltrit të martën do t’i vazhdojnë përgatitjet në Kosovë, përkatësisht në Kastriot, ku edhe pritet t’i zhvillojnë ndeshjet kampionale e të Kupës, pasi është duke u rinovuar stadiumi në kryeqytet, ku prishtinasit nuk e kanë asnjë fushë për të ushtruar.

Kjo do t’i shtyjë ata të enden “poshtë e lartë” nëpër Kosovë në kërkim të fushave derisa Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Sportit t’ua zgjasin dorën e ndihmës.

FC Prishtina ankohet se prejse kanë nis punimet në stadiumin e Prishtinës i janë shtuar shumë shpenzime në një kohë kur futbolli kosovar është në kaos financiar.

Kjo pasi kryeqytetasit po i paguajnë të gjitha fushat ku po ushtrojnë dhe luajnë me të gjitha ekipet zingjirore të saj, ndërsa kanë vërejtur rënie të interesimit të të rinjëve për t’iu bashkuar pikërisht shkaku i mungesës së infrastrukturës. Përkundër kësaj, ata nuk do të dorëzohen lehtë nga lufta për titull dhe Kupë.