Lajme

Pa stadium – nuk ka gara evropiane për klube!!!

Pa stadium – nuk ka gara evropiane për klube!!!

Prishtinë, 15 shkurt, 2017 - Shkruan Valon Konushevci /Zëri.info/

Në Kosovë nuk ka luftë. Nuk ka as trazira. S’ka as fatkeqësi natyrore. Por, shteti ynë rrezikon të njolloset me imazhe të tilla false para Evropës dhe para botës. Kjo pasi punimet në stadiumin e Prishtinës po zhvillohen me hapa të breshkës, ndërsa edicioni i ri i garave evropiane po afrohet. Klubet kosovare nuk do të lejohen të marrin pjesë në garat e UEFA-s nëse në shtetin e tyre nuk e kanë të paktën një stadium të kategorisë së dytë. Kurse, jashtë shtetit vështirë se do të lejohen të luajnë. Një gjë e tillë u mundësohet vetëm klubeve nga shtetet që janë në luftëra apo trazira ose që janë të goditura nga fatkeqësitë natyrore, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Nëse institucionet e Kosovës nuk mobilizohen për t’i ndalur zvarritjet dhe për t’i përshpejtuar punimet rreth rinovimit të stadiumit të Prishtinës, atëherë shtetit tonë mund t’i faturohet një ndëshkim i madh.

Zëri shkruan se imazhi i shtetit nëntëvjeçar mund të bëhet shumë i keq para Evropës dhe para gjithë botës, të cilat mund ta fitojnë përshtypjen se në vendin tonë ka luftë apo trazira ose fatkeqësi të madhe natyrore, gjë që në realitet nuk ekziston.

Edicioni i ri i garave evropiane po afrohet. Klubet kosovare tashmë kanë aplikuar për licencim. Por, në rast se nuk e përmbushin kriterin infrastrukturor, të cilin tash për tash nuk e përmbushin, atëherë vështirë se do të lejohen për të marrë pjesë në garat e UEFA-s.

Madje, në dallim prej Përfaqësueses së Kosovës, e cila është lejuar të luajë në Shkodër, klubet kosovare nuk pritet të lejohen për t’i zhvilluar ndeshjet si vendase jashtë Kosovës. Kjo për shkak se në Kosovë nuk ka luftë, trazira apo fatkeqësi natyrore. Vetëm kur një shtet përballet me ndonjë situatë të tillë UEFA lejon klubet e atij shteti të luajnë në një shtet tjetër.

“Kriteri infrastrukturor e thotë shumë thjesht që klubet kosovare për ta marrë licencën për gara evropiane duhet ta kenë së paku një stadium të kategorisë së dytë. Në biseda që kam pasur me zyrtarë të Departamentit për Licencim të Klubeve në UEFA është thënë se një klub kosovar nuk mund të marrë leje për të luajtur diku tjetër jashtë Kosovës vetëm pse Kosova nuk ka stadium të gatshëm”, thotë menaxheri i procesit të licencimit të klubeve nga Federata e Futbollit e Kosovës, Bajram Shala.

“Për të zhvilluar ndeshje jashtë shtetit klubi lejohet vetëm në rast se në shtetin e vet ka trazira, luftë, gjendje lufte apo fatkeqësi natyrore. Në Kosovë nuk është asnjëra prej këtyre, pra nuk ka as luftë, as trazira, as fatkeqësi natyrore. Kështu që nuk mund të ketë përjashtim që klubet e Kosovës të luajnë jashtë shtetit. Një përjashtim të tillë mund ta bëjë vetëm Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, që nuk ka shumë gjasa të ndodhë”, deklaroi Shala për “Zërin”.

Në fakt, tashmë kanë kaluar disa muaj prejse kanë filluar punimet për rinovimin e stadiumit të kryeqytetit, i cili kishte nisur për t’iu bërë gati Përfaqësueses kosovare dhe klubeve të saj për ndeshje ndërkombëtare. Por, në atë objekt po punohet me ritëm shumë të ngadaltë, për të mos thënë se nuk po punohet fare.

Të hënën, rreth orës 15:00 në këtë objekt janë parë 3-4 punëtorë, ndërsa dëgjohej duke cokatur vetëm një çekiç. Për të parë se deri ku kanë vajtur punimet në stadium, në Prishtinë kishte ardhur edhe Helmut Hack, nënkryetari i Bundesligës dhe Federatës së Futbollit të Gjermanisë, e cila e kishte mbështetur shumë FFK-në drejt anëtarësimit në UEFA dhe FIFA. Por, Hack u befasua për të keq, me ç’rast nuk hezitoi të shprehë zhgënjimin e tij.

“Pas pranimit të Kosovës në UEFA aspak nuk jam i kënaqur me atë që e ofron infrastruktura e Kosovës. Kemi pritur që ky stadium të bëhet sa më shpejt, t’i plotësojë kushtet për lojë ndërkombëtare, por jam i befasuar dhe i irrituar sepse kam menduar se kanë ecur punimet më shumë”, kishte thënë Hack për “Zërin”.

“Duhet të jemi shumë më të shpejtë dhe më reagues. E di se sa e duan kosovarët futbollin dhe sa kanë sakrifikuar dhe sa vite e kanë pritur daljen në Evropë dhe tash nuk duhet humbur shansi. Krejt njerëzit përgjegjës duhet ta marrin seriozisht këtë punë. Do të jetë dëm i madh nëse humbni përsëri shansin”, theksoi Hack, duke bërë thirrje që punimet të përfundojnë deri në muajin korrik. Mirëpo, kjo vështirë se do të ndodhë.

Stadiumi ka nisur të rinovohet me një investim të përbashkët të Ministrisë së Sportit me 75 për qind të shumës së parave dhe të Komunës së Prishtinës me 25 për qind.

Posa kishin nisur punimet Inspektorati i Komunës ishte bërë shkaktar i ndërprerjes së tyre, pasi kishte obliguar Ministrinë e Sportit të marrë leje nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. (MMPH).

Pas disa javësh kjo e fundit kishte dhënë leje për investime në fasadë dhe sanime në strukturën e objektit ekzistues. Por, pas ndërhyrjes së UEFA-s, e cila dha rekomandime për përfshirje në projekt, Ministria e Sportit qe dashur të kërkojë tjetër leje në MMPH. Derisa kjo e fundit t’i japë leje, sipas procedurave, nevojitet kohë.

Kështu që kryerja e punimeve mund të shtyhen akoma më shumë.

Drejtori i Departamentit të Sportit, Ibër Alaj, nuk ka pranuar të flasë. Kurse, në Ministrinë e Sportit besojnë se punët do të ecin mirë dhe do të kryhen sipas planifikimeve.

“U them me sinqeritet se ministri Kujtim Shala është angazhuar dhe vazhdon të angazhohet shumë në këtë projekt. Ai ka bërë çmos që procedurat të kryhen sa më shpejt që është e mundur. Pra, si Ministri i kemi kryer obligimet. Kur dalin probleme të tjera që nuk varen prej nesh është diçka tjetër”, tha këshilltari i Shalës, Muharrem Sahiti.

“Është interes i Ministrisë dhe i të gjithëve që të kryhet sa më shpejt dhe sa më mirë ky projekt për t’ua bërë gati stadiumin jo vetëm Përfaqësueses, por edhe klubeve. Është interes nacional dhe të gjithë duhet të kontribuojmë. Nuk mund të them se punimet nuk po shkojnë mirë, sepse duhet pasur parasysh edhe stinën e dimrit, sepse në temperatura në minus nuk mund të bëhet as betoni apo ku ta di unë. Por, ato që është mundur të kryhen janë kryer. Tash po rregullohet edhe moti dhe mbetet të shihet intensiteti i punimeve e që ne besojmë se do të shkojnë me ritëm të duhur”, tha Sahiti.

/Zëri/