Lajme

Pas plasmanit të daljes në Evropë, flet kryetari Remzi Ejupi

Pas plasmanit të daljes në Evropë, flet kryetari Remzi Ejupi

Tregon edhe sa ka shpenzuar ai dhe të tjerët për FC Prishtina

Prishtinë, 11 qershor, 2017 - Kryetari i FC Prishtina, ka treguar shumëçka në emisionin zbavitës “Me Shukin”

Shuki: Më në fund shkuam në Evropë, rrugë e gjatë, po?

R. Ejupi: Nuk ka qenë e lehtë, kuptohet. Për të qenë i izoluar 25 vite vërtet ka qenë e vështirë. Pra, duhet falënderuar të gjithë atyre që kanë kontribuar edhe para neve, edhe me neve, e sidomos ata që para luftës me vështirësitë që kanë pasur me mbajt gjallë futbollin. Por, tani besoj që jemi në rrugë të mirë, besoj që do të ndryshon në çdo aspekt Prishtina. Tani është në përfundim edhe stadiumi dhe do të jetë ndihmesë e madhe.

Shuki: Më në fund do të kemi stadium qysh i ka hije?

R. Ejupi: Prishtina do ta ketë shtëpinë e vet shumë më modern, shumë me kushte më të mira dhe besoj se do të jetë atraktiv për të gjithë sportdashësit dhe simpatizuesit e Prishtinës që do të kenë më shumë komoditet dhe rahati dhe që do të kenë çfarë të shohin.

Shuki: Kush ka investuar në stadium?

R. Ejupi: Unë sa jam i informuar mbi 70%-75% është Ministria e Sportit. E unë kam biseduar më herët me ish-kryeministrin në ikje dhe Ministrin dhe u jam mirënjohës të gjithë spektrit politik që kanë bërë presion në Bruksel gjatë gjitha bisedimeve që kanë qenë.

Shuki: A kanë kryer më shumë punë Ministri i sportit e Kryeministri apo Fadil Vokrri?

R. Ejupi: Unë mendoj që edhe Fadili e ka bërë punën e vet, por punën e madhe e kanë bërë këta, sepse e gjitha ka qenë çështje politike. Por, po ashtu, të gjitha investimet sportive janë bërë jashtë kryeqendrës, sepse nuk ka qytet që nuk e ka të paktën një fushë stërvitore. I vetmi kryeqyteti me mbi 300.000 banorë nuk ka asnjë qendër për të stërvit. Në të vërtet, Prishtinës i duhet po ashtu një kryetar nga Prishtina. Sepse, nëse nuk është nga Prishtina, që e donë Prishtinën dem-baba-dem është vështirë ta kuptoj qytetin e Prishtinës se si frymon.

Shuki: Prishtina ka shumë tifozë të organizuar fanatik në grupe e lagje, pra, Plisat në “Lagjen e trimave”, apo “qendër”?

R. Ejupi: Ata janë të gjithë sëbashku kur është në pyetje Prishtina, sepse e kanë klub të zemrës dhe e duan të gjithë. Por, po ashtu mendoj se paksa tifozët janë të politizuar dhe se politika është fajtore për shumë çka, si shembull që në basketboll kanë ndodhur dhe ato rivalitete janë transferuar edhe në futboll dhe nuk na nevojiten.

Shuki: Kë kishe zgjedhur, tifozët apo kryesinë e klubit?

R. Ejupi: Të dyja shkojnë bashkë, sepse klubi s’mund të mbahet pa kryesi e klubi s’mundet pa tifozeri, sepse futbolli luhet për tifozeri.

Shuki: Si përkthehet mbiemri i Afrim Muçiqit, anëtarit të bordit, në anglisht?

R. Ejupi: Kur jemi te Afrimi, ndoshta asnjë nuk e donë klubin më shumë se ai. Afrimi ka emocione dhe e donë me shpirt. Ndoshta nganjëherë edhe e tepron me prezencën ne media dhe nuk e kontrollon veten, por vërtet ai e donë klubin me shpirt.

Shuki: Sikur t’ishe kryetar i FFK-s, çfarë do të ndryshoje?

R. Ejupi: Do të bëja maksimumin të depolitizoja futbollin. Duke e marë parasysh se federatën deri tani e kanë mbajtur klubet me të hyra dhe duke marrë parasysh 25 vite sa kanë shpenzuar njerëzit nëpër klube për futboll e sa kanë vuajtur, të gjitha të hyrat do t’i kisha derdhur nëpër klubet e futbollit, nëpër akademitë e futbollit dhe infrastrukturën e futbollit. Dhe do ta kisha formuar urgjentisht Ligën si të pavarur, sepse federata është ajo e cila do t’i bënte politikat për futbollin, por jo edhe të organizojnë Ligën, e gjyqtarët…sepse nuk besoj që kanë kapacitet t’i bëjnë gjitha ato punë.

Shuki: Ndërmjet Bylbyl Sokolit e Ismet Munishit, cili do të ishte ideal për trajnerin e ardhshëm të Prishtinës?
R. Ejupi: Bylbyl Sokolin e kemi pasur. Ismetin unë e kam shumë simpatik dhe më pëlqen se si bënë fushatë apo mund ta quaj edhe tifo kudo që është. Por, për shaka, frikësohem se do të binim nga Liga me të.

Shuki: Kë do të zgjidhnit ndërmjet Albert Kastratit e Avni Durmishit?

R. Ejupi: Avniu shpesh pak edhe e tepron, për arsye se e donë klubin shumë. Kur ka ardhur në fillim ka thënë se donë të punoj edhe pa rrogë fare vetëm ta ndihmoj klubin, sepse e donë klubin. Dhe natyrisht këta tifozë të flaktë i kuptoj. Edhe Alberti është rritur me Prishtinën dhe janë tifozë të flaktë të klubit.

Shuki: Sa ka shpenzuar familja Ejupi për klubin?

R. Ejupi: Nga biznesi i familjes kam ndarë për klubin mbi 1,5 milion, kurse komplet në dhjetë vitet e fundit janë harxhuar mbi 4 milion euro nga të gjithë aksionarët e klubit nga viti 2006.

Shuki: Shorti në Evropa Ligë?

R. Ejupi: Nuk do të kisha dëshirë të na binte nga klubet e Ballkanit, do të doja dikë nga Evropa të nivelit tonë. Por, pa marrë parasysh se kush do të na bije, ne do të punojmë maksimalisht që të jemi sa më të përgatitur që të kalojmë raundin e parë.

Shuki: Arma më e fortë e Prishtinës për momentin?

R. Ejupi: Mbrojtja pa dyshim.

Shuki: Faleminderit shumë dhe kësmet së bashku do të ecim sëbashku në Evropë.

Intervistën e Ejupit mund ta shihni në videon e mëposhtme nga minuta 16:00