Lajme

Përparim Osmani e Diar Miftar nënshkruajnë për Prishtinën

Përparim Osmani e Diar Miftar nënshkruajnë për Prishtinën

Për dy vitet e ardhshme ish-futbollistët e Besës do të vishen bardhekaltër

Gjakovë, 15 qershor, 2017 - FC Prishtina vazhdon me përforcime dhe këto nuk do të jenë të fundit.

Pas Ergyn Ahmetit e Liridon Fetahajt, nga sot futbollistë të Prishtinës janë edhe dy futbollistët që deri më tani kanë veshur fanellën e Besës, mbrojtësi i djathtë, Përparim Osmani dhe mesfushori, Diar Miftaraj.

Dy futbollistët kanë nënshkruar kontratë dy-vjeçare me Prishtinën.

Përparim Osmani - 29 vjeç i lindur më 27.03.1988 në Prishtinë është i gjatë 170 cm. Mbrojtësi i djathtë me tipare ofensive luan me këmbë të djathtë dhe ka bërë karrierë në disa skuadra kosovare. Futbollistë i shkollës së futbollit të Kosovës së Prishtinës, ka luajtur edhe në Ulpianë, Hys, Dritë, Trepçë, Feronikel dhe së fundi në Besë. Me Hysin ka fituar titullin e kampionit të Kosovës, kurse Kupën e Kosovës e ka fituar dy herë, me Feronikelin dhe tani me Besën.

Osmani: Më në fund do të veshi fanellën e qytetit të lindjes

Arsyeja kryesore e kalimit në Prishtinë është se Prishtina ka traditën më të madhe në vend dhe më në fund arrijë të luaj në klubin e vendlindjes sime. Pres të kemi rezultate pozitive, të arrijmë objektivat e klubit dhe të tregojmë sa më shumë cilësi që shikuesit të jenë të kënaqur me ne”, ka thënë i njohuri si “Laqi” - Përparim Osmani.

Diar Miftaraj - 26 vjeç i lindur më 20.10.1990 në Banjë të Pejës është i gjatë 184 cm. Luan në pozitën e mesfushorit dhe me këmbë të djathtë. Është produkt i shkollës së futbollit të Besës, klub ky që e ka ndërruar në karrierën e tij vetëm për një edicion, 2014/15 me Istogun në Superligë. Me skuadrën e Besës ka fituar dy trofe të Kupës së Republikës.


Miftaraj: Prishtina momenti i duhur - t’i arrijmë objektivat

Prishtina është klubi më i mirë dhe më i madh në Kosovë. Arsyeja tjetër e kalimit tim në kryeqendër është edhe pjesëmarrja në Evropë. Ishte e vështirë të ndërroja Besën, por mendoj se ishte po ashtu momenti i duhur që të ndërroja klubin dhe besoj që nuk kam gabuar, sidomos kur është fjala për Prishtinën për të cilën premtoj angazhim maksimal që t’i realizojmë të gjitha qëllimet e klubit që ka përpara”, ka thënë Diar Miftaraj.

Dy futbollistët sot iu kanë bashkuar skuadrës në hotel “Jakova” në Gjakovë dhe nga nesër do të dalin në seancën e paradites në fushën e Vëllaznimit.