Lajme

Prezantohet kryetrajneri i ri Arsim Thaqi

Prezantohet kryetrajneri i ri Arsim Thaqi

Armend Dallku: T’i sjellim fitore në ndeshjen e parë trajnerit të ri

Prishtinë, 30 mars, 2017 – Sot zyrtarisht para futbollistëve u prezantua shefi i ri i shtabit teknik, Arsim Thaqi. Skuadra po vazhdon të mbaj si seancat stërvitore po ashtu edhe t’i zhvilloj ndeshjet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Pas prezantimit të Thaqit i cili me ndihmësit, Mentor Miftari e Ahmet Beselica, ka vazhduar normalisht seancën stërvitore para ndeshjes së nesërme të javës së XXII me Ferizajn e cila nis nga ora 15.00.

A. Thaqi: Më rëndësi të reflektojmë në 11 ndeshje, jo vetëm nesër

“Unë tani jam vetëm në një stërvitje dhe krejt çfarë mund të presim është me reagu në motiv futbollistët. Dhe normalisht, sa herë ndërrohen trajnerët lojtarët reflektojnë. Por, sa do të zgjas, kjo për mua është më rëndësi, pra sa do të zgjas dhe jo të fitojmë një ndeshje. Dhe për mua është me rëndësi të zgjas 11 ndeshje dhe jo vetëm një ndeshje. Një ndeshje mund ta fitojnë edhe lojtarët pa trajner. Por, çfarë të bëjmë në ndeshjet tjera. Pra, për mua është më rëndësi të reflektojnë futbollistët në 11 ndeshje. Ne s’kemi çfarë tjetër, t’i motivojmë futbollistët që t’i rikthehen rezultateve pozitive edhe pse realisht nuk kemi aq rezultate negative, përveç që jemi larguar nga vendi i parë. Përveç aspektit taktik dhe përgatitjes psikologjike duhet parë se si do të reagojmë”, ka mbyllur komentin e përgjithshëm para ndeshjes me Ferizajn, kryetrajneri Arsim Thaqi.

A. Dallku: Ndjehej se ishte koha për ndryshim

“Ne futbollistët kemi biseduar edhe me ish-trajnerin, pra drejtorin sportiv dhe kemi pasur një ndjesi që ka ardhur momenti që të bëhet ndonjë ndryshim brenda ekipit. Dhe këtë ndërrim ishte ish-trajneri Lindemann që na e kumtoi. Trajnerin Thaqi e kemi pritur me shumë dëshirë, të them të drejtën personalisht unë. Sepse, brenda grupit diçka nuk po funksiononte dhe është normale kur në një ekip diçka nuk funksionon është trajneri i pari që merr përgjegjësitë për rezultate. Normalisht Prishtina si ekip nuk i duron, apo nuk mundet të vazhdoj me diçka kur është kundër ekipit apo kur nuk funksionon mirë dhe kryesia ka marr vendim të ketë ndryshime në shtabin teknik. Është fati i joni që ka ardhur një njeri që e njeh mjaft mirë ekipin. Thaqi ka pasur rol të rëndësishëm në këtë ekip. Pra, është më rëndësi se i njeh lojtarët dhe filozofinë e klubit dhe çka është më me rëndësi e njeh secilin futbollist individualisht dhe kjo është përparësi. Kurse negative, nuk është momenti i duhur për trajnerin, sepse në thonjëza, jemi larg objektivit, por unë them që realisht s’jemi jashtë objektivit, sepse janë edhe 11 ndeshje dhe 33 pikë tjera dhe kurrgjë s’është e humbur dhe në mbledhje ju thash edhe bashkëlojtarëve se gjithçka është e mundur, vetëm se ne duhet të kemi vullnet për stërvitje, dëshirë që të futemi në ndeshje për fitore. Pra, Prishtinës duhet kthyer nami që duhet ketë”, ka thënë Dallku për kryetrajnerin e ri, Thaqi.

T’i dhurojmë trajnerit të ri fitoren e parë
“Çdo ndryshim sjell freski për ekipin. Dhe shpresojmë që t’ia dhurojmë trajnerit të ri një fitore dhe që gjithmonë një trajner i ri të mbaj në mend ndeshjen e parë si të fituar dhe këtë ta ketë kujtesë të mirë me Prishtinë”, ka përfunduar kapiteni, Dallku.