Lajme

Prishtina – Drita, derbi edhe në statistika

Prishtina – Drita, derbi edhe në statistika

Nga 43 ndeshje Prishtina ka 19 fitore - por 5 ndeshjet e fundit pa fitore!

Prishtinë, 29 nëntor 2018 – Prishtina është klubi më i trofeshëm në vendin tonë me 10 tituj kampioni. Është skuadra e vetme që dy herë rresht përfaqëson vendin në garat ndërkombëtare. Po ashtu e vetmja pjesëmarrëse në elitën e futbollit tonë nga viti 1991 e që nuk ka rënë asnjëherë nga liga.

Dhe në këto e shumë statistika tjera pozitive, e kuptueshme që në periudha të ndryshme ka edhe ndonjë statistikë negative.

Prishtina asnjëherë nuk ka pasur seri negative më shumë se 7 ndeshje pa fituar rresht ndaj ndonjë skuadre. Atë rekord negativ e mban kundër Feronikelit me 7 ndeshje (2 barazime e 4 humbje) në vitet 2014-2016. Në këto statistika bënë pjesë edhe rivali i së dielës, Drita e cila mbron titullin e kampionit. Dy-herë kampionët e Kosovës ndaj Prishtinës mbajnë seri pa humbje në 5 ndeshje rresht (2 barazime e 3 fitore). Pra, Prishtina nëpërmjet rivalit të ashpër të edicionit të kaluar për titullin e kampionit i duhet fitorja për të mbajtur pozitën e parë në klasifikim çka njëherësh do të siguronte edhe epitetin simbolik të kampionit vjeshtor. Dhe, fitorja i duhet edhe për statistikë...

Skuadrat me seri pozitive kundër Prishtinës pas luftës:

Feronikeli 7 ndeshje, 2014-2016 (5 fitore – 2 barazime)
Liria 6 ndeshje, 2001-2002 (4 fitore – 2 barazime)
Vëllaznimi 6 ndeshje, 2004-2005 (1 fitore – 5 barazime)
Besa 5 ndeshje, 2014-2016 (4 fitore – 1 barazim)
Drita 5 ndeshje, 2017-2018 (3 fitore – 2 barazime)
Besiana 5 ndeshje, 2000-2002 (2 fitore – 3 barazime)
Flamurtari 5 ndeshje, 2009-20010 (2 fitore – 3 barazime)
Trepça ’89 5 ndeshje, 2014-2015 (2 fitore – 3 barazime)

Pas luftës Prishtina vetëm me Besën i ka 4 humbje rresht dhe me Feronikelin 3 – në të dy rastet ka ndodhur në seritë negative të Prishtinës të lartcekura.